Një djalë 7-vjeçar që ishte vlerësuar hero vitin e kaluar pasi rrezikoi jetën duke e mbrojtur motrën e vogël nga një sulm brutal i qenit, thotë se është krenar me shenjat në fytyrë dhe nuk e sheh veten të veçantë. Kështu ka treguar babai i djalit për revistën “People”.
Bridger Walkerit nga Cheyenne në SHBA, iu deshën 90 qepje për plagët e marra në fytyrë, pasi doli para motrës së tij të vogël për ta shpëtuar atë nga një qen i racës pastor gjerman.
Ai i është nënshtruar që nga atëherë disa operime, për të reduktuar shenjat në fytyrë.
Në atë kohë, ai për veprimin e tij tha: “Nëse dikush duhej të vdiste, atëherë unë”.
Babai i tij Robert, për revistën “People” ka thënë se Bridger është ende krenar një vit më vonë.
“Bashkëshortja ime e pyeti, ‘A dëshiron që shenja në fytyrë të largohet?’ Ai tha, ‘Nuk dua të largohet’”, tregon Robert. “Bridger i sheh shenjat e tij si një gjë për të qenë krenar, por nuk dëshiron edhe të shoh veten si përfaqësues të veprimit të tij të guximshëm. Ai thjeshtë thotë, ‘Unë jam vëlla dhe këtë e bëjnë vëllezërit’. Është një kujtim për të që motra e tij nuk u lëndua dhe ajo është në rregull. E shqetëson atë kur dikush e quan hero”.
Këshilli Botëror i Boksit (WBC) në emër të djalit 7-vjeçar ka emëruar një prej kategorive të boksit.