Botë

El Salvadori ndërton burgun për 40 mijë persona

Qeveria e El Salvadorit ka lejuar mediat në burgun e ri, hapësirë e madhe me kapacitet për 40 mijë të burgosur. Autoritetet kanë thënë se është burgu më i madh në Amerikën Latine dhe se ka teknologjinë më të sofistikuar për të parandaluar ikjet e të burgosurve.

Kritikët kanë thënë se ndërtimi i burgut më të madh nuk është zgjidhje për probleme te sigurisë me të cilat është përballur shteti latin në vitet e fundit. Qeveria ka thënë se burgu është i dizajnuar për liderët e bandave, përfshirë shefat e të ashtuquajturave klika.

Burgu është ndërtuar 74 kilometra larg kryeqytetit San Salvador. Në këtë burg, të burgosurit nuk do të kenë asnjë kontakt me botën e jashtme dhe do të largohen nga qelitë vetëm për proceset gjyqësore.

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka premtuar se burgu do të jetë vetëm për anëtarët e bandave pasi brenda një dite në shtetin latin u vranë 62 persona.

Që prej marsit të vitit 2022, shteti ka arrestuar 62 mijë persona, të gjithë të dyshuar si anëtarë të bandave kriminale.