Ukrainës i është dashur të ndryshonte disa nga planet e saj ushtarake për shkak të rrjedhjes së dokumenteve shumë të klasifikuara të Pentagonit. Këto dokumente, shumë prej tyre “top-sekrete” paraqesin një pamje të detajuar të luftës në Ukrainë. Kjo është rrjedhja më e madhe e informacionit sekret amerikan që nga pushtimi i plotë i Rusisë 14 muaj më parë
Çfarë do të ndodhë me dhjetëra dokumente të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së - harta, grafika dhe fotografi - që qarkullojnë tani në internet?
Të kompletuara me afate kohore dhe dhjetëra akronime ushtarake, dokumentet, disa prej tyre të kategorizuara "top-sekrete", paraqesin një pamje të detajuar të luftës në Ukrainë.
Ato tregojnë për viktimat e pësuara nga të dyja palët, për dobësitë ushtarake të secilës dhe, më e rëndësishmja, cilat mund të jenë pikat e forta të tyre relative kur Ukraina të vendosë të nisë ofensivën e saj të shumëpritur pranverore.
Sa të vërteta janë këto faqe të printuara, të shpalosura dhe të fotografuara, ndoshta në tryezën e dhomës së ngrënies së dikujt? Dhe çfarë na thonë ato apo Kremlini që ne nuk e dinim tashmë?
Fillimisht kjo është rrjedhja më e madhe e informacionit sekret amerikan mbi luftën në Ukrainë që nga pushtimi i plotë i Rusisë 14 muaj më parë. Disa nga dokumentet janë të vjetra deri në gjashtë javë, por implikimet janë të mëdha.
Zyrtarët e Pentagonit citohen të kenë thënë se dokumentet janë reale.
Informacioni për të paktën njërin prej tyre duket se është ndryshuar në mënyrë të vrazhdë në një version të mëvonshëm, por nga një grumbull prej rreth 100 dokumentesh ky duket një detaj relativisht i vogël.
BBC News ka shqyrtuar më shumë se 20 dokumente. Ato përfshijnë përshkrime të hollësishme të trajnimit dhe pajisjeve që po i ofrohen Ukrainës, derisa ajo po bashkon dhjetëra brigada të reja për një ofensivë që mund të fillojë brenda javësh.
Dokumenti tregon se kur brigadat do të jenë gati dhe liston të gjitha tanket, mjetet e blinduara dhe artileritë që po sigurohen nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.
Por thekson se "koha e dorëzimit të pajisjeve do të ndikojë në trajnimin dhe gatishmërinë".
Dokumentet e zbuluara jo vetëm që thonë shumë për gjendjen e ushtrisë së Ukrainës - ato flasin edhe për disa nga aleatët e tjerë të Uashingtonit. Nga Izraeli në Korenë e Jugut, dokumentet zbulojnë debate të brendshme që ato vende kanë për Ukrainën dhe çështje të tjera të ndjeshme.
Shumë detaje janë të njohura. Por, ka shumë më tepër.
Është pak befasi kur mësohet se SHBA-ja vlerëson se rreth 189.500 deri 223.000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur.
Shifra ekuivalente për humbjet e Ukrainës - midis 124.500 dhe 131.000 - është gjithashtu në përputhje me shifrat e dhëna për gazetarët javët e fundit.
Me sa duket, ky është vendi i vetëm ku janë bërë përpjekje për të ndryshuar dokumentet për ta bërë të duket sikur Ukraina po pëson humbjet më të mëdha.
Ukraina ka ruajtur me zell "sigurinë e saj operacionale" dhe nuk mund të jetë e lumtur që një material kaq i ndjeshëm është shfaqur në një moment kaq kritik.
Ofensiva pranverore e Ukrainës mund të përfaqësojë një moment të ri për qeverinë Zelenskyy për të ndryshuar dinamikën në fushën e betejës dhe për të vendosur kushte për bisedimet e paqes më vonë.
Përktheu: Forca Jashari