Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Dënim me luftë” për të burgosurit rusë

Fillimisht të burgosurve rusë u ishte ofruar marrëveshja që të lirohen plotësisht dhe t’u pastrohet dosja nëse ata shërbejnë gjashtë muaj në front në Ukrainë. Mirëpo, kjo marrëveshje nuk ishte pritur mirë nga ushtarët e rregullt rusë. Autoritetet ruse kanë ndryshuar kushtet për të burgosurit. Atyre u ofrohet kontratë njëvjeçare, por e cila vazhdohet automatikisht, që nënkupton se do të duhet qëndruar në front deri në përfundim të luftës

(BBC) - Rusia ka mbi një vit që liron të burgosur për të luftuar në Ukrainë, fillimisht duke u ofruar falje dhe liri pas gjashtë muajve shërbim, madje edhe nëse ata janë të dënuar për ndonjë krim të dhunshëm. Por, BBC-ja ka zbuluar se kjo marrëveshje është çështje e të kaluarës. Tash, ata më nuk falen, përballen me kushte më të rënda dhe në vend se të lirohen më herët, ata duhet të luftojnë deri në fund të luftës.

“Nëse nënshkruan tash, bëhu gati të vdesësh”, ka shkruar një burrë me emrin Sergei në një grup “chati” të ish-të burgosurve rusë që luftojnë në Ukrainë.

Ai ka thënë se që nga tetori është pjesë e një njësiti të ri të ushtrisë të njohur me emrin “Stuhia V”, njësit ku po caktohen të dënuarit.

“Më herët liroheshe pas gjashtë muajve. Por, tash duhet të luftosh deri në fund të luftës”, ka shkruar ai.

Kur nisi rekrutimi masiv i të burgosurve rusë në verën e vitit 2022, ishte i drejtuar nga Yevgeny Prigozhin, dikur kreu i grupit mercenar rus Wagner. Të burgosurve iu ofrohej pastrimi i dosjes, falja e plotë dhe u mundësohej liria pas gjashtë muajve në front.

Para se të vdiste në gusht të vitit të kaluar, kur aeroplani me të cilin po udhëtonte u rrëzua, Prigozhin pati deklaruar se gati 50 mijë të burgosur rusë janë dërguar në vijën e frontit në Ukrainë, sipas marrëveshjes. Shifra të ngjashme dhanë edhe aktivistët e të drejtave të njeriut. Mijëra të burgosur vdiqën, por të tjerët, përfshirë dhjetëra të dënuar për krime të dhunshme u rikthyen në shtëpi. Disa prej tyre bënë shkelje të serishme, madje pati edhe të tillë që kryen edhe vrasje pasi fituan lirinë.

Ushtria e Rusisë mori përsipër skemën e rekrutimit të burgosurve në shkurt të vitit 2023, fillimisht duke ofruar stimulime sikur që bënte Prigozhini.

Por, marrëveshja nënkuptonte se të burgosurit mund të ktheheshin në shtëpi pas gjashtë muajve dhe ishin në pozitë edhe më të privilegjuar sesa ushtarët e rregullt rusë. Kjo kishte zhgënjyer ushtarët dhe familjet e tyre.

Tash, kushtet e reja për të burgosurit e kanë adresuar çështjen e këtij ekuilibri dhe ato kushte janë dukshëm më të rënda.

Dërgimi në front deri në përfundim të luftës

Duke shikuar mesazhet në dhoma “chati” dhe duke folur me luftëtarë dhe familjarë të tyre, BBC mund të konfirmojë se trupat e njësitit “Stuhia V” aktualisht po shërbejnë përgjatë vijës së frontit, nga Zaporizhzhia në jug të Ukrainës deri në Bakhmut në lindje.

Një grua nga rajoni Transbaikal në pjesën më pjesën e Rusisë në Lindjen e Largët, që foli në kushte anonimiteti, i ka thënë BBC-së se bashkëshorti i saj është rekrutuar në një prej ekipeve të njësitit “Stuhia V” në fillim të vjeshtës së vitit të kaluar. Ajo nuk ka treguar se çfarë krimi kishte kryer bashkëshorti i saj, por ka thënë se ishte “akuzë serioze”.

Ajo ka deklaruar se kanë marrë vendim së bashku që ai të luftojë në Ukrainë, duke besuar se do të çonte në lirim më të shpejtë.

“Këtë shkurt do të bëheshin 15 vjet vuajtje dënimi. Do të kishte edhe katër tjera. Kushtet në burg ishin në rregull. Ai do të mund të vazhdonte vuajtjen e dënimit, por kjo ishte mënyra e vetme për ta sjellë në shtëpi më herët”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë ishte njëvjeçare, jo gjashtëmuajshe, siç kishte qenë më herët për të burgosurit. Dhe kur mbaron kjo kohë, bashkëshorti i saj nuk do të falet dhe nuk do të jetë në gjendje të shkojë në shtëpi menjëherë pasi kontrata “do të vazhdohet automatikisht”.

Postimet në rrjete sociale të rusëve familjarët e të cilëve shërbejnë në njësitet e “Stuhia V” po ashtu tregojnë se pjesëtarët e këtij njësiti do të qëndrojnë në vijë të frontit deri në fund të asaj që Moska e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.

Të burgosurit paralajmërohen për këtë kur nënshkruan, dhe i pason një dekreti të shtatorit të vitit 2022 të nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin me të cilin nënkuptohet se kur një kontratë skadon ajo s’mund të shkëputet dhe rinovohet.

Tash mënyra e vetme për të burgosurit që të sigurojnë lirinë e plotë është nëse marrin ndonjë dekoratë shtetërore, humbin ndonjë gjymtyrë në front, arrijnë kufirin maksimal të moshës së lejuar apo nëse përfundon lufta.

Në vend të faljes, ish-të burgosurit tash marrin një lirim të kushtëzuar pasi ta mbarojnë shërbimin e tyre në ushtri. Nënkupton se nëse ata shpallen fajtor për krim të ri atëherë do të përfshihen në dënim të ri edhe pjesët e dënimeve të kaluara.

Putin më nuk është i përfshirë personalisht në nënshkrimin e faljeve, që nënkupton se ka më pak kritika ndaj tij për faljen e personave që janë të dënuar për vrasje apo për përdhunime.

“25 për qind gjasa për të mbijetuar”

BBC ka rishikuar shumë postime në grupe “chati” nga burrat që thonë se kanë qenë në vijë të frontit si pjesë të këtyre njësiteve.

“Kushtet janë disi më të mira. Merr pagë të plotë, si ushtarët, dhe të gjitha benefitet e tjera. Gjasat për mbijetesë janë 25 për qind. Unë kam qenë për pesë muaj në grup. Nga grupi prej rreth 100 burrave që ishim, vetëm 38 janë ende gjallë”, ka shkruar një i dënuar.

Shumica e trupave në njësitet “Stuhia V” gjenden në front me shumë pak stërvitje, disa vetëm me 10 ditë stërvitje.

Ka madje edhe dhjetëra raste kur të dënuarit kanë gjetur veten në vijë të frontit me tri apo pesë ditë stërvitje.

Në krahasim, rekrutët sovjetikë në Afganistan bënin gjashtë muaj stërvitje para se të dërgoheshin në front.

Mijëra të burgosur vdiqën në front në Ukrainë

Që nga janari i vitit 2023, “BBC Russian” ka bërë partneritet me uebfaqen ruse “Mediazona” dhe një ekip vullnetarësh për të identifikuar emrat e luftëtarëve rusë të vrarë në luftën në Ukrainë.

Mbi 8 mijë të burgosur janë vrarë duke luftuar në front në Ukrainë dhe të paktën 1100 prej tyre kanë luftuar si pjesë e njësive “Stuhia V” apo njësive që i kanë zëvendësuar ato.

Në këtë llogari janë përfshirë vetëm të burgosurit dënimet e të cilëve janë konfirmuar me vendime të gjykatës të publikuara. Por, jo gjitha vendimet e janë digjitalizuar dhe jo të gjitha vdekjet raportohen. Në realitet, numri i të dënuarve që kanë humbur jetën në fushëbetejë është dukshëm më i lartë.

Përcaktimi i numrit të të vrarëve është shumë i vështirë, veçanërisht pasi shumë prej atyre që vdesin nuk gjenden menjëherë.

Shumë familjarë janë ende në kërkim të luftëtarëve me të cilët kanë humbur lidhjet qysh verën e kaluar.

“Ky ferr s’do të mbarojë kurrë. Nuk kam menduar kurrë se do të isha e kënaqur vetëm t’i gjeja eshtrat e tij. Vetëm t’i varrosja ato”, ka shkuar një nënë në një grup “chati”.

Në të kaluarën, detajet e të dënuarve nuk futeshin gjithmonë në bazat e të dhënave ushtarake, por kjo ka ndryshuar tashmë. Anëtarët e njësive “Stuhia V” tash futen në këto baza të dhënave sikur personel ushtarak e jo si vullnetarë.

Shumë luftëtarë të njësive “Stuhia V” që mbijetojnë, përfundojnë në robëri dhe “BBC” ka parë video që pretendohet se tregojnë të burgosurit e luftës duke u marrë në pyetje nga Ushtria e Ukrainës.

Në njërën nga videot, një burrë thotë se ka qenë në burg disa herë që nga viti 2014 për lëndime të rënda trupore apo vjedhje. “BBC” ka mundur ta identifikojë atë dhe t’i konfirmojë dënimet duke përdorur të dhënat e gjykatës.

Ai kishte nënshkruar kontratë në tetor me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë dhe shkoi në front nga një burg i sigurisë së lartë. Ai u kap më vonë dhe gjatë marrjes në pyetje nga ukrainasit ai tha se luftëtarët e “Stuhia V” shpesh dërgohen “në ofensiva të pakuptimta” nga të cilat vetëm pak prej tyre kthehen gjallë. Ai tha se nëse refuzojnë të shkojnë në ato ofensiva, atëherë futen në një gropë dhe nuk u jepet ushqim.

Dëshmia e tij përputhet me dëshmi të tjera, përfshirë ato të një gruaje nga Siberia, e cila i tha BBC-së se burri i saj kishte thënë të njëjtat gjëra.

Në një dhomë “chati”, Sergei diskuton për fatin e të dënuarve rusë si ai, që ende luftojnë në njësitet e “Stuhisë V”.

“Fati nuk do të mjafton shkruan ai”, duke folur për mundësinë e tij për të mbijetuar. “Unë e di tashmë se nuk do t’ia dalë”.

Përgatiti: Shkumbin Sekiraqa

Artikuj të ngjashëm