Qindra njerëz kanë vdekur duke kërkuar ushqim qëkur shpërndarja u mor në dorë nga Fondacioni Humanitar i Gazës në maj. Por, palestinezët që përballen me uri ekstreme nuk kanë tjetër zgjidhje, përveçse të rrezikojnë jetën e tyre.
Raed Jamal dërgon mesazhin pak pasi kthehet bosh nga një pikë shpërndarjeje ndihmash, drejt tendës së tij në kampin e të zhvendosurve al-Mawasi në jugperëndim të Gazës. “Tanket erdhën dhe filluan të qëllojnë. Tre djem pranë meje u bënë martirë”, thotë 36-vjeçari, që ka katër fëmijë. “Unë nuk mora asgjë, vetëm dy kuti bosh”.
Rruga e Jamalit përfshiu një ecje të gjatë drejt dhe nga një lagje banimi që u shkatërrua nga forcat izraelite dhe u kthye në një nga katër qendrat e militarizuara të shpërndarjes së ndihmave, që drejtohen nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), me bazë në Delaware, SHBA.
Vendet e GHF-së – Tal al-Sultan, lagjja Saudite, Khan Younis dhe Wadi Gaza – ndodhen në zona evakuimi, që do të thotë se civilët që kërkojnë ushqim duhet të hyjnë në zona ku u është kërkuar të largohen. Sipas faqes së GHF-së në Facebook, këto pika qëndrojnë hapur vetëm për tetë minuta në kohë, dhe në qershor mesatarja për pikën në lagjen Saudite ishte vetëm 11 minuta. Këto kushte kanë nxitur akuza nga OJQ-të se sistemi është i rrezikshëm qëllimisht. Kreu i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, ka thënë se “ai që quhet mekanizëm … është një ferr që më shumë po merr jetë sesa që shpëton”.
Sistemi favorizon më të fortët, prandaj kryesisht janë burrat që udhëtojnë përgjatë rrugëve të caktuara. Pastaj ata presin – shpesh për orë të tëra – që pika të hapet. Më në fund, bëhet një vrapim drejt qendrës së zonës për të marrë një kuti ndihme.
Në çdo hap të rrugës, ata që kërkojnë ndihmë kalojnë pranë tankeve dhe trupave izraelite, ndërsa mbi ta fluturojnë dronë. Në një tjetër video që ndau Jamal, ai ulet për të shmangur plumbat që kalojnë mbi kokën e tij.
“Ne kemi “pastruar” zemrat nga frika”, thotë Jamal për shëtitjet e tij pothuajse ditore drejt pikës. “Më duhet të sjell ushqim për fëmijët që të mos vdesin nga uria.”
Një sistem i ri, dhe vdekjet pothuajse ditore
GHF, një organizatë fillestare pa përvojë në shpërndarjen e ushqimeve në zona konflikti të ndërlikuara, punëson mercenarë amerikanë në këto pika që u hapën në maj. Ato zëvendësuan 400 pika të jomilitarizuara që drejtoheshin nga OKB-ja dhe që Izraeli pretendoi se duhej të mbylleshin, sepse Hamasi po i devijonte ndihmat. Nuk është dhënë asnjë provë për këtë.
Që nga maji, mbi 1.000 persona kanë vdekur duke kërkuar ushqim nga këto pika dhe konvojtë humanitarë të tjerë, sipas OKB-së.
Orët e hapjes së pikave shpesh njoftohen në Facebook dhe më vonë në Telegram. Fillimisht u krijua edhe një kanal në WhatsApp. Njerëzve u është thënë të mos afrohen derisa pika të hapet.
Mahmoud Alareer, 27 vjeç, që jeton në një tendë në perëndim të qytetit të Gazës, thotë se njoftimet për hapjen e pikës që ai përdor – Wadi Gaza – janë bërë të padobishme, për shkak të largësisë. Ai udhëton në mesnatë në skajin e zonës dhe shpreson që pika të hapet në 2 të mëngjesit, siç ka ndodhur deri tani.
Së pari ngjitet mbi një kamion për udhëtimin e gjatë drejt jugut përmes korridorit të militarizuar Netzarim. Pastaj pret në errësirë derisa forcat izraelite e lejojnë të hyjë. “Arrin atje dhe ecën ngadalë, ngadalë”, thotë ai. “Gjithmonë e di që mund të jesh ti që qëllohet, ose dikush pranë teje”.
Alareer thotë se gjithmonë ka kaos kur pika hapet, pasi njerëzit fillojnë të vrapojnë drejt pakove, që vendosen në mes të zonës së shpërndarjes. Njerëzit bien nëpër kraterë dhe tela të ngatërruar.
GHF-ja ka marrë kritika të rënda nga komuniteti humanitar për rreziqet që paraqet për palestinezët në pika dhe rrugët përreth. Në fillim të korrikut, më shumë se 170 OJQ kërkuan mbylljen e GHF-së, duke e akuzuar për shkelje të parimeve të ndihmës humanitare dhe duke kërkuar rifillimin e shpërndarjes jot të militarizuara në Gaza.
Koordinatori emergjent i Mjekëve pa Kufij (MSF) në Gaza, Aitor Zabalgogeazkoa, thotë se shpërndarjet gjatë natës janë veçanërisht të rrezikshme, pasi shumë rrugë në jug të Gazës janë bërë të pakalueshme nga bombardimet izraelite, gjë që e vështirëson ndjekjen e rrugëve të caktuara nga GHF-ja.
Zabalgogeazkoa është shumë kritik ndaj sistemit të GHF-së: “Kjo nuk është ndihmë humanitare,” thotë ai. “Mund të mendojmë vetëm që është krijuar për të shkaktuar dëm tek ata që kërkojnë ndihmë”.
GHF-ja më parë ka thënë se shifrat e OKB-së për vdekjet në pika shpërndarjeje janë “të rreme dhe mashtruese”. Ajo ka mbrojtur veprimet e saj dhe ka akuzuar kritikët për një “luftë territoriale” mbi ndihmat humanitare. Thotë se nuk mban përgjegjësi për vdekjet jashtë zonave të saj.
Ushtria izraelite ka pranuar se ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj palestinezëve që u afrohen trupave të saj në mënyrë të dyshimtë. Ajo ka kundërshtuar disa nga shifrat e vdekshmërisë që ofrojnë autoritetet palestineze.
Nevojat e paplotësuara të palestinezëve
GHF-ja operon vetëm në katër pika për të ushqyer 2 milionë njerëz, në një territor ku uria ekstreme është përhapur dhe ekspertët e sigurisë ushqimore paralajmërojnë për urinë që po afrohet. Sipas shifrave të Ministrisë së shëndetësisë së Gazës, 33 njerëz kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja që nga e diela.
Ajo thotë se ka shpërndarë më shumë se 85 milionë vakte “në rreth 1.422.712 kuti” që nga fillimi i veprimtarisë së saj. Sipas këtyre shifrave, çdo kuti do të ofronte rreth 60 vakte për një familje.
Organizata ka publikuar foto të kutive me emrin e GHF-së, që përmbajnë miell, patate, fasule dhe vaj. Megjithatë, palestinezët kanë ndarë foto që tregojnë kuti me përmbajtje më të kufizuar.
Olga Cherevko, zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Ndihmave Humanitare, thotë se nuk mund të komentojë për logjistikën e GHF-së, por ndihma duhet të përfshijë më shumë se ushqim, si ujë, gaz për gatim dhe pajisje të tjera. “Nëse shikon sot Gazën… njerëzit janë privuar nga gjithçka që e mban gjallë: materiale për strehim, karburant, gaz për gatim, materiale higjienike, gjithçka që nevojitet”, thotë ajo.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), pothuajse një e treta e popullsisë së Gazës kalon disa ditë pa ushqim, dhe 470.000 njerëz pritet të përballen me uri të rënda nga maji deri në shtator.
WFP-ja paralajmëron gjithashtu se diversiteti i dietës u ul shumë në maj dhe vazhdoi të përkeqësohet në qershor.
Dëmtimi i tokës bujqësore gjatë luftës ka rritur varësinë e palestinezëve nga ndihmat. Një studim i vitit të kaluar me imazhe satelitore tregoi se deri në 70% e pemëve kultivuese janë dëmtuar.
Një vlerësim i Unosat nga prilli zbuloi se 71.2% e serave në Gaza janë dëmtuar. Ky material tregon dëmtimin e serave dhe pemëve në Beit Lahiya.
Në fund të marsit, dhjetëra furra buke që mbështeteshin nga WFP-ja ndaluan prodhimin për shkak të bllokadës izraelite. Disa prej tyre rifilluan përkohësisht në maj, kur disa kamionë u lejuan të hyjnë.
Jamal përsërit se nuk ka tjetër zgjedhje përveçse të kthehet në pikën më të afërt të GHF-së, pavarësisht rreziqeve. “Kam shkuar katër ditë radhazi dhe nuk kam sjellë asgjë, as miell – asgjë”, thotë ai. “Ndonjëherë nuk mund të fitosh ndaj të tjerëve. Por çfarë tjetër të bëjmë? Jeta jonë është një luftë”.