Qeveria e re mund të marrë formën e një këshilli qeverisës, me liderin suprem taleban Haibatullah Akhundzada në krye të vendit, ka thënë një zyrtar i lartë i grupit. Por Afganistani nuk do të jetë demokraci, ka theksuar Waheedullah Hashimi për agjencinë e lajmeve Reuters. “Është sheriat dhe kështu do të jetë”
Së paku tre persona janë vrarë të mërkurën gjatë protestave antitalebane në qytetin afgan Jalalabad, ndërsa grupi islamik ka nisur punimet për konsolidimin e pushtetit dhe vendet perëndimore kanë intensifikuar evakuimet nga aeroporti kaotik i Kabulit.
Qeveria e re mund të marrë formën e një këshilli qeverisës, me liderin suprem taleban Haibatullah Akhundzada në krye të vendit, ka thënë një zyrtar i lartë i grupit. Por Afganistani nuk do të jetë demokraci, ka theksuar Waheedullah Hashimi për agjencinë e lajmeve Reuters. “Është sheriat dhe kështu do të jetë”.
Pas marrjes së pushtetit gjatë fundjavës, talebanët kanë premtuar qeverisje paqësore. Kanë thënë se nuk do t’u hakmerren armiqve të vjetër dhe se do t’i respektojnë të drejtat e grave përbrenda kornizave të ligjit islamik.
Sprova e parë
Por një protestë në Jalalabad, qytet 150 kilometra larg Kabulit, rezultoi të ishte sprova e hershme e këtij zotimi.
Edhe
Ish-presidenti Ghani tregon arsyen pse u largua nga Afganistani
Dy dëshmitarë dhe një ish-zyrtar policie kanë thënë për Reutersin se luftëtarët talebanë kanë hapur zjarr kur banorët lokalë tentuan që ta vendosin flamurin kombëtar afgan në sheshin e qytetit, duke i lënë të vdekur së paku tre dhe të lënduar me dhjetëra të tjerë.
Me mijëra afganë, shumë prej të cilëve i ndihmuan forcat e huaja gjatë dy dekadave të pushtimit që i dha fund qeverisjes talebane të viteve 1996-2001, janë në pritje të dëshpëruar për t’u larguar nga vendi.
Komandantët dhe ushtarët talebanë kanë shkrepur të shtëna në ajër për të shpërndarë turmat para aeroportit të Kabulit, ka thënë një zyrtar taleban.
“Nuk kemi për synim që ta lëndojmë ndokënd”, ka thënë ai për Reutersin.
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, i cili u largua nga vendi teksa talebanët e morën kontrollin, aktualisht ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka njoftuar shteti i Gjirit.
Rreth 5.000 diplomatë, pjesëtarë të stafit të sigurisë, punëtorë humanitarë dhe afganë janë evakuuar nga Kabuli gjatë 24 orëve të fundit ndërsa fluturimet ushtarake kanë vazhduar tërë kohës.
Veprime e jo fjalë
Talebanët kanë sugjeruar se do t’i zbatojnë ligjet e tyre në formën më të butë sesa gjatë qeverisjes së ashpër të mëhershme.
Duke aluduar në këtë pretendim, kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se talebanët do të gjykohen “sipas veprimeve e jo sipas fjalëve”.
Edhe
I dërguari amerikan dhe talebanët fajësojnë ish-presidentin afgan për prishjen e planit
Mirëpo shumë afganë janë skeptikë rreth premtimeve talebane. Disa kanë thënë se mund vetëm të presin dhe të shohin.
“Familja ime ka jetuar nën talebanët dhe ata mbase në të vërtetë duan që të ndryshojnë apo kanë ndryshuar, por vetëm koha mund të tregojë nëse përnjëmend është kështu dhe kjo do të bëhet e qartë shumë shpejt”, ka thënë për Reutersin Ferishta Karimi, e cila e udhëheq një dyqan rrobaqepësie për gratë.
Talebanët kanë marrë Kabulin të dielën teksa forcat perëndimore janë tërhequr nën një marrëveshje që e përfshin premtimin e militantëve për të mos i sulmuar gjatë largimit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, është përballur me shtim të kritikave rreth tërheqjes, përfshirë nga ligjvënësit britanikë, të cilët të mërkurën e quajtën rënien e Afganistanit në duart e talebanëve si një dështim të inteligjencës, udhëheqjes dhe obligimit moral.
Biden ka thënë se i është dashur që të vendoste midis vazhdimit të luftimeve të pafundme të ushtarëve amerikanë apo ndjekjes së ujdisë së tërheqjes të dakorduar nga pararendësi i tij, Donald Trump.
Në frikë nga rikthimi i talebanëve në pushtet, afganët kanë bërë përpjekje të dëshpëruara dhe kaotike për evakuim me anë të aeroplanëve ushtarakë të vendeve perëndimore.
Ambasadori britanik në Afganistan ka thënë se ekipi i tij ka evakuuar rreth 700 persona përderisa ministria e Jashtme gjermane ka njoftuar për evakuimin e 500 personave në total.
Franca ka bërë të ditur se ka larguar nga vendi 25 shtetas të saj dhe 184 afganë, përderisa Australia ka specifikuar se 26 persona kanë mbërritur në vend me aeroplanin e parë të kthyer nga Kabuli. Ndërkaq Danimarka ka evakuuar 84 persona me një aeroplan ushtarak.
Edhe
Nën kritika për kaosin, Perëndimi përshpejton eksodin nga Afganistani
“Të gjithë duan që të largohen”, ka thënë një burrë afgan, i cili ka folur për media pas mbërritjes në Frankfurt të mërkurën bashkë me bashkëshorten dhe të birin e tij. “Ne e shpëtuam veten, porse nuk kemi mundur t’i shpëtonim familjet tona”.
Përgatiti: Nita Lleshi