Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka nderuar sakrificën dhe kurajën e popullit të tij në Ditën e Pavarësisë.
Zelenskyy ka falënderuar kombin dhe ka thënë se çdo individ është i rëndësishëm në betejën për pavarësinë e Ukrainës.
“Sot ne shënojmë 32 vjetorin e pavarësisë sonë – pavarësisë së Ukrainës. Kjo është vlera për secilin prej nesh dhe është ajo për të cilën po luftojmë dhe të gjithë janë të rëndësishëm për këtë betejë. Të gjithë po luftojnë për një gjë: Ukrainën e pavarur. Në luftëra të mëdha, nuk ka vepra të vogla. Nuk ka të panevojshme. Kjo është e vërteta e popullit, veprave dhe fjalëve”, ka thënë Zelensky.
Ai gjithashtu ka përmendur prodhimin e armëve ukrainase dhe ka lavdëruar ata të cilët nuk mund t’i përmendë me emra nëpër lajme.
“Falënderojmë edhe ata që nuk mund t’i përmendim, emrat e të cilëve nuk mund të thuhen, por për të cilët do të shkruhen libra dhe do të realizohen filma në të ardhmen”, është shprehur presidenti ukrainas.
Edhe
Zelensky zotohet të vazhdojë të luftojë, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës
Ndërkaq ukrainasit në Kiev ditën e pavarësisë e kanë kaluar duke shikuar pajisjet e shkatërruara të Rusisë, që janë të vendosura nëpër rrugët e kryeqytetit.
41-vjeçari Oleksandr Kolomiiets ishte në mesin e atyre që shikonte pajisjet e shkatërruara ruse.
“Dëshira e popullit për të ndërtuar shtet të pavarur dhe më të fuqishëm po bëhet edhe më e qartë. Shpresojmë se do të kemi sukses. Ka momente kur nuk ndihemi mirë, por në momente si sot, kur shohim automjetet e shkatërruara, e shohim se mund të arrijmë fitoren”, ka thënë ky banor i Kievit.
Ndërkaq në Sheshin e Pavarësisë në Kiev është organizuar ceremonia për të përkujtuar të rënët gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Edhe
Trumpi uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë, lavdëron guximin e saj
Ceremonia është shënuar me portretet e ushtarëve të rënë dhe flamujt që simbolizonin ata që kanë humbur jetën në mbrojtje të Ukrainës.
Të mërkurën mbrëma ndërtesa e Parlamentit të BE-së në Bruksel u ndriçua me ngjyrat e flamurit të Ukrainës për të festuar Ditën e Pavarësisë.