Dhjetëra dokumente të klasifikuara të SHBA-së që kanë rrjedhur nga Pentagoni po qarkullojnë tashmë në internet, raporton BBC.
Imazhe të dokumenteve të klasifikuara janë paraqitur në aplikacionin Discord që nga shkurti.
Të kompletuara me afate kohore dhe me dhjetëra akronime ushtarake, dokumentet, disa të shënjuara si “top sekret”, paraqesin një pamje të detajuar të luftës në Ukrainë e po ashtu ofrojnë informacione mbi Kinën dhe aleatët.
Zyrtarët e Pentagonit citohen të kenë thënë se dokumentet janë të vërteta.
BBC-ja dhe disa agjenci tjera të lajmeve kanë shikuar disa nga dokumentet dhe këto janë disa prej gjetjeve kryesore.
Edhe
Dokumentet e Pentagonit zbulojnë mosmarrëveshjet në Rusi për numrin e të vdekurve në luftë
Forcat speciale perëndimore që veprojnë brenda Ukrainës
Një dokument, i datës 23 mars, i referohet pranisë së një numri të vogël të forcave speciale perëndimore që veprojnë brenda Ukrainës, pa specifikuar aktivitetin e tyre.
Britania e Madhe ka kontingjentin më të madh (50 pjesëtarë), pasuar nga Letonia (17), Franca (15), SHBA-ja (14) dhe Holanda (1).
Qeveritë perëndimore zakonisht përmbahen nga komentimi për çështje të ndjeshme, por ky detaj ka të ngjarë të kapet nga Moska, e cila në muajt e fundit ka insistuar se nuk po përballet vetëm me Ukrainën, por edhe me NATO-n.
Dokumentet tjera thonë se ka dhjetëra brigada të reja ukrainase, që po përgatiten për një ofensivë që mund të fillojë brenda javësh. Ato rendisin në detaje, tanket, mjetet e blinduara dhe artileritë që ofrohen nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.
Një hartë përfshin një afat kohor që vlerëson edhe kushtet në terren në gjithë lindjen e Ukrainës ndërsa po përparon pranvera.
Sipas, gazetës “Washington Post”, një dokument i fillimit të shkurtit shpreh dyshime për shanset e suksesit të Ukrainës në kundërofensivën e saj të ardhshme.
Po ashtu analizohen edhe vështirësitë e Ukrainës për të mbajtur mbrojtjen ajrore në nivelin e duhur, ku ka edhe paralajmërime se nga fundi i shkurtit Kievi mund të mbetet pa raketa aq të rëndësishme.
Listohen edhe shifrat e viktimave. Një dokument i rrjedhur flet për rreth 223 mijë ushtarë rusë të vrarë apo plagosur, dhe deri në 131 mijë ukrainas.
Disa zyrtarë ukrainas kanë hedhur poshtë rrjedhjet, duke sugjeruar se ato janë thjeshtë një fushatë dezinformuese e Rusisë. Por, ka edhe shenja zemërimi e zhgënjimi.
“Ne kemi nevojë për më pak soditje për ‘rrjedhjet’ dhe më shumë armë me rreze të gjata veprimi, në mënyrë që të përfundojmë siç duhet luftën”, ka shkruar në Twitter, Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Egjipti në mënyrë sekrete kishte planifikuar ta furnizonte Rusinë me raketa
“Washington Post” ka siguruar qasje në një dokument tjetër të mesit të shkurtit, në të cilën tregohet se Egjipti kishte planifikuar të prodhonte, në mënyrë sekrete, 40 mijë raketa për Rusinë.
Në këtë dokument thuhet se presidenti i Egjiptit, Abdul Fatah al-Sisi, u tha zyrtarëve që ta mbanin sekret prodhimin dhe dërgesën “për t’i shmangur problemet me Perëndimin”.
Një zyrtar citohet se ka thënë se “do të urdhërojë njerëzit e tij të punojnë me turne nëse është e nevojshme, pasi kjo është gjëja më e vogël që Egjipti mund të bënte për t’ia paguar Rusisë ndihmën e mëparshme”. Është e paqartë se çfarë i referohet ndihma e mëparshme.
Edhe
Dokumentet top-sekrete ndryshojnë rrjedhën e luftës
Në janar, Reuters ka raportuar se është rritur importi në Rusi i grurit egjiptian në vitin 2022, duke ofruar një shpjegim të mundshëm.
Nuk ka ndonjë informatë nëse Egjipti ka vazhduar me shitjen e raketave në Rusi. Nuk dihet nëse ishte rezultat i një paralajmërimi i drejtpërdrejtë nga Washingtoni. Por, Egjipti është një nga përfituesit më të mëdhenj i ndihmës amerikane për sigurinë, me vlerë rreth 1 miliard dollarë në vit, gjë që i jep administratës amerikane një levë të konsiderueshme.
Një zyrtar egjiptian, që ka folur në kushte anonimiteti për mediumet egjiptiane, ka përshkruar pretendimet në dokumente si “të pabaza” dhe tha se Kajro nuk ka mbajtur anë në luftën në Ukrainë.
Kremlini ndërkohë i kishte përshkruar këto pretendime si “vetëm një tjetër gënjeshtër”.
Shqetësimet e Koresë së Jugut për dërgimin e armëve në Ukrainë
Një dokument i klasifikuar, të cilin e ka parë BBC-ja, tregon se Koreja e Jugut ishte e shqetësuar për shitjen e armëve për përdorim në Ukrainë.
Raporti i inteligjencës, tregon një bisedë të ndjeshme mes këshilltarëve të lartë të Koresë së Jugut.
Ata janë të ndarë mes presionit të SHBA-së për të dërguar armatim në Ukrainë dhe politikës së shtetit të tyre për të mos armatosur shtetet që janë në luftë.
Një nga këshilltarët sugjeron që të dërgohen predhat në Poloni, për të evituar që ato t’i dërgohen SHBA-së.
Sipas një marrëveshje për furnizim vitin e kaluar, Seuli këmbënguli që SHBA-ja nuk mund t’i dërgonte predhat në Ukrainë. Seuli ka hezituar të armatosë Ukrainën, nga frika për acarim të marrëdhënieve me Rusinë.
Rrjedhja ka shkaktuar shqetësime të sigurisë në Seul, ku politikanët e opozitës kanë pyetur se si ishte SHBA-ja në gjendje të përgjonte një bisedë të tillë të nivelit të lartë.
Kina kreu në shkurt teste eksperimentale të armëve hipersonike
“Washington Post” ka siguruar po ashtu një dokument ku tregon se Pekini kishte testuar një nga raketat e veta eksperimentale, më 25 shkurt.
Raketa fluturoi mbi 12 minuta në një distancë prej 2100 kilometrave, siç thuhet në dokumentin.
Edhe
Pentagoni i shqetësuar me rrjedhjen e dokumenteve, po e heton rastin
“Washington Post” ka raportuar se raketa eksperimentale ka “probabilitet të lartë” për të depërtuar në sistemet raketore balistike mbrojtëse të SHBA-së.
Analiza përfshin edhe detaje për një luftëanije të re kineze dhe lëshimin e një rakete në mars.