Një dokument i Pentagonit që ka rrjedhur, të cilin e ka parë BBC-ja, tregon për një bisedë të ndjeshme mes zyrtarëve të lartë jug-koreanë lidhur me atë nëse duhet të shesin armë që do të përdoreshin në Ukrainë.
Dokumenti ka shënjestruar dy këshilltarë të lartë të presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol.
Ata duken se janë të ndarë mes presionit të SHBA-së për të dërguar armë në Ukrainë dhe politikës jug-koreane që të mos armatosen shtetet në luftë.
Një nga këshilltarët ka sugjeruar që të dërgohen predhat në Poloni, që të mos duket se ia ka dhënë SHBA-së ato.
Washingtoni është duke gjurmuar burimin prapa dokumenteve të rrjedhura. Pentagoni e ka quajtur këtë rrjedhje si rrezik serioz për sigurinë kombëtare.
Vitin e kaluar, Koreja e Jugut u pajtua t’i shesë SHBA-së predha të artilerisë, por insistoi se SHBA-ja duhet të mbajë predhat për vete e mos t’i dërgojë në Kiev.
Në bisedën më 1 mars, sekretari për çështje të jashtme i presidentit jug-korean, Yi Mun-hui, i kishte thënë këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Kim Sung-hanit, se Qeveria është “e zhytur në shqetësimin se SHBA-ja nuk do të jetë destinacioni i fundit” i predhave.
Po ashtu u shpreh shqetësimi se presidenti i SHBA-së, Joe Biden do ta telefononte direkt presidentin jug-korean Yoon për këtë çështje, dhe nëse Koreja e Jugut ndryshon politikën për dërgimin e armëve në Ukrainë, atëherë do të dukej sikur i është bërë presion nga SHBA-ja.
Sipas dokumentit, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Kim, kishte sugjeruar që t’i shiten predhat Polonisë, duke marrë parasysh “se dërgimi i armatimit në Ukrainë sa më shpejt, është qëllimi kryesor i SHBA-së”.
Koreja e Jugut thotë se është duke hetuar këtë rrjedhje, por ka insistuar se është e pamundur të përgjohen bisedat private brenda zyrës së presidentit, dhe se ky diskutim nuk ka mundur të mbahet në një bunker nëntokësor privat.
SHBA-ja nuk e ka fshehur faktin se dëshiron që Seuli ta armatosë Ukrainën. Beson se Koreja e Jugut, me aftësinë për të prodhuar armë të avancuara dhe atë me ritëm të shpejtë, do të jepte një kontribut të madh në rezultatin e luftës.
Por, Seuli ka qenë hezitues në armatimin e Ukrainës, duke cituar vazhdimisht politikën e saj që të mos armatosë vendet që janë në luftë.
Në dokumentin e rrjedhur bëhet me dije se Koreja e Jugut jo vetëm që e kuptonte se predhat do të përfundonin në Ukrainë, por ishte e hapur që të ndodhte kjo. Kjo mund të prishë marrëdhëniet mes Koresë së Jugut dhe Moskës.