Turqia ka njoftuar se ka ende kërkesa të cilat duhet t’i përmbushë Suedia drejt rrugës së saj për t’u anëtarësuar në NATO.
Ky vend vlerëson hapat e deritanishëm të Suedisë për të marrë miratimin për bashkim me NATO-n, por thotë se nuk është as në gjysmë të rrugës në përmbushjen e angazhimeve që ka marrë për të siguruar mbështetjen e Ankarasë.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë të enjten se vendimi i një gjykate suedeze për të mosekstraduar një person të kërkuar nga Turqia për lidhje të dyshuara me një grusht shteti të dështuar të vitit 2016 kishte zbehur një atmosferë pozitive në negociatat për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake.
Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga politikat e tyre të vjetra të mosangazhimit ushtarak këtë vit dhe vendosën të aplikojnë për t'u bashkuar me NATO-n pas pushtimit rus të Ukrainës. Masa kërkon miratimin unanim të 30 anëtarëve aktualë të aleancës.
Turqia e ka shtyrë procesin ndërsa u bën presion dy vendeve nordike për të goditur grupet që i konsideron si organizata terroriste dhe për të ekstraduar persona të dyshuar për krime të lidhura me terrorizmin.
Parlamentet e 28 vendeve anëtare të NATO-s kanë ratifikuar tashmë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës. Turqia dhe Hungaria janë të vetmet anëtare që nuk kanë dhënë ende miratimin e tyre.
Edhe
Turqia u kërkon Finlandës e Suedisë ndryshim ligjesh nëse e duan mbështetjen për NATO
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm suedez, Tobias Billström, Cavusoglu tha se qeveria turke është ende duke pritur për zhvillime konkrete mbi ekstradimet dhe ngrirjen e pasurive.
“Ka një dokument, duhet të zbatohet. Nuk jemi ende në gjysmë të rrugës. Jemi në fillim”, tha ai, duke iu referuar një memorandumi mirëkuptimi që Turqia, Suedia dhe Finlanda nënshkruan në qershor.