Një varrezë si kujtim i numrit të viktimave që mori pandemia në Indi dhe drita për t’ua kujtuar njerëzve brishtësinë e botës. Dy ekspozita - nga Pallavi Paul nga India dhe artistja e ndjerë amerikane Nancy Holt - janë hapur në muzeun “Gropius Bau” në Berlin.
Një varrezë, me çdo varr që ka një gur të ndriçuar.
Në sfond, tinguj të thellë.
Kjo është dhoma kryesore e ekspozitës “How love moves” e artistes indiane Pallavi Paul, e cila bazohet në përvojat e saj kur kishte jetuar në Nju-Delhi gjatë pandemisë COVID-19.
“Ishte, sigurisht, një katastrofë mjekësore, por ishte gjithashtu një katastrofë shpirtërore dhe një katastrofë psikologjike. Nuk mund t’u thuash lamtumirë njerëzve që do. Njerëzit shkuan në spitale dhe dolën në atë që është çantë trupi me zinxhir”.
Mbi gjysmë milioni njerëz vdiqën nga koronavirusi në Indi.
Teksa po bënte një film, Paul takohet me një punonjës në një varrezë që i kishte rrëfyer se kishin varrosur me mijëra njerëz për një javë.
Ajo u tërhoq nga historia e tij kur bëri ekspozitën.
Por nuk është domosdoshmërisht një vështrim dëshpërues në një nga kohët më të errëta të shekullit 21.
Është gjithashtu një kujtesë se si njerëzimi mund t’i kapërcejë problemet me ndihmën e dashurisë.
Në sallën kryesore të muzeut është hapur një tjetër ekspozitë.
Vepra e madhe e artistes së ndjerë amerikane Nancy Holt plotëson instalimet e Paulit.
E titulluar “Circles of light”, është një strukturë komplekse e llambave të lidhura.
Historiania e artit, Lisa le Feuvre, është një nga kuratoret.
“Ajo që me të vërtetë më pëlqen shumë në punën e saj është që ajo gjithmonë thotë: mendo, shiko, shiko sërish. Dhe ndoshta nëse e bëni këtë, bota mund të duket ndryshe, më e gjallë, emocionuese, mbase edhe më e vështirë se sa ishte më parë”.
Nancy Holt lindi në Massachusetts në vitin 1938 dhe vdiq në Nju-Jork në vitin 2014.
Puna e saj përfshinte natyrën, materialet dhe sigurisht dritën.
Në ekspozitën e “Gropius Bau-t” shfaqen disa instalacione me dritë, por edhe vepra të saj multimediale, që mbulojnë të gjithë katin përdhes të muzeut.
Është më e madhe se shumica e ekspozitave që do të kishte pasur kur ishte gjallë.
Ashtu si shumë artiste femra të asaj kohe, ajo u injorua kryesisht nga bota e artit, thotë Le Feuvre.
“Pra, Nancy Holt ishte një artiste që ishte kryesisht e padukshme në kohën e saj. Ajo ishte një artiste femër. Dhe e vërteta është se në vitet ‘60, ‘70, ‘80, ndoshta edhe në vitet ‘90 dhe 2000, artistet femra ishin të padukshme në krahasim me artistët meshkuj”.
Ekspozita e Pallavi Paul: “How love moves” dhe ekspozita e Nancy Holt: “Circles of light” janë hapur për publikun më 22 mars dhe do të zgjasin deri më 21 korrik 2024.