Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është përplasur me gazetarin e “NBC News”, Peter Alexander, duke e quajtur “idiot”, “të turpshëm” dhe “njeri të tmerrshëm”, gjatë një konference në Zyrën Ovale ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.
Përplasja ndodhi pasi gazetari pyeti Trumpin për aeroplanin luksoz prej 400 milionë dollarësh, që Pentagoni ka pranuar nga Katari si zëvendësim i përkohshëm për flotën e vjetër të Air Force One.
“Pse po flet për këtë? Pse bën një pyetje të tillë? Duhet të largohesh”, shpërtheu Trump, teksa Alexander këmbëngulte në pyetjen e tij.
“Po flasim për faktin që Shtetet e Bashkuara po marrin një avion nga Katari. Dhe është gjë e madhe, një gjë pozitive”, vazhdoi presidenti me ton sfidues.
Pyetja e gazetarit erdhi menjëherë pasi Trumpi kishte shfaqur një video pesëminutëshe të mbushur me pamje dhe pretendime për krime ndaj fermerëve të bardhë në Afrikën e Jugut – një temë që presidenti ka përmendur më parë si shembull të “gjenocidit” ndaj të bardhëve.
Trump e akuzoi rrjetin NBC se po përpiqej ta shmangte debatin rreth kësaj çështjeje:
“Jemi duke folur për shumë gjëra të tjera. A po përpiqet NBC të zhvendosë vëmendjen nga ajo që sapo patë?”, pyeti ai me ironi.
Më tej, ai vazhdoi sulmin personal ndaj Alexander: “Nuk ke atë që duhet për të qenë gazetar. Nuk je mjaftueshëm i zgjuar”.
Trump shtoi edhe një goditje në drejtim të kompanisë mediatike.
“Shko mbrapa në studio te NBC. Ata që e drejtojnë atë rrjet, përfshirë Brian Robertsin (shefin e Comcast), duhet të hetohen. Ata e menaxhojnë në mënyrë të tmerrshme”, ka thënë ai.
Pavarësisht përpjekjeve të gazetarit për të shtuar një pyetje lidhur me pretendimet për “gjenocid” në Afrikën e Jugut, Trump e ndërpreu duke e quajtur “turp për profesionin”.
“Emri i tij është Peter. Është një gazetar i tmerrshëm”, ka shtuar Trump.
VIDEO: