Dy deputetë në Venezuelë kanë shpallur veten si kryetarë të Asamblesë pas një dite të turbullt në politikën e këtij shteti. Opozitari i përkrahur nga SHBA-ja, Juan Guaido dhe rivali i tij, Luis Parra, të dielën, kanë pohuar se janë kryetar të Asamblesë Kombëtare.
Guaido që po synonte të rizgjidhej për këtë post, ka thënë se policia nuk e lejoi të hynte në parlament dhe opozita e zgjodhi atë kryetar në një seancë të mbajtur jashtë sallës plenare, transmeton KTV. Në janarin e vitit 2019, Guaido u vetshpall president i Venezuelës, një veprim që u përkrah nga 60 shtete, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë.
Pozita e tij si kryetar i Asamblesë së prirë nga opozita është e bazuar në qëndrimet e tij se është president legjitim i Venezuelës. Ndërkaq presidenti aktual Nicolas Maduro, deklaroi përkrahjen për Parran, ish-aleat të Guaidos, që u votua si kryetar i ri në seancën e mbajtur në sallën e Asamblesë. E televizioni shtetëror e paraqiti Parran si kryetar të Asamblesë.
Mënyra e votimit në Asamblenë e Venezuelës u kritikua ashpër nga SHBA-ja, BE-ja dhe disa shtete latine.