Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dy gjeneralët vazhdojnë luftën në kryeqytetin sudanez

Luftimet në kryeqytetin sudanez të Khartoumit kanë vazhduar edhe të enjten pasi dështuan përpjekjet e mëdha ndërkombëtare për armëpushim mes forcave rivale.

Forcat paramilitare të Sudanit kanë nisur luftën me ushtrinë e shtetit në përpjekje për ta marrë kontrollin e shtetit strategjik në Afrikë.

Më shumë se 300 persona janë vrarë në pesë ditët e fundit, por numri i të vdekurve mund të jetë edhe më i lartë për shkak se shumë trupa ende nuk janë tërhequr nga rrugët e kryeqytetit.

Të shtënat e armëve janë dëgjuar vazhdimisht në kryeqytetin sudanez. Dështimi i shpejtë i armëpushimit 24-orësh, përkundër presionit të madh të SHBA-së dhe fuqive rajonale tregoi se dy gjeneralët e Sudanit nuk e kanë ndërmend të ndalen derisa të vrasin njëri-tjetrin për ta marrë kontrollin e shtetit.

Gjithashtu ka shpërfaqur paaftësinë e komunitetit ndërkombëtar për të detyruar ndaljen e dhunës, me miliona njerëz që kanë mbetur mes dy zjarresh.