Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dyshime për reagimin e rojave bregdetare në tragjedinë e Mesdheut

Greqi

Foto: Ilustrim

Kërkimet për trupat e migrantëve në anijen e fundosur afër brigjeve të Greqisë kanë vazhduar, teksa të premten janë ngritur dyshime për reagimin e rojave bregdetare greke, të cilat janë akuzuar për fundosjen e anijes. Qeveria greke ka insistuar se rojat bregdetare kanë mbajtur distancë me anijen, në të cilën besoheshin se ishin qindra persona.

Zyrtarët e Greqisë kanë mohuar serinë e raportimeve se anija e migrantëve është fundosur vetëm 70 kilometra larg brigjeve për shkak të një litari që ishte lidhur nga rojat bregdetare. Deri më tani 78 persona janë konfirmuar të vdekur, por qindra të tjerë janë të zhdukur, përfshirë 100 fëmijë.

Rojat bregdetare fillimisht kanë thënë se mbajtën distancë me anijen. Mirëpo qeveria greke të premten ka sqaruar se litari ishte përdorur kur rojat bregdetare tentuan t’i afroheshin anijes së peshkimit të mbushur me qindra migrantë.

Qeveria ka thënë se nuk kishte asnjë përpjekje për të tërhequr anijen ose për t’u lidhur me të me ndonjë litar. Sipas saj, drejtuesit e anijes kanë refuzuar ndihmën e autoriteteve greke, duke insistuar se pa ndihmë do të vazhdonin drejt Italisë.

Dyshimet nëse ndonjë anije ka bërë përpjekje për ta lidhur ndonjë litar me anijen e migrantëve janë ngritur nga në aktivist që ka thënë se njerëzit në bordin e saj kanë mundur të kthenin përmbys anijen në përpjekje për të arritur litarin. 104 persona janë shpëtuar vetëm pak minuta pasi anija u fundos të mërkurën pas mesnate.

Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar fundosjen e anijes si një prej tragjedive më të mëdha të Mesdheut. Qeveria greke ka deklaruar se rojat bregdetare kishin përdorur drita dhe një zmadhues zëri për t’i njoftuar migrantët se ishin në rrezik të madh dhe se nuk do të mund të arrinin brigjet e Italisë.

Shkalla e katastrofës nxiti presionin mbi qeverinë greke ashtu edhe mbi Bashkimin Evropian.

Agjencitë e OKB-së për migracionin dhe refugjatët me një deklaratë të përbashkët e kanë cilësuar kërkimin dhe shpëtimin “imperativ ligjor dhe humanitar" dhe kanë bërë thirrje për “veprim urgjent dhe vendimtar për të parandaluar vdekjet e mëtejshme në det”.

“Qeveria greke kishte përgjegjësi specifike ndaj çdo pasagjeri në anije, e cila shihej qartë se kishte probleme”, ka thënë Adriana Tidona nga Amnesty International. “Kjo është tragjedi e përmasave të paimagjinueshme, aq më tepër sepse ishte plotësisht e parandalueshme”.

Papa Françesku, i cili u lirua nga spitali i Romës të premten, nëntë ditë pasi iu nënshtrua operimit abdominal, u kërkoi qeverive evropiane të bëjnë më shumë për të mbrojtur njerëzit që rrezikojnë jetën e tyre teksa përpiqen të gjejnë jetë më të mirë.

“Ndjej dhimbje të madhe për vdekjen e emigrantëve, duke përfshirë shumë fëmijë, në fundosjen e anijes”, thuhej në postimin e Papa Françeskut në Twitter. “Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që migrantët që ikin nga lufta dhe varfëria të mos përballen me vdekjen teksa kërkojnë të ardhme shprese”.

Reagimi i OKB-së

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ishte më i mprehtë në kritikat e tij.

“Të jemi të qartë. Ky nuk është problem grek. Ky është problem evropian. Mendoj se është koha që Evropa të jetë në gjendje, në solidaritet, të përcaktojë një politikë efektive migracioni që këto lloj situatash të mos ndodhin më”, ka thënë Guterres gjatë konferencës për media në selinë e OKB-së në New York.

Komisioni ekzekutiv i BE-së thotë se blloku 27-vendesh është afër marrëveshjes se si vendet anëtare mund të ndajnë përgjegjësinë në kujdesin për migrantët dhe refugjatët që ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm nëpër Mesdhe.

Ndërkohë, Greqia dhe vendet e tjera jugore të BE-së që zakonisht janë destinacionet e para për azilkërkuesit që udhëtojnë drejtë Evropës, kanë ashpërsuar masat e mbrojtjes së kufijve viteve të fundit, duke zgjeruar muret dhe duke intensifikuar patrullimet detare.

Zëdhënësi i rojave bregdetare në Greqi, Nikos Alexiou, ka thënë se rojet bregdetare dhe anijet private e ndoqën anijen në ujërat ndërkombëtare përpara se të fundosej. Ofertat e përsëritura të ndihmës u refuzuan në komunikimet me radio me anijen dhe thirrjet e bëra përmes një altoparlanti, ka sqaruar ai.

Alexiou ka mohuar rrëfimin e të mbijetuarve se një varkë patrullimi ishte përpjekur të tërhiqte varkën e peshkimit.

Në Greqi po vazhdon hetimi për shkaqet e fundosjes së anijes. Zyrtarët grekë kanë thënë se anija është fundosur disa minuta pasi humbi energjinë elektrike, duke spekuluar se paniku mes udhëtarëve mund të ketë bërë që anija të lëkundet dhe të përmbyset.

Operacioni i shpëtimit krijoi gjithashtu polemika politike në Greqi teksa vendi shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme më 25 qershor. Protestat e mëdha në Athinë u bën të dhunshme të enjten vonë. Së paku 21 protestues u arrestuan.

Udhëheqësi i opozitës së krahut të majtë, Alexis Tsipras, vizitoi të mbijetuarit dhe ka thënë se roja bregdetare duhet ta kishte tërhequr anijen në vend të sigurt teksa ajo iu afrua ujërave greke -shqetësim i bërë jehonë nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Shumica e të mbijetuarve u zhvendosën të premten nga depo në portin jugor të Kalamatës, ku të afërmit u mblodhën gjithashtu për të kërkuar të dashurit, në strehimoret e emigrantëve në periferi të Athinës.

Nëntë persona - të gjithë burra nga Egjipti, nga mosha 20 deri në 40 vjeç - u arrestuan dhe u ndaluan dhe u akuzuan të premten për kontrabandë njerëzish dhe pjesëmarrje në sipërmarrje kriminale. Njëzet e shtatë nga të mbijetuarit mbeten të shtruar në spital.

Të dyshuarit për trafikim me njerëz të hënën do të dalin para gjykatës greke.

Alexiou, duke cituar rrëfimet e të mbijetuarve, ka thënë se migrantët në anijen e peshkimit përfshinin gra dhe fëmijë, por se numri i të zhdukurve, që besohet të jetë në qindra, mbetet i paqartë.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin ka vlerësuar se anija mbante deri në 750 persona.

Zyrtarët në morgun shtetëror afër Athinës fotografuan fytyrat e viktimave dhe mblodhën mostra të ADN-së për të filluar procesin e identifikimit.

Artikuj të ngjashëm