Botë

Nga burgu në llogore

Kukharchuku dhe Dato në një burg të Ukrainës Foto: CNN

Kukharchuku dhe Dato në një burg të Ukrainës Foto: CNN

Pas dy vjetësh në luftë, Ukraina po përpiqet ta rrisë numrin e ushtarëve. Për ta mundësuar këtë, qeveria ka miratuar një ligj të ri që e lejon edhe rekrutimin e të burgosurve. E me këtë ata e fitojnë edhe lirinë me kusht. Për të dënuarit kjo do të jetë ngritje në shkallën shoqërore, të ardhurat, stilin e jetesës dhe respektin. Se si do të funksionojë saktësisht ky ligj në praktikë mbetet për t'u parë

Komandanti i batalionit, Dmytro Kukharchuku, flet qetë, por vendosmërisht. Duke i mbajtur duart me tatuazhe pas krahëve, ai iu flet burrave – të gjithë të dënuar me burgim – për eksperiencat e tij gjatë luftimeve për Ukrainën në Bakhmut dhe Avdiivka.

Kukharchuku, 34-vjeçar, është në një burg në Ukrainën qendrore, duke u përpjekur t’i rekrutojë në njësinë e tij të burgosurit e fuqishëm, të shëndetshëm dhe të motivuar, Brigadën e 3-të të sulmuesve të veçantë.

Më shumë se dy vjet që nga nisja e pushtimit të plotë nga Rusia, Ukraina po përpiqet t’i mbushë radhët e saj të dobësuara ushtarake. Për ta adresuar këtë, qeveria ka prezantuar një ligj të ri muajin e kaluar që e lejon rekrutimin e të dënuarve me burgim. Kjo i lejon individët, që i përmbushin disa kushte të caktuara, të lirohen më herët me kusht, nëse e nënshkruajnë kontratën për të shërbyer në ushtri.

Kukharchuku nuk u premton shumë të burgosurve. “Nuk do të jetë e lehtë. Por nëse vini, vini si familja jonë”, u thotë ai burrave, duke shpjeguar se brigada nuk do të ketë njësi të posaçme vetëm me të dënuar. Në vend të kësaj, ai thotë se të burgosurit e rekrutuar do të vendosen nëpër batalionet ekzistuese.

Disa nga burrat dëgjojnë me vëmendje, të tjerët buzëqeshin të vetëkënaqur.

Por edhe ata që buzëqeshin fillojnë të dëgjojnë me vëmendje kur kolegu i Kukharchukut fillon të flasë. Burri, i cili ka kërkuar të identifikohet me nofkën e tij “Dato” për shkak të privatësisë, është një prej tyre – ish-i burgosur.

Ai e ka kaluar shumicën e jetës së tij prapa grilave. I dënuar për krime të ndryshme, ai është arratisur nga burgu tri herë dhe është liruar me kusht në shkurt të vitit 2022 pasi i ka kryer 31 vjet. Ai i është bashkuar ushtrisë ukrainase disa orë pas fillimit të pushtimit nga Rusia, më 24 shkurt 2022.

Dato, 58-vjeçar, kërkon respekt nga audienca e tij. Zëri i tij jehon përtej oborrit dhe kur ndalon, qetësia është e rëndë. Dhjetëra të burgosur i dëgjojnë të gjitha fjalët e tij. Disa janë duke qëndruar jashtë oborrit; e të tjerët janë duke dëgjuar nga dritaret e qelisë së tyre. Fjalimi i tij është i mbushur me slangun e burgut. Ai flet për nder, detyrë dhe reputacion. “Kjo është mundësia që ju ta rehabilitoni veten në sytë e fëmijëve tuaj”, u thotë atyre.

Të rekrutuarit nga disa brigada veçse e kanë vizituar këtë burg me 700 burra, dhe rreth 100 të burgosur tashmë i kanë nënshkruar kontratat me njësi të ndryshme.

Rekrutët e burgut Foto: CNN

Ligji i ri nuk e lejon rekrutimin e njerëzve të dënuar për krime kundër themeleve të sigurisë kombëtare të Ukrainës, ose kundër veprave penale veçanërisht të rënda të korrupsionit. Ata që kanë kryer veprat penale më të dhunshme janë të përjashtuar gjithashtu. Njerëzit që janë dënuar për dy ose më shumë vrasje me paramendim, për krime të kryera me mizori ose për vrasje të kombinuara me përdhunim ose dhunë seksuale, nuk lejohen të regjistrohen.

Se si do të funksionojë saktësisht ky ligj në praktikë, mbetet për t'u parë. Pasi ka kaluar ligji, Ministria e Drejtësisë e Ukrainës ka thënë se të dënuarit, që duhet të regjistrohen me vullnet të lirë, do të shërbejnë në njësi të ndryshme. Por Kukharchuku dhe Dato, që e përfaqësojnë Brigadën e 3-të të sulmuesve të veçantë, kanë dëshirë që rekrutët nga burgu të shërbejnë me këmbësorinë e rregullt.

Kukharchuki ka thënë se ushtarët nga brigada e tij nuk e kanë problem të luftojnë së bashku me të