Njoftimet e talebanëve, të mangëta në hollësi, por që sugjerojnë për një linjë më të butë sesa gjatë sundimit të para 20 vjetëve, janë shpalosur në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre perëndimorë kanë vazhduar evakuimin e diplomatëve dhe civilëve një ditë pas skenave kaotike në aeroportin e Kabulit të vërshuar nga qytetarët e dëshpëruar që synonin ikjen
Talebanët kanë thënë të martën se duan marrëdhënie paqësore me vendet e tjera dhe se do të respektojnë të drejtat e grave përbrenda kornizave të ligjit islamik, teksa kanë mbajtur të parën konferencë zyrtare për media që nga zaptimi shokues i Kabulit.
Njoftimet e talebanëve, të mangëta në hollësi, por që sugjerojnë për një linjë më të butë sesa gjatë sundimit të para 20 vjetëve, janë shpalosur në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre perëndimorë kanë vazhduar evakuimin e diplomatëve dhe civilëve një ditë pas skenave kaotike në aeroportin e Kabulit të vërshuar nga qytetarët e dëshpëruar që synonin ikjen.

Realiteti ndryshe
Midis ngutinë për evakuim, fuqitë perëndimore kanë vlerësuar se si t’i përgjigjen situatës së ndryshuar në terren pasi forcat afgane janë mundur brenda vetëm pak ditësh. Ndërkaq kjo për shumëkënd është vlerësuar si tregues i përkeqësimit të shpejtë të gjendjes me të drejtat e grave.
Gjatë qeverisjes së tyre të viteve 1996-2001, gjithashtu me anë të ligjit islamik apo sheriatit, talebanët ua ndaluan grave punësimin dhe zbatuan ndëshkime kundër tyre, përfshirë gjuajtjen publike me gurë. Vajzave nuk u lejohej arsimimi, ndërsa gratë duhej që të bartnin jashtë shtëpive ferexhe që ua mbulonin të gjithë trupin.
“Nuk duam armiq të brendshëm apo të jashtëm”, ka thënë të martën zëdhënësi i lëvizjes, Zabihullah Mujahid. “Grave do t’u lejohet që të punojnë dhe studiojnë, si dhe do të jenë shumë aktive në shoqëri, por përbrenda kornizave të islamit”, ka shtuar ai.
“Duhet që të shohim se çfarë në fakt do të ndodhë dhe mendoj se do të na duhet që të shohim veprime në terren për sa i përket mbajtjes së premtimeve”, ka thënë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, duke folur para gazetarëve në New York, në përgjigje ndaj konferencës së talebanëve.
Mujahid ka thënë se talebanët nuk duan që t’u hakmerren ish-ushtarëve dhe pjesëtarëve të Qeverisë së mbështetur nga Perëndimi, duke shtuar se lëvizja u garanton amnisti ish-ushtarëve të qeverisë afgane, si dhe kontraktorëve dhe përkthyesve që kanë punuar për forcat ndërkombëtare.
“Askush nuk do t’ju bëjë keq, askush nuk do të trokasë në dyert tuaja”, ka thënë ai, duke shtuar se ekziston një “dallim enorm” midis talebanëve tani dhe talebanëve para 20 vjetësh.
Ai ka thënë se mediat private mund të vazhdojnë të jenë të lira dhe të pavarura në Afganistan dhe se talebanët janë të përkushtuar karshi mediave përbrenda kornizës së tyre kulturore. Zëdhënësi i talebanëve ka specifikuar gjithashtu se familjet që përpiqen të ikin nga vendi nga aeroporti duhet të kthehen në shtëpi dhe është zotuar se atyre asgjë nuk do t’ju ndodhë.
Mirëpo toni pajtues i Mujahidit ka rënë theksueshëm ndesh me komentet e nënpresidentit të parë afgan, Amrullah Saleh, i cili e shpalli veten “ushtrues legjitim të detyrës së presidentit” dhe u zotua se nuk do t’u përkulet sunduesve të rinj të Kabulit.
