Botë

Dëshmi se si palestinezët në Gazë po qëllohen derisa presin për ndihma

Gaza

Dëshmitë nga kontraktorët, të kombinuara me videot, raportet e brendshme dhe mesazhet me tekst të marra nga AP-ja, ofrojnë një pamje të rrallë brenda Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), organizatës së sapokrijuar dhe sekrete amerikane të mbështetur nga Izraeli, për të ushqyer popullsinë e Rripit të Gazës

Kontraktorët amerikanë që ruajnë vendet e shpërndarjes së ndihmave në Gazë po përdorin municione luftarake dhe granata zhurmuese, ndërsa palestinezët e uritur kërkojnë ushqim, sipas rrëfimeve dhe videove të siguruara nga The Associated Press.

Dy kontraktorë amerikanë, duke folur për AP-në në kushte anonimiteti, pasi po zbulonin operacionet e brendshme të punëdhënësve të tyre, thanë se po flisnin nga shqetësimi që kishin nga ato që i konsideronin praktika të rrezikshme dhe të papërgjegjshme. Ata thanë se stafi i sigurisë i punësuar, shpesh ishte i pakualifikuar, i paverifikuar, i armatosur rëndë dhe dukej se kishte “leje” për të bërë çfarë të dëshironte.

Ata thanë se kolegët e tyre hidhnin rregullisht granata zhurmuese dhe sprej djegës në drejtim të palestinezëve. Një kontraktor tha se sulmet kryeheshin në të gjitha drejtimet - në ajër, në tokë dhe ndonjëherë drejt palestinezëve, duke kujtuar të paktën një rast ku ai ishte i sigurt se dikush ishte goditur.

“Ka njerëz të pafajshëm që lëndohen. Keq. Pa nevojë”, tha kontraktori.

Ai tha se stafi amerikan në vende monitoron ata që vijnë për të kërkuar ushqim dhe dokumenton këdo që konsiderohet “i dyshimtë”. Ai tha se ata e ndajnë informacionin me ushtrinë izraelite.

Videot e siguruara nga njëri prej kontraktorëve dhe të xhiruara në vendet e ngjarjes tregojnë qindra palestinezë të grumbulluar, duke u shtyrë për ndihmë mes zhurmës së plumbave, granatave zhurmuese dhe sprejit djegës. Video të tjera përfshijnë biseda midis burrave që flasin anglisht duke diskutuar se si të shpërndajnë turmat dhe duke inkurajuar njëri-tjetrin pas shpërthimeve të armëve.

Dëshmitë nga kontraktorët, të kombinuara me videot, raportet e brendshme dhe mesazhet me tekst, ofrojnë një pamje të rrallë brenda Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), organizatës së sapokrijuar dhe sekrete amerikane të mbështetur nga Izraeli, për të ushqyer popullsinë e Rripit të Gazës. Muajin e kaluar, qeveria amerikane premtoi 30 milionë dollarë që grupi të vazhdojë operacionet - donacioni i parë i njohur i SHBA-së për grupin, burimet e tjera të financimit të të cilit nuk dihen.

Një zëdhënës i “Safe Reach Solutions”, kompania logjistike e nënkontraktuar nga GHF, tha se deri tani s’ka pasur lëndime serioze në asnjë nga vendet e tyre. Sipas tij ka pasur raste të rralla ku profesionistët e sigurisë qëlluan me plumba në tokë dhe larg civilëve për të tërhequr vëmendjen e tyre.

“Kjo ndodhi në ditët e para në kulmin e dëshpërimit ku masat e kontrollit të turmës ishin të nevojshme për sigurinë e civilëve”, tha zëdhënësi.

Operacioni i ndihmës është i diskutueshëm

Më shumë se 2 milionë palestinezë të Gazës po jetojnë në një krizë katastrofike humanitare. Që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke nisur luftën 21-mujore, Izraeli ka bombarduar dhe rrethuar Rripin e Gazës, duke lënë shumë njerëz në prag të urisë, sipas ekspertëve të sigurisë ushqimore.

Për 2 muaj e gjysmë para hapjes së GHF-së në maj, Izraeli bllokoi të gjitha ushqimet, ujin dhe ilaçet që të hynin në Gaza, duke pretenduar se Hamasi po vidhte ndihmën që transportohej sipas një sistemi paraprak të koordinuar nga Kombet e Bashkuara. Tani GHF-ja po synon që ta zëvendësojë atë sistem të OKB-së. OKB-ja thotë se operacionet e saj të ndihmës në Gaza nuk përfshijnë roje të armatosura.

