Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dy emigrantë humbin jetën në Greqi pas përplasjes së gomones për shkëmbinj

Dy emigrantë kanë humbur jetën në Greqi e tetë të tjerë janë shpëtuar, pasi gomonia me të cilin po lundronin u përplas për shkëmbinj në ishullin Lesbos, raporton agjencia “AP”.

Erërat e forta kanë shkaktuar përplasjen e gomones për shkëmbinj, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

Incidenti ndodhi në afërsi të resortit turistik Thermi që gjendet në lindje të Lesbosit dhe është përballë bregdetit të Turqisë.

Autoritetet thanë se kanë nisur kërkimin për të tjerët që besohet se ishin në gomone, por mbetet e paqartë se sa kanë arritur të shpëtojnë.

Erërat e forta kanë penguar trafikun ujor në shumë pjesë të Greqisë të mërkurën.

Ishulli Lesbos mbetet pikë transiti për migrimin ilegal drejt BE-së, përkundër patrullimeve të ashpra nga garda bregdetare greke dhe nga agjencia e BE-së për mbrojtje të kufijve, Frontex.