Botë

Turqia kërcënon se do ta shtyjë me vite anëtarësimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë

Turqia ka thënë se mund ta shtyjë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO për më shumë se një vit, nëse nuk merr garanci të kënaqshme se dy vendet nordike janë të gatshme të adresojnë mbështetjen për grupet kurde që i konsideron si organizata terroriste, raportoi të martën The Guardian.

Kryeministri i Finlandës tha se aplikimet e dy vendeve në NATO mund të ngecin nëse çështja nuk zgjidhet përpara një samiti të NATO-s që do të nisë në Madrid më 29 qershor.

Turqia akuzon Suedinë dhe Finlandën se strehojnë anëtarë të dyshuar të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe gjithashtu kundërshton vendimet e tyre të vitit 2019 për të ndaluar eksportet e armëve në Ankara për shkak të operacioneve ushtarake të Turqisë në Siri.

"Kjo është një çështje e interesit jetik kombëtar dhe ne jemi të përgatitur të parandalojmë anëtarësimin e tyre për aq kohë sa një vit nëse është e nevojshme", tha Akif Çağatay Kılıç, deputet i partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

“Turqia është ushtria e dytë më e madhe në NATO dhe ka ofruar dronët që ndihmojnë Ukrainën të mbrohet. Ne meritojmë respekt më të madh”.

Ai tha se Turqia respektoi detyrat dhe përgjegjësitë e veta ndaj aleancës. “Çfarë do të bëjnë [Suedia dhe Finlanda]? Ata kanë strehuar organizata terroriste që vrasin popullin tim, nuk respektojnë kufijtë e mi, përbëjnë një kërcënim ekzistencial për vendin tim. E vetmja gjë që kërkojmë është që të mos ketë dallime. Një organizatë terroriste është një organizatë terroriste”.

Gjatë një vizite në Suedi të martën, kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, paralajmëroi: “Nëse nuk i zgjidhim këto çështje përpara samitit të Madridit, ekziston rreziku që situata të ngrijë”.

Suedia është shtëpia e 100,000 refugjatëve kurdë.

Finlanda ka më pak probleme me Turqinë, por ka thënë se nuk ka gjasa të vazhdojë përpara me një kërkesë anëtarësimi pa Suedinë.