Mbi 57,000 palestinezë në Gaza janë vrarë që kur shpërtheu lufta, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nuk bën dallim midis civilëve dhe militantëve.

GHF-ja është një organizatë amerikane, e regjistruar në Delaware dhe e themeluar në shkurt, për të shpërndarë ndihmë humanitare në Gaza. Që kur vendet e GHF-së filluan të vepronin më shumë se një muaj më parë, palestinezët thonë se trupat izraelite hapin zjarr pothuajse çdo ditë drejt turmave që shkojnë drejt pikave të shpërndarjes, përmes zonave ushtarake izraelite. Qindra njerëz janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës dhe dëshmitarëve.

Në përgjigje, ushtria izraelite thotë se të shtëna janë vetëm paralajmëruese dhe se po heton raportet për dëmtime të civilëve. Ajo mohon se ka qëlluar qëllimisht ndaj ndonjë civili të pafajshëm dhe thotë se po shqyrton se si të zvogëlojë “fërkimet me popullsinë” në zonat përreth qendrave të shpërndarjes.

Palestinezët thonë se po vihen mes sulmeve izraelite dhe amerikane, tha kontraktori që ndau videot me AP-në.

“Ne kemi ardhur këtu për të marrë ushqim për familjet tona”, kujtoi ai që i kanë thënë palestinezët. “Pse ushtria (izraelite) qëllon mbi ne? Pse na qëlloni ju?”

Një zëdhënës i GHF-së tha se ka njerëz me “interes të fshehtë” që duan ta shohin atë të dështojë dhe janë të gatshëm të bëjnë ose të thonë pothuajse çdo gjë për ta bërë këtë të ndodhë.

Zëdhënësi tha se ekipi përbëhet nga profesionistë të sprovuar humanitarë, logjistikë dhe të sigurisë. Grupi thotë se ka shpërndarë ekuivalentin e më shumë se 50 milionë vakteve në Gaza.

GHF-ja thotë se ka treguar vazhdimisht dhembshuri për popullin e Gazës.

Gjatë gjithë luftës, shpërndarja e ndihmave është karakterizuar nga kaosi. Bandat kanë plaçkitur kamionë me ndihma që udhëtonin drejt qendrave të shpërndarjes dhe turma njerëzish të dëshpëruar kanë shkarkuar gjithashtu kamionë, ende pa arritur në destinacionin e tyre. Në fillim të këtij muaji, të paktën 51 palestinezë u vranë dhe më shumë se 200 u plagosën ndërsa prisnin që kamionët e OKB-së dhe ata tregtarë të hynin në territor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës dhe një spitali lokal. Ushtria izraelite pranoi raportet për disa viktima pasi ushtarët kishin sulmuar mbi turmën që po afrohej dhe thanë se autoritetet do t’i hetonin rastet.

Dokumentimi i kaosit

AP foli me dy kontraktorë për UG Solutions, një kompani amerikane e nënkontraktuar për të punësuar personel sigurie për vendet e shpërndarjes. Ata thanë se plumba, granata tymuese dhe sprej djegës u përdorën në pothuajse çdo shpërndarje, edhe nëse nuk kishte kërcënim.

Videot që i ka parë nga AP-ja, tregojnë skenat kaotike që përshkruajnë kontraktorët. Pamjet filmike u xhiruan brenda dy javëve të para të shpërndarjes së tyre.

Në një video, ata që duket se janë kontraktorë sigurie amerikanë të armatosur rëndë, diskutojnë se si t’i shpërndajnë palestinezët. Njëri thotë se ka organizuar një “shfaqje force” nga tanket izraelite.

“Nuk dua që kjo të jetë shumë agresive, sepse situata po qetësohet”.

Në atë moment, shpërthejnë breshëri armësh afër, të paktën 15 të shtëna. “Uau! Uau!” bërtet një kontraktor.

“Mendoj se qëllove një”, thotë njëri.

Pastaj vjen një britmë: “Ta hajë dreqi, po!”.

Pamja e kamerës errësohet nga një grumbull i madh dheu.

