Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dorëhiqet sekretari amerikan i Ushtrisë, Dan Driscoll

Dan Driscoll

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Ushtrisë, Dan Driscoll, i ka paraqitur dorëheqjen presidentit Donald Trump, kanë thënë për CNN disa burime të njohura me çështjen.

Një burim ka thënë se vendimi nuk ishte befasues, duke pasur parasysh tensionet mes Driscoll dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Një burim i dytë, i njohur me çështjen, ka thënë se në dorëheqjen e tij, Driscoll “ngriti shqetësime me administratën lidhur me transformimin dhe gatishmërinë e ushtrisë, si dhe për pengimin e këtyre përpjekjeve nga Hegseth, konkretisht përmes shkarkimit të gjeneralëve që ishin përgjegjës për to”.

Një zyrtar i Ushtrisë ka thënë se Driscoll “ka folur me presidentin për gjendjen aktuale të ushtrisë dhe ka paraqitur dorëheqjen e tij”.

Largimi i Driscoll, një veteran i ushtrisë dhe mik i vjetër i zëvendëspresidentit JD Vance, është përfolur prej kohësh, dhe vjen pas muajsh përplasjesh me Hegseth. Largimi gjithashtu vjen gjashtë muaj pas fillimit të luftës me IRANIN, e cila nuk tregon asnjë shenjë përfundimi.

Nuk është e qartë se kur Driscoll do të largohet zyrtarisht nga detyra.

Me largimin e sekretarit, detyrën si sekretar në detyrë e merr nënsekretari i Ushtrisë.

Nënsekretari aktual është Mike Obadal, një kolonel në pension i Ushtrisë dhe ish-pilot i operacioneve speciale.

“Sekretari Driscoll ka qenë jashtëzakonisht efektiv në avancimin e agjendës së presidentit Trump për ta bërë përsëri Amerikën të fortë në Departamentin e Ushtrisë, duke ofruar një lidership të jashtëzakonshëm gjatë operacioneve historike ushtarake, duke rikthyer theksin te gatishmëria dhe fuqia goditëse, duke ndihmuar në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe shumë më tepër”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, në një deklaratë.

Në fillim të këtij viti, Hegseth ka shkakruar shefin e shtabit të Ushtrisë, gjeneralin Randy George, si dhe dy gjeneralë të tjerë. George dhe Driscoll kishin punuar ngushtë së bashku.

Ligjvënësit nga të dyja partitë e kanë vënë vazhdimisht në pikëpyetje Hegseth për shkarkimin dhe kanë shprehur admirimin e tyre për gjeneralin. 

Që pothuajse në fillim të mandatit të Hegseth, disa burime i kishin thënë CNN-it se sekretari ka qenë mosbesues ndaj zyrtarëve përreth tij, si civilë, ashtu edhe ushtarakë, dhe ka pasur dyshime për besnikërinë e tyre.