Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Fermerët bllokojnë rrugët e Gjermanisë

Pjesë e planit të protestave të fermerëve gjermanë është mbyllja e rrugëve hyrëse në autostrada. Ata janë zotuar se do ta bllokojnë komunikacionin kryesor dhe rrugët logjistike për një javë. Protesta nisi pas planit të Qeverisë për të ndalur subvencionet në bujqësi

Fermerët kanë bllokuar rrugët hyrëse të autostradave në pjesë të ndryshme të Gjermanisë të hënën, duke nisur kështu një javë me protesta kundër planit të Qeverisë për të hequr uljet e taksave për naftën e përdorur në bujqësi.

Në Berlin qindra traktorë bllokuan rrugën kryesore që çon në Portën e Brandenburgut.

Lidhur me protestën ka folur edhe zëdhënësi i Shoqatës së fermerëve, i cili ka shprehur zemërimin për vendimin, i cili ndal në mënyrë graduale subvencionet bujqësore.

“Ne jemi këtu, sepse duam të protestojmë kundër rritjes së taksave, taksave të padrejta dhe duam të protestojmë edhe ndryshimin e drejtimit në politikën bujqësore. Nuk duam që të shkojnë gjërat si në 5, 6 apo 7 vjetët e fundit. Ne kemi nevojë për një politikë që e vendos profesionin e bujqësisë përsëri në qendër të shoqërisë dhe pranon se profesioni ynë ka të drejtë të ekzistojë”, ka theksuar ai.

Koalicioni trepartiak i kancelarit Olaf Scholz i ka zemëruar fermerët muajin e kaluar duke hartuar plane për të ndalur subvencionet për makinat bujqësore dhe uljen e taksave për naftën që shfrytëzohet nga fermerët.

Edhe Mijëra njerëz protestojnë në Gjermani kundër AfD-së së ekstremit të djathtë Botë 3 j. më parë Mijëra njerëz protestojnë në Gjermani kundër AfD-së së ekstremit të djathtë

Propozimet ishin pjesë e një pakoje për të mbushur një “vrimë” prej 17 miliardë eurosh në buxhetin e vitit 2024.

Si kompromis, në vend se t’i japë fund menjëherë uljes tatimore për naftën e përdorur në bujqësi, Qeveria planifikon që subvencionet të ulen për 40% këtë vit, për 30% më 2025, dhe të hiqen plotësisht më 2026.

Qeveria gjithashtu hoqi dorë nga planet për t’i dhënë fund trajtimit të privilegjuar për tatimet në automjete për bujqësinë dhe pylltarinë.

Mirëpo Shoqata Gjermane e Fermerëve ka njoftuar se është duke insistuar që planet të anulohen plotësisht.

Ridraftimi i buxhetit që përfshin shkurtimet e diskutueshme u kërkua, pasi gjykata më e lartë e Gjermanisë anuloi një vendim të mëparshëm për ripërdorimin e 60 miliardë eurove, që fillimisht ishin destinuar për të zbutur pasojat nga pandemia COVID-19.

E zgjedhjet vendimtare rajonale më vonë këtë vit do të testojnë të paktën një pjesë të disponimit të vendit. Ato do të mbahen në tri shtete lindore: Saksoni, Brandenburg dhe Turingi.

Edhe Mosbesimi ndaj qeverisë së Gjermanisë dhe reformave të saj Botë 3 j. më parë Mosbesimi ndaj qeverisë së Gjermanisë dhe reformave të saj

Protesta e fermerëve do të shtojë presionin mbi koalicionin qeverisës.

Ndërsa traktorët mbajnë të bllokuar Berlinin, ky është një fillim i pafat i vitit për qeverinë e kancelarit Scholz dhe vjen së bashku me parashikimet e rritjes së dobët ekonomike për një vend që shpesh përshkruhet si “centrali i energjisë” i BE-së.