Me gjithë komentet e tija, nuk është bërë e qartë se sa mbështetje gëzon Saleh në vendin e dërrmuar nga dekada të tëra luftimesh.
Kritika SHBA-së
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se talebanët duhet ta lejojnë largimin e të gjithë atyre që duan të ikin nga vendi, duke shtuar se Aleanca Veriatlantike synon që të ndihmojë në ndërtimin e një shteti të zbatueshëm në Afganistan. Nga Aleanca kanë bërë gjithashtu të ditur se talebanët nuk duhet të lejojnë që Afganistani të shndërrohet sërish në tokë të pëlleshme për terroristët, duke paralajmëruar se edhe pas tërheqjes NATO-ja ka fuqinë ushtarake që të sulmojnë cilindo grup terrorist nga distanca.
Nën marrëveshjen e tërheqjes së trupave amerikane të arritur vitin e shkuar, talebanët janë pajtuar që të mos i sulmojnë forcat e huaja gjatë largimit. Vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për të arritur ujdi me grupin ka nxitur kritika të ashpra në vend dhe mes aleatëve të SHBA-së.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se “pamjet e dëshpërimit në aeroportin e Kabulit janë turp politik për Perëndimin”, duke iu referuar skenave kaotike të së hënës, kur me mijëra afganë të dëshpëruar për të ikur nga vendi e vërshuan pistën e aeroportit të kryeqytetit.
Vazhdimi i evakuimeve
Forcat amerikane e morën nën kontroll aeroportin – të vetmin shteg për ikje nga Afganistani – gjatë së shtunës, teksa militantët po e thellonin avancimin e shpejtë njëjavor për zaptimin e Kabulit pa rezistencë.
Fluturimet ushtarake amerikane për evakuimin e diplomatëve dhe civilëve nga Afganistani kanë rinisur të martën, një ditë pas pezullimit shkaku i kaosit. Trupat amerikane kishin shkrepur të shtëna paralajmëruese për shpërndarjen e turmës ndërsa qytetarët po ngjiteshin në pjesën e jashtme të një aeroplani transportues ushtarak të SHBA-së gjatë përpjekjes së saj për ngritje në ajër.
Franca ka realizuar me dhjetëra fluturime gjatë së martës, ndonëse ministrja e Mbrojtjes, Florence Parly, ka thënë se barrikadat rrugore të vendosura nga talebanët në aeroport po e vështirësojnë theksueshëm qasjen në të.
Gjatë 24 orëve të fundit, Franca ka njoftuar për evakuimin e 41 personave. Përderisa ministri i Jashtëm, Heiko Maas, ka thënë se Gjermania ka evakuuar 125 persona dhe se edhe 180 të tjerë janë në pritje të aeroplanit të ardhshëm të ushtrisë për largim nga vendi. Britania e Madhe synon që të evakuojë të paktën 4 mijë shtetas britanikë dhe aleatët e tyre afganë, të cilët i kanë ndihmuar trupat gjatë 20 vjetëve të angazhimit në Afganistan.
Zaptimi paparashikueshëm i shpejtë i Afganistanit nga militantët talebanë ka ndodhur pasi që presidenti amerikan e paralajmëroi tërheqjen e trupave nga vendi. Bideni ka thënë gjatë së hënës se duhej të vendoste midis shtrëngimit të forcave amerikane për të luftuar pafundësisht apo ndjekjes së marrëveshjes së tërheqjes, të negociuar nga pararendësi i tij, republikani Donald Trump.
“Qëndroj fort prapa vendimit tim”, ka thënë Biden. “Pas 20 vjetësh kemi mësuar në mënyrën më të vështirë të mundshme se kurrë nuk do të vijë koha e duhur për tërheqjen e forcave amerikane”.
Ai me këtë rast ka fajësuar liderët e ikur politikë afganë për rënien e shpejtë të Afganistanit në duart e talebanëve, si dhe ushtrinë e pavullnetshme për të luftuar.