Në orët e para të mëngjesit të 28 majit 2021, një varkë e panjohur u shfaq në Karaibe. Ndërsa peshkatarët vendas iu afruan, ata zbuluan diçka të frikshme: të gjithë në bord ishin të vdekur. Origjina e varkës dhe e pasagjerëve të saj ishte një mister. Megjithatë, ajo që mbeti mbante të dhëna për historinë e tyre
Mijëra kilometra larg, në qytetin francez të Orléansit, May Sow kishte hequr dorë nga shpresa për të gjetur gjallë nipin e saj. Ishte mesi i janarit 2021 dhe Alassane Sow, 30 vjeç, nuk po i përgjigjej telefonit, duke e lënë familjen e tij në Mali dhe Francë të dëshpëruar. May kërkoi në internet për ndonjë gjurmë të tij.
Disa ditë më parë, Alassane i kishte thënë asaj në telefon se po mendonte të hipte në një varkë për në Spanjë ose, në fund të fundit, për në Francë për të punuar, siç kishin bërë disa nga miqtë e tij. Edhe babai i tij ishte larguar dikur për në Spanjë. Kontrabandistët kërkonin 1.500 euro dhe ai kishte kursyer disa para duke punuar si roje sigurie në Mauritania.
Ajo mendoi se ishte një ide e tmerrshme. “Është vetëvrasje”, e paralajmëroi ajo. Një familje që ajo njihte nga Bregu i Fildishtë po mbante zi për një të afërm që vdiq duke u përpjekur të arrinte në Evropë.
Alassane tha se kontrabandistët i thanë atij se do të udhëtonte me një varkë të fortë me një motor të duhur, jo me varkat e dobëta gome të mbipopulluara që shpesh shihen duke u përmbytur në Mesdhe. Por edhe nëse do t'ia dilte, i tha ajo, nuk do të lejohej të punonte ligjërisht në Francë.
“Kur shkoj në Paris, shoh njerëz, emigrantë që flenë jashtë, nën tenda”, rikujton May.
Edhe
Të paktën 11 të vdekur nga përmbysja e një varke me emigrantë në Mesdhe
Alassane nuk do ta dëgjonte. Në fund të fundit, familja e tij franceze kishte një jetë të mirë me karriera të qëndrueshme të cilët dërgonin para në fshatin e tyre të Malit, Melga, për ta mbështetur nënën e tij.
Migrimi në Francë
Gjyshërit e Alassane kishin emigruar në Francë nga ish-kolonia dekada më parë, duke lënë vajzën e tyre të madhe, nënën e Alassanes, pas në Mali. Ata kishin gjashtë fëmijë të tjerë në Francë, duke përfshirë May-in.
Kur May dhe vëllezërit e motrat e saj u përpoqën të merrnin edhe nënën e Alassanes, ajo nuk kualifikohej më për bashkim familjar. Ajo aplikoi tetë herë për vizë për në Francë, por çdo herë iu refuzua.
Familja Sow në Francë ishte përpjekur të mbështeste Alassanen në dy projekte në Mali, në blegtori dhe në tregti. Të dyja përfundimisht dështuan pjesërisht për shkak të ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe ekonomisë së brishtë në një vend të rrënuar nga vite të tëra konflikti dhe paqëndrueshmërie politike. Nga dyqani që ai hapi me ndihmën e tyre, mezi siguroi të ardhura të mjaftueshme për të ushqyer familjen e tij.
Ai përfundimisht u transferua në Mauritania për të fituar afërsisht 75 euro në muaj, tha May. Kjo nuk mjaftoi.
May tha se i riu “i sjellshëm, serioz dhe i respektueshëm” nuk u kërkoi kurrë të afërmve të tij francezë më shumë para. Prosperiteti ishte në Evropë dhe e vetmja mënyrë që ai mund të arrinte atje ishte me anije.
"Unë mendoj se në kokën e tij, ai mendoi se nuk kishte zgjedhje", tha May.
Natën midis 12 dhe 13 janar 2021, ai hipi në një lundër në Nouadhibou, Mauritania, u nis për në ishujt Canary të Spanjës, mësoi familja e tij më vonë.
Pas heshtjes fillestare erdhën thashethemet, duke përfshirë një se varka e tij ishte ndaluar në Marok dhe emigrantët ishin dërguar në burg. May kontaktoi një përfaqësues të komunitetit të Malit në Marok për të kontrolluar burgjet dhe morgjet. Asnjë gjurmë e Alassanes.
Ajo iu drejtua një faqeje në Facebook të quajtur "Mbrojini emigrantët jo kufijtë", e përdorur nga familjet e emigrantëve të zhdukur për të shkëmbyer informacion. Kjo ishte kur May kuptoi se nipi i saj ishte një nga mijëra që zhdukeshin çdo vit rrugës për në Evropë.
Çdo ditë njerëzit postonin për një person të zhdukur. Pak janë gjetur ndonjëherë.
Çdo këshillë që ajo mori ishte gojarisht. Nuk kishte asnjë informacion zyrtar. Ajo u ndje e pafuqishme.
Nëna, gjyshja dhe gruaja e Alassanes kishin shpresë se ai ishte gjallë, ndoshta diku në burg dhe nuk mund të telefononte. May po bëhej gjithnjë e më skeptike.
Një natë, ajo pa një ëndërr. Ajo e pa atë të vdekur me shumë njerëz në ujë dhe qau për të.
Në makthin e saj, Alassane hapi sytë, por nuk mund të fliste. Pas kësaj, ajo ishte e sigurt se ata ishin mbytur me anije. Por ajo nuk kishte prova.
