Botë

Egjipti ndjek penalisht agjentët e udhëtimeve “mashtruese” për haxhillëk

Haxhilleku

Foto: Associated Press

Kryeministri i Egjiptit, Mostafa Madbouly, urdhëroi të shtunën që 16 kompanive turistike t’u pezullohet licenca dhe menaxherët e tyre u paditën për lehtësim të paligjshëm të udhëtimit të pelegrinëve në Mekë. Urdhri u mor pasi shumë shtete raportuan më shumë se 1.100 viktima në haxhillëkun e sivjetmë, kryesisht për shkak të temperaturave të larta. 

Diplomatët arabë i thanë “AFP-së” këtë javë se Egjipti i ka regjistruar 658 vdekje dhe se 630 prej viktimave kanë qenë pelegrinë të paregjistruar. 

Kryeministri kërkoi që shuma e gjobave me të cilat do të ndëshkohen menaxherët, t’iu ndahet familjarëve të viktimave. 

Të premten, një zyrtar i lartë saudit ka thënë se vendi i tij e menaxhoi si duhet pelegrinazhin. Arabia Saudite ua mundëson shteteve që të dërgojnë pelegrinë përmes kuotave që përcaktohen prej numrit të popullsisë dhe në vendet me interesim të lartë, individët zgjidhen përmes lotarisë. 

Mirëpo, për shkak të çmimeve shumë të larta, shumë pelegrinë nisen pa leje, ndonëse rrezikojnë të arrestohen dhe dëbohen. 

Rrugëtimi ilegal, që mund t’ua kursejë pelegrinëve mijëra euro, u bë secilën herë e më i famshëm prej 2019-s, kur Arabia Saudite nisi të lëshojë viza të përgjithshme turistike dhe kështu hyrja aty u lehtësua./REL