Kontraktori që bëri videon i tha AP-së se pa kontraktorë të tjerë duke qëlluar në drejtim të palestinezëve që sapo kishin marrë ushqimin dhe po largoheshin. “Burrat qëlluan nga një kullë sipër vendit”, tha ai. “Të shtënat filluan sepse kontraktorët donin të shpërndanin turmën, por nuk ishte e qartë pse vazhduan të qëllonin ndërsa njerëzit po largoheshin”, shtoi ai.

Kamera nuk tregon se kush po qëllonte ose se çfarë po qëllohej. Por kontraktori që e filmoi tha se pa një kontraktor të qëllonte drejt palestinezëve dhe më pas pa një burrë rreth 60 metra larg, në të njëjtin drejtim prej nga u gjuajt me armë, duke rënë përtokë.

Gjatë një shpërndarjeje të vetme në qershor, kontraktorët përdorën 37 granata zhurmuese, 27 predha gome dhe 60 kanaçe me sprej djegës, sipas komunikimeve të brendshme me tekst të cilat i ka parë AP-ja.

“Ky numërim nuk përfshin municionet e vërteta”, tha kontraktori që siguroi videot.

Një foto e ndarë nga kontraktori tregon një grua të shtrirë në një karrocë gomari pasi ishte goditur në kokë me një pjesë të një granate zhurmuese.

Një raport i brendshëm nga “Safe Reach Solutions”, e nënkontraktuar nga GHF-ja për të drejtuar vendet, zbulon se kërkuesit e ndihmës u lënduan gjatë 31% të shpërndarjeve që u kryen në një periudhë dyjavore në qershor.

Më shumë video tregojnë skena të palestinezëve që vrapojnë për të mbledhur kutitë e ushqimit të mbetura në një vend. Qindra të rinj mblidhen pranë barrierave të ulëta metalike, duke transferuar ushqim nga kutitë në çanta, ndërsa kontraktorët në anën tjetër të barrierave u thonë të qëndrojnë larg.

SRS-ja pranoi se po merret me popullata të mëdha dhe të uritura, por tha se mjedisi është i sigurt, i kontrolluar, dhe siguron që njerëzit të mund të marrin ndihmën që u nevojitet në mënyrë të sigurt.

Verifikimi i videove me audioanaliza

Për të konfirmuar që pamjet janë nga vendet, AP-ja ka identifikuar vendndodhjen gjeografike të pajisjeve duke përdorur imazhe ajrore. AP-ja gjithashtu i analizoi videot nga dy ekspertë të forenzikës së audios, të cilët thanë se mund të identifikonin municione të vërteta, përfshirë të shtëna me mitraloz, që vinin nga vendet, në shumicën e rasteve brenda 50 deri në 60 metra nga mikrofoni i kamerës.

Në videon ku dëgjohen burrat duke nxitur njëri-tjetrin, jehona dhe akustika e të shtënave tregojnë se ato janë qëlluar nga një pozicion afër mikrofonit, tha Rob Maher, profesor i inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike në Universitetin Shtetëror të Montanës. Maher dhe analisti tjetër, Steven Beck, pronar i Beck Audio Forensics, thanë se nuk kishte asnjë tregues se audioja e videove ishte manipuluar.

Analistët thanë se breshërit e të shtënave dhe sekuencat e shpërthimit në disa nga videot tregonin se armët po shtinin në drejtime të ndryshme dhe nuk ishin drejtuar vazhdimisht në një objektiv të vetëm. Ata nuk mund të përcaktonin saktësisht se nga vinin të shtënat dhe as kush po qëllonte.

GHF-ja thotë se ushtria izraelite nuk është e vendosur në vendet e shpërndarjes së ndihmave. Nënkoloneli Nadav Shoshani, një zëdhënës i ushtrisë, tha se ushtria nuk është e vendosur në vendet ose shumë afër tyre, veçanërisht gjatë orarit të punës. Ai tha se ato drejtohen nga një kompani amerikane.

Një nga kontraktorët që kishte qenë në vende tha se nuk kishte ndier kurrë një kërcënim të vërtetë ose të perceptuar nga Hamasi atje.

SRS-ja thotë se Hamasi ka kërcënuar hapur punonjësit e saj të ndihmës dhe civilët që marrin ndihmë, por nuk e specifikoi se ku kërcënoheshin njerëzit.

Puna krah për krah SHBA-Izrael

Sipas kontraktorit që bëri videot, ushtria izraelite po përdor sistemin e shpërndarjes për të krijuar qasje në informacion.