Disa muaj më vonë, motra e saj ndau një raport lajmi për një varkë mauritaniane të gjetur në Tobago me trupa të pajetë brenda. Pastaj një reporter i AP-së e kontaktoi atë duke e pyetur për të njëjtën gjë. A mund të jetë edhe nipi i saj në mesin e tyre?
Ai u largua në janar. Varka u gjet në maj. Por përveç kornizës kohore, nuk kishte asnjë provë që sugjeronte se ishte varka e tij. Në fund të fundit, lundrat e përdorura nga imigrantët që largohen nga Nouadhibou duken njësoj.
Ndjekja e gjurmëve
Edhe
Katër të vdekur pas fundosjes së një varke në Kanalin Anglez
Lista e kontakteve e nxjerrë nga një nga kartat SIM të një telefoni në varkë nga autoritetet në Tobago përmbante 137 emra.
AP-ja kontaktoi listën duke thirrur numrat, duke pyetur ata që u përgjigjën nëse njihnin dikë që ishte zhdukur. Vazhdoi të dilte një emër: Soulayman Soumaré, një shofer taksie nga Sélibaby në Mauritanian jugore, pranë kufijve me Malin dhe Senegalin.
AP-ja u nis për në Sélibaby, një udhëtim 2-ditor nga qyteti i peshkimit të Nouadhibous në një rrip asfalti që përshkon një shkretëtirë të zymtë dhe foli me dhjetëra të afërm dhe miq për të rindërtuar atë që ndodhi.
Soulaymani ishte zhdukur një vit më parë, së bashku me dhjetëra të rinj të tjerë nga fshatrat aty pranë. Ata ishin nisur nga Nouadhibou me një varkë që transportonte 43 persona për në Ishujt Canary, natën e 12 janarit 2021. Ishte e njëjta varkë në të cilën hipi Alassane Sow.
Dyzet e shtatë persona duhej të kishin hipur fillimisht në varkë. Katër burra nuk hipën kurrë. Njëri, i cili foli për AP-në në kushte anonimiteti, konfirmoi se ai dhe dhjetëra të afërm, miq dhe të njohur të tjerë nga Sélibaby dhe dy fshatra aty pranë kishin udhëtuar për në Nouadhibou. Aty kanë pritur në apartamente të rregulluara nga kontrabandistët. Ai dëgjoi se më shumë njerëz nga një qytet në kufirin e Malit dhe Mauritanias do të hipnin gjithashtu në varkë.
Më në fund, më 12 janar, kontrabandistët telefonuan. Ata do të niseshin për në Spanjë atë natë.
Për të mos tërhequr vëmendjen e autoriteteve, imigrantët u ndanë në grupe më të vogla dhe u larguan veçmas në lundra të ndryshme. Ata duhej të takoheshin në oqean dhe të gjithë të transferoheshin në një lundër më të madhe me destinacion Ishujt Canary.
Në Nouadhibou, qindra peshkatarë lëvizin gjatë gjithë ditës dhe natës dhe autoritetet e portit e kanë problem inspektimin e çdo varke për emigrantët. Por kur panë katër burra që dyshohet se shkonin për peshkim pa tuta tipike jeshile të errët, policia i ndaloi. Ata nuk e dinin se jeta e tyre sapo ishte kursyer.
Pritjet e gjata
Ashtu si pak njerëz në Tobago nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për Mauritanian më parë, familjet në Mauritania nuk kishin dëgjuar kurrë për Tobagon. Kur u tregua ishulli në një hartë, me Oqeanin Atlantik që ndan të dy kombet, shumë veta u gulçuan.
Pak kilometra larg Sélibaby, në një rrugë të pistë të mbushur me dhi, ndodhet fshati Bouroudji, shtëpia e 11 prej të rinjve të zhdukur. Gazetarët e AP-së ndanë informacionin e disponueshëm me nënat e tyre: Një varkë mauritaniane kishte udhëtuar për në Tobago me 14 trupa. Një telefon i marrë nga anija ishte i lidhur me grupin me të cilin kishin udhëtuar djemtë e tyre. Nuk kishte të mbijetuar të njohur.
"Ata kanë vdekur të gjithë", bërtiti një nënë. Ajo mbuloi fytyrën me duar dhe u largua e dëshpëruar.
Të tjerët vareshin nga shpresa. Derisa panë trupat e djemve të tyre, nënat thanë, ata mund të ishin ende gjallë. Ato nxorrën celularët e tyre dhe ndanë fotot e djemve me AP-në. Mes tyre ishin dy të rinj të quajtur Bayla Niang dhe Abdoulaye Tall.
Babai i Niangut, 71-vjeçari Ciré Samba Niang, tha se ata ishin të dëshpëruar për çdo informacion.
“Ka njerëz që thonë se kanë vdekur. Ka njerëz që thonë se janë në burg”, tha ai. "Ka të tjerë që thonë, marrëzi”.
Niangu tha se nuk ishte në dijeni të planeve të djalit të tij. Ai fajësoi papunësinë lokale së bashku me mundësitë më të mira jashtë vendit. Shumë në brezin e tij ishin zhvendosur gjithashtu në Evropë dhe kishin fituar para të mira për standardet mauritaniane.
“Nëse dikush shkon në Evropë, në një ose dy vjet ata do të jenë në gjendje të ndërtojnë një shtëpi (në Mauritani), të blejnë makinë”, tha Niangu. “Personi tjetër e sheh këtë dhe thotë: ‘Nuk mund të qëndroj këtu. Edhe unë duhet të iki”.
Vazhdon.
Përktheu: Forca Jashari
Edhe
53 migrantë të vdekur ose zhdukur nga përmbysja e një varke pranë Libisë, mes tyre dy foshnje
Pjesa e parë: