Kjo ka qenë përpjekja e katërt e familjes për ta kaluar kanalin që nga arritja e tyre në këtë zonë dy muaj më parë. Policia i kishte kapur dy herë në plazh, ndërsa ata luftonin të arrinin emigrantët e tjerë që ishin duke vrapuar drejt varkës së kontrabandistëve. Ahmedi ka thënë këtë herë se i kishin premtuar se vetëm 40 njerëz, shumica irakianë, do të hipnin në varkë, por ishin befasuar kur një grup tjetër me emigrantë sudanezë ishte shfaqur në plazh dhe kishte insistuar të hipte në bord
Ahmed Alhashimi ka qëndruar në plazh, duke u ulëritur dallgëve të detit, duke goditur dhe gërvishtur gjoksin e tij. Ai ngadalë ishte duke iu dorëzuar pikëllimit, tërbimit dhe fajit që nuk i largoheshin dot nga gjoksi.
“Nuk kam arritur ta mbroj. Nuk do ta fal kurrë veten. Por, deti ishte zgjidhja e vetme që kisha”, ka thënë ai, teksa qante me dënesë.
Një javë më herët, para agimit, në të njëjtin bregdet francez në jug të Calais, 41-vjeçari e kishte gjetur veten të ngecur keq brenda një gomone, duke bërtitur për ndihmë, duke shtyrë trupat rreth e rrotull tij, duke iu lutur njerëzve të largohen nga rruga, për t’i dhënë hapësirën që të arrinte ta shpëtonte vajzën e tij 7-vjeçare, Sara, nga errësira mbytëse në të cilën kishin ngecur.
“Vetëm doja që ai të lëvizte, në mënyrë që ta tërhiqja lart vajzën time”, ka shpjeguar Ahmedi për një burrë të ri sudanez, i cili ka qenë pjesë e një grupi më të madh që e kishte mbushur varkën në momentin e fundit, teksa varka ishte nisur nga bregu. Por burri e kishte injoruar atë një herë, pastaj e kishte kërcënuar.
“Ai moment ishte sikur vdekja. Kemi parë njerëz duke vdekur. E kam parë si janë sjellë ata burra. Atyre nuk u interesonte mbi kë ishin duke shkelur – mbi një fëmijë, kokën e dikujt, i ri apo i vjetër. Njerëzit kishin filluar të mbyteshin”, ka thënë Ahmedi.
Edhe pse Ahmedi është irakian, vajza e tij nuk e kishte vizituar kurrë vendin. Ajo ishte lindur në Belgjikë dhe kishte kaluar shumicën e jetës së saj në Suedi.
Si përfundim, pesë njerëz kishin vdekur në incidentin e njëjtë, viktima të asaj që duhet të jetë ndier si vdekje e ngadaltë dhe e mbushur me agoni.
‘Ndihmë!’
Ekipi i BBC-së që ishte në plazh në atë moment dhe kishte filmuar kaosin, ndërsa kontrabandistët, që ishin duke shoqëruar pasagjerët përgjatë plazhit drejt një varke të vogël, kishin përdorur fishekzjarrë dhe shkopinj për ta larguar një grup me policë francezë, të cilët ishin përpjekur, dhe kishin dështuar për ta ndaluar grupin nga nisja.
“Ndihmë!”
Ndërsa anija kishte lëvizur tutje në det, ishte dëgjuar një britmë, e largët nga anija. Por në errësirën para agimit ishte e pamundur të shihje se çfarë ishte duke ndodhur. Teksa dielli ishte duke aguar, policët vetëm ishin duke u larguar nga bregu, së bashku me një kontrabandist të dyshuar dhe disa emigrantë që kishin dështuar të hipnin në varkë.
Ahmedi më vonë ka konfirmuar se burri që ka kërkuar ndihmë ishte ai, duke iu përgjëruar dëshpërimisht njerëzve rreth tij, në mënyrë që ta shpëtonte jetën e Sarës. Gruaja e Ahmedit, Nour AlSaeedi, dhe dy fëmijët e tjerë të tyre, Rafah 13-vjeçare dhe Hussam 8-vjeçar, ishin gjithashtu të bllokuar në varkë, por kanë arritur të merrnin frymë.
“Jam punonjës ndërtimtarie. Jam i fuqishëm. Por prapëseprapë nuk arrija ta tërhiqja këmbën. Nuk çuditem që vajza ime nuk ka arritur të largohej që aty. Ajo ishte nën këmbët tona”, ka thënë Ahmedi.
Kjo ka qenë përpjekja e katërt e familjes për ta kaluar kanalin që nga arritja e tyre në këtë zonë dy muaj më parë. Policia i kishte kapur dy herë në plazh, ndërsa ata përpiqeshin t’i arrinin emigrantët e tjerë që ishin duke vrapuar drejt varkës së kontrabandistëve. Ahmedi ka thënë këtë herë se kontrabandistët – që kishin kërkuar 1.500 euro për të rriturit dhe gjysmën e këtij çmimi për fëmijët – i kishin premtuar se vetëm 40 njerëz, shumica irakianë, do të hipnin në varkë, por ishin befasuar kur një grup tjetër me emigrantë sudanezë ishte shfaqur në plazh dhe kishte insistuar të hipte në bord.
Sara ka qenë e qetë në fillim, duke ia mbajtur dorën babait të saj teksa ecnin nga stacioni i trenit në Wimereux, një natë më parë. Ata pastaj ishin fshehur tërë natën në duna, kodra rëre, në veri të qytetit. Para orës 6 të mëngjesit, grupi e kishte fryrë varkën dhe pastaj kontrabandistët i kishin urdhëruar ta mbanin deri te plazhi dhe të vraponin me të drejt detit para se të kapeshin nga policia.
Papritmas, ka thënë Ahmedi, një kanistër e policisë me gaz lotsjellës kishte eksploduar afër tyre dhe Sara kishte filluar të bërtiste. Ahmedi e kishte mbajtur Sarën në supe për ca minuta, por e ka lëshuar në varkë për ta ndihmuar vajzën e tij të madhe, Rafah, për të hipur në bord, i cili është momenti kur atij i është zhdukur Sara nga sytë.
Më vonë, kur shpëtimtarët francezë i kanë arritur në det dhe i kanë larguar disa nga më shumë se 100 personat e grumbulluar në varkë, Ahmedi ka qenë në gjendje ta arrinte trupin e vajzës së tij.
“Ia pashë kokën në qoshen e varkës. Ishte e tëra e kaltër. Kishte vdekur kur e nxorëm nga aty. Ajo nuk ishte duke marrë frymë”, ka shpjeguar ai, duke qarës.
“Ishte zgjedhja ime e vetme”
Në ditët pas kësaj, për familjen janë kujdesur autoritetet franceze, teksa kanë pritur ta varrosnin trupin e Sarës. Ahmedi ka thënë se ka qenë në dijeni që është duke u kritikuar rëndë në mediat sociale nga njerëzit, që e akuzojnë se e ka vendosur familjen në rrezik të panevojshëm. Ai duket të jetë në mëdyshje mes pranimit dhe refuzimit të fajit të tillë.
“Nuk do ta fal veten kurrë. Por deti ka qenë e vetmja mundësi që kisha. Gjithçka që ka ndodhur, ka ndodhur kundër vullnetit tim. Më përfunduan opsionet. Njerëzit më fajësojnë mua dhe thonë, ‘Si kam mundur ta rrezikoja vajzën time?’ Por unë kam kaluar 14 vjet në Evropë dhe më kanë refuzuar gjithandej”, ka thënë Ahmedi, duke i detajuar vitet e përpjekjeve të dështuara për të siguruar qëndrim të përhershëm në Bashkimin Evropian, pasi është larguar nga Iraku si shkak i kërcënimeve nga grupet militante atje.
Thuhet se Belgjika ia ka refuzuar azilin duke argumentuar se Basra, qyteti i tij në Irak, ishte klasifikuar si zonë e sigurt. Ai ka thënë se fëmijët e tij i kishin kaluar shtatë vjetët e fundit duke qëndruar me një të afërm në Suedi, por se ishte informuar kohëve të fundit se edhe ata do të dëboheshin, bashkë me të, në Irak.
“Nëse e dija se kishte 1% shans që do të mund t’i lija fëmijët në Belgjikë ose Francë, ose Suedi, ose Finlandë, atëherë do t’i lija atje. Gjithçka doja ishte që fëmijët e mi të shkonin në shkollë. Gruaja ime dhe unë mund të punonim. Unë doja që t’i mbroja ata dhe fëmijërinë e tyre, si dhe dinjitetin”, ka shtuar ai.
“Nëse njerëzit do të ishin në pozitën time, çfarë do të bënin? Ata që më kritikojnë nuk kanë kaluar atë që kam kaluar unë. Ky ishte opsioni im i fundit”, ka thënë ai, duke i kërkuar Qeverisë britanike mbështetje.
Eva Jonsson, mësuesja e Saras në Uddevalla, Suedi, e ka përshkruar 7-vjeçaren si “të sjellshme dhe të këndshme”.
“Ajo kishte shumë shokë e shoqe në shkollë. Ata të gjithë luanin së bashku tërë kohën... Ne shumë vonë kemi dëgjuar se ajo do të dëbohej dhe se kjo do të ndodhte së shpejti. Kishim dy ditë afat”, ka thënë ajo.
Pasi kanë marrë vesh për vdekjen e saj, klasa ishte mbledhur në një rreth dhe kishin mbajtur një minutë heshtje.
“Është me të vërtetë fatkeqësi që kjo i ka ndodhur një familjeje kaq të mirë. Unë u kam dhënë mësim edhe fëmijëve të tjerë të asaj familjeje dhe isha shumë e tronditur kur mora vesh për dëbimin”, ka thënë mësuesja. “Kemi vendosur fotografinë e Sarës para nesh dhe do ta mbajmë akoma aty, për sa kohë që duan fëmijët”.