Të dy kontraktorët thanë se kamerat monitorojnë shpërndarjet në secilin vend dhe se analistët amerikanë dhe ushtarët izraelitë ulen në një dhomë kontrolli ku pamjet shfaqen në kohë reale. Dhoma e kontrollit, thanë ata, është e vendosur në një kontejner transporti në anën izraelite të pikës kufitare Kerem Shalom në Gaza.

Kontraktori që bëri videot tha se disa kamera janë të pajisura me softuer për njohjen e fytyrës. Në pamjet e drejtpërdrejta të vendeve të shikuara nga AP-ja, disa transmetime videosh janë etiketuar si “analitike” pasi kishin softuerin e njohjes së fytyrës, tha kontraktori.

“Nëse një person me interes shihet në kamera dhe informacioni i tij është tashmë në sistem, emri dhe mosha e tij shfaqen në ekranin e kompjuterit”, tha kontraktori. “Ushtarët izraelitë që shikojnë ekranet mbajnë shënime dhe verifikojnë informacionin e analistëve me pamjet e tyre të dronit nga vendet”, tha ai.

Kontraktori tha se nuk e dinte burimin e të dhënave në sistemin e njohjes së fytyrës.

Një raport i brendshëm i SRS-së nga qershori, i parë nga AP-ja, tha se ekipi i saj i inteligjencës do të dërgonte te stafi një kartë që tregonte foto të palestinezëve të bëra në vendet e shpërndarjes dhe që konsideroheshin persona me interes.

Kontraktori tha se atij dhe stafit tjetër iu tha nga SRS-ja të fotografonin këdo që dukej “i papërshtatshëm”. Por kriteret nuk u specifikuan, tha ai. Kontraktori tha se fotot u shtuan gjithashtu në bazën e të dhënave të njohjes së fytyrës.

SRS-ja tha se akuzat se mbledh inteligjencë janë të rreme dhe se nuk ka përdorur kurrë biometrikë. Tha se koordinon lëvizjet me autoritetet izraelite, një kërkesë që vlen për çdo grup ndihme në Gaza.

Një zyrtar izraelit i sigurisë, i cili nuk u emërua në përputhje me protokollin e ushtrisë, tha se nuk ka sisteme kontrolli sigurie të zhvilluara ose të operuara nga ushtria brenda pikave të ndihmës.

Shpërndarja e nxituar

Disa qindra kontraktorë të punësuar nga UG Solutions zbarkuan në Izrael në mesin e majit, jo shumë kohë para se pika e parë e GHF-së të hapej më 26 maj.

Shpërndarja ishte e çrregullt dhe i mungonte lidershipi, i thanë dy kontraktorë AP-së.

Disa nga burrat ishin rekrutuar vetëm disa ditë më parë nëpërmjet email-it duke i pyetur nëse donin të punonin në Gaza. Shumë prej tyre nuk kishin përvojë luftarake dhe nuk ishin trajnuar siç duhet për armët sulmuese, thanë ata.

SRS-ja nuk i dha stafit draft-rregullat e angazhimit deri tre ditë pas fillimit të shpërndarjes, thanë ata. Draft-rregullat, të para nga AP-ja, thonë se forca vdekjeprurëse mund të përdoret vetëm në rast nevoje ekstreme dhe armët jo-vdekjeprurëse mund të përdoren në një situatë ekstreme ndaj individëve të paarmatosur që janë fizikisht të dhunshëm.

Palestinezët e parë në video nuk duken fizikisht agresivë. SRS-ja thotë se ka pasur grindje të herëpashershme midis kërkuesve të ndihmës, por asnjë nuk ka përfshirë stafin e saj.

Çdo kontraktor ishte i pajisur me një pistoletë, granata tymuese, gaz lotsjellës dhe një pushkë automatike të prodhuar në Izrael, të aftë për të gjuajtur dhjetëra fishekë brenda sekondave, tha kontraktori që bëri videot.

Dy kontraktorët paralajmëruan se nëse organizata vazhdon siç është, më shumë jetë do të jenë në rrezik.

“Nëse operacionet vazhdojnë në këtë mënyrë, kërkuesit e pafajshëm të ndihmës do të vazhdojnë të lëndohen pa nevojë”, tha kontraktori që bëri videot. “Dhe ndoshta të vriten”.