Botë

Edhe Estonia kërkon aktivizimin e nenit 4 të NATO-s pas shkeljes së hapësirës ajrore nga Rusia

Estonia

Estonia ka kërkuar konsultime me vendet anëtare të NATO-s pasi aeroplanët luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore të premten.

Sipas qeverisë estoneze, tre avionë MiG-31 të Rusisë hynë në hapësirën ajrore mbi Gjirin e Finlandës “pa leje dhe qëndruan për gjithsej 12 minuta”.

Italia, Finlanda dhe Suedia ngritën aeroplanë për të reaguar, si pjesë e misionit të NATO-s për forcimin e krahut lindor. Një zëdhënës i NATO-s e quajti incidentin “një tjetër shembull të sjelljes së pakujdesshme të Rusisë dhe aftësisë së NATO-s për të reaguar”.

Rusia mohoi të ketë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë. Por tensionet janë rritur kohët e fundit, pasi edhe Polonia e Rumania – të dyja anëtare të NATO-s – raportuan se dronë rusë kishin hyrë në hapësirën e tyre ajrore.

Neni 4 i traktatit të NATO-s parashikon fillimin e konsultimeve urgjente brenda aleancës prej 32-anëtarësh, që lidh SHBA-në dhe shumë vende evropiane në mbrojtjen kolektive. Ky është rasti i dytë këtë muaj që një vend i NATO-s kërkon konsultime sipas Nenit 4. Më 10 shtator, Polonia kishte bërë të njëjtën gjë pasi dronë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore.

“Reagimi i NATO-s ndaj çdo provokimi duhet të jetë i bashkuar dhe i fortë. Ne e konsiderojmë thelbësore konsultimin me aleatët tanë për të siguruar një vetëdije të përbashkët dhe për të rënë dakord për hapat e ardhshëm të përbashkët”, ka deklaruar kryeministri estonez, Kristen Michal.

“Nuk më pëlqen kur ndodh kjo. Mund të sjellë telashe të mëdha”, u shpreh presidenti amerikan Donald Trump.

Estonia, e cila kufizohet me Rusinë në lindje, thotë se ky ishte rasti i pestë i shkeljes së hapësirës së saj ajrore nga Rusia këtë vit.

Shkelje e hapësirës ajrore estoneze nga Rusia e dënoi mbrëmë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.