Fermerët në Rumani planifikuan protesta të mëdha para ndërtesës së qeverisë dhe njoftuan se do të nxirrnin 15 mijë automjete në rrugë, duke përfshirë kamionë, traktorë, vinça dhe furgonë.
Megjithatë, qeveria rumune, si dhe këshilli bashkiak i Bukureshtit, e hodhën poshtë kërkesën sepse deklaruan se një protestë e tillë dhe bllokimi i plotë i zonës së “Sheshit të Fitores” në kryeqytetin rumun do të kërcënonte sigurinë.
“Sjellja dhe parkimi i automjeteve të rënda në shesh do të rrezikonte shëndetin dhe jetën e qytetarëve që kalojnë nëpër atë zonë dhe do të çonte në prishjen e rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në përgjigje.
Kryetari i Bukureshtit, Nikušor Dan, ka bërë të ditur se kërkesa për protesta të fermerëve është refuzuar pasi është e paarsyeshme.
“Kërkesën e kemi refuzuar sepse nuk është e arsyeshme. Konkretisht kërkuan ‘pushtimin’ e plotë të Sheshit të Fitores dhe rrugëve fqinje nga e premtja deri të hënën për 15 mijë traktorë dhe automjete të tjera”, ka thënë ai.
Fermerët në Rumani i dërguan qeverisë një sërë kërkesash, ndër të cilat janë mbështetja prej 250 euro për hektar tokë të kultivuar, uljen e taksës 50 për qind, heqjen e akcizës për naftën, rifillimin e prodhimit të plehrave në tregun e brendshëm dhe detyrimet e importit nga Ukraina.
"Protesta jonë do të vazhdojë pafundësisht derisa qeveria të kuptojë se janë të paaftë për të menaxhuar vendin. Ne do të protestojmë sepse është mënyra e vetme për të vënë në dukje problemet tona", thanë fermerët.
Vetëm pak ditë më parë, fermerët në Gjermani bllokuan rrugët e Berlinit.