Botë

DER SPIEGEL: Për krimet izraelite në Gazë është bashkëfajtore edhe Gjermania - kjo duhet të marrë fund menjëherë

gaza

Në një koment të ashpër, revista gjermane DER SPIEGEL ngre alarmin për shndërrimin e luftës së Izraelit në Gaza në një katastrofë politike, morale dhe ligjore me pasoja ndërkombëtare – dhe fajëson drejtpërdrejt qeverinë gjermane për bashkëpërgjegjësi të heshtur.

Sipas revistës DER SPIEGEL, krimet e luftës të ushtrisë izraelite në Gaza nuk mund të mohohen më. Vdekja e mbi 58’000 palestinezëve, përfshirë 17’000 fëmijë, shkatërrimi sistematik i infrastrukturës civile dhe, mbi të gjitha, uria masive e imponuar mbi një popullsi të bllokuar, janë dokumentuar botërisht.

Pamjet e fëmijëve të uritur deri në kockë, dëshmitë e mjekëve dhe deklaratat publike të zyrtarëve izraelitë për një strategji të zhvendosjes masive të popullsisë, nuk lënë më vend për dyshim: Izraeli po ndjek një politikë ndëshkimi kolektiv, jashtë çdo kuadri të ligjit ndërkombëtar humanitar.

Qeveria e Benjamin Netanjahut, sipas DER SPIEGEL, ka ngritur një regjim urie në Gaza që ka për qëllim të godasë jo më vetëm Hamasin, por vetë ekzistencën e palestinezëve në këtë territor. Deri edhe peshkimi u është ndaluar banorëve të Gazës. Furnizimi me ndihma është rrënuar, ndërsa çdo përpjekje për të siguruar ushqim shoqërohet me rrezik jete për civilët. Dhe të gjitha këto ndodhin përpara syve të botës – me heshtjen ose aprovimin pasiv të aleatëve perëndimorë.

Në këtë situatë, shtetet si Franca, Britania, Zvicra dhe mbi 30 qeveri të tjera perëndimore kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftës. Por Gjermania – jo. Në vend të kësaj, zyrtarët e saj shprehen hapur: “Ne jemi në krah të Izraelit”. Për revistën DER SPIEGEL, kjo është një tradhti ndaj vetë mësimeve të nxjerra nga historia gjermane. Të përkrahësh një qeveri që kryen krime lufte, në emër të mbështetjes historike për Izraelin, do të thotë të keqinterpretohet dhe të bëhet perverse ajo përgjegjësi që buron nga Holokausti: mbrojtja e jetës njerëzore, të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar.

Komenti thekson se lufta e Izraelit në Gaza, ndonëse nisi si përgjigje ndaj sulmeve terroriste të 7 tetorit, ka humbur çdo kufi të vetëmbrojtjes së ligjshme. Hamas ende nuk është shkatërruar, pengjet izraelite ende nuk janë liruar, dhe nuk ekziston asnjë plan serioz për të ardhmen politike të Gazës. Ajo që ka mbetur është vdekja, kaosi dhe hapësira për ëndrrat e kolonëve ekstremistë izraelitë, që kërkojnë Gazën pa palestinezë.

Ndërkohë, në Izrael shtohet presioni i brendshëm për armëpushim, por Netanjahu vazhdon luftën për të ruajtur koalicionin e tij të djathtë dhe pushtetin personal. Në botën perëndimore, lodhja dhe apatia ndaj konfliktit janë bërë normë, por në pjesë të tjera të globit, bëhet gjithnjë e më e qartë: bashkësia ndërkombëtare po dështon.

Juristë të njohur ndërkombëtarë tashmë po shqyrtojnë nëse në Gaza po kryhet gjenocid. Megjithëse kjo akuzë është juridikisht komplekse dhe politikisht e nxehtë, nuk ka më dyshim – nënvizon DER SPIEGEL – se Izraeli po kryen krime lufte: nga uria në masë, te ndëshkimi kolektiv dhe shkatërrimi sistematik i objekteve civile. Skandaloze është se reagimi vendimtar i shteteve perëndimore ka munguar – kjo është dështimi i vërtetë.

Gjermania, për shkak të lidhjes së saj të veçantë me Izraelin, ka instrumente dhe ndikim që mund ta përdorë. Dhe duhet t’i përdorë. DER SPIEGEL kërkon ndërprerjen e eksporteve të armëve drejt Izraelit, pezullimin e përfitimeve tregtare dhe ndaljen e bashkëpunimit politik brenda BE-së, për aq kohë sa lufta vazhdon. Po ashtu, i kërkohet Gjermanisë që të mbështesë Gjykatën Penale Ndërkombëtare, edhe nëse kjo gjykatë ngre aktakuzë ndaj zyrtarëve izraelitë.

Nuk mjafton më që kancelari Friedrich Merz të shprehë “mosaprovimin” e tij të vakët ndaj veprimeve të Izraelit. Ai duhet të dalë hapur dhe të kërkojë ndaljen e menjëhershme të luftës. Të gjitha aktet e shkatërrimit, urisë dhe çnjerëzimit duhet të marrin fund. Netanjahu duhet të ndalet. Dhe bota duhet të ndërtojë një plan për rindërtimin e Gazës dhe për një zgjidhje politike afatgjatë.

DER SPIEGEL përmbyll komentin me një thirrje të qartë: Pas tmerrit të 7 tetorit dhe katastrofës në Gaza, duhet domosdoshmërisht të vijë një përpjekje serioze për paqen dhe krijimin e dy shteteve – një për palestinezët dhe një për izraelitët. Kjo është një detyrë e madhe, por Gjermania nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë më pasive. Tani është koha që të veprojë.

(E.R.)