Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Doli për të blerë bukë, ukrainasi nga Kharkivi u gjet i vdekur në rrugë nga bija e tij

Qytetari ukrainas Victor Gubarev, doli për të blerë bukë, por u vra nga të shtënat e ushtrisë ruse pranë shtëpisë së tij në Kharkiv të hënën, Prill 2022

Qytetari ukrainas Victor Gubarev, doli për të blerë bukë, por u vra nga të shtënat e ushtrisë ruse pranë shtëpisë së tij në Kharkiv të hënën, disa minuta para se e bija e tij të arrinte në vendin e ngjarjes, ku pa një ekip mjekësor që po qëndronte pranë trupit të tij të ndjerë, raportoi të enjten Reuters.

Ekipi mjekësor u desh të kujdesej për Yana Bachekun derisa larguan trupin e babait të saj pas shpërthimeve që goditën kompleksin e apartamenteve ku ata jetojnë.

Yana që është mësuese e anglishtes, ka deklaruar se ka qenë duke dhënë mësim online në shtëpinë e saj kur filloi bombardimi. Por, shtoi se ishte nëna e saj që e telefonoi dhe e lajmëroi që babai ka shkuar për të blerë bukë dhe nuk është kthyer ende në shtëpi.

Ajo u nis shpejt në kërkim të babait të saj, ndërsa momenti kur e ka parë babanë të shtrirë përtokë, është kapur edhe nga fotografët.

“Buka ishte në gjak. Tani nuk mund ta mbaj me duar, por dua sepse është një pjesë e babait tim. Ishte gjëja e fundit që kishte në duar”, ka thënë ajo.

Gubarev është një prej tre civilëve të vrarë gjatë së hënës në Kharkiv nga bombardimet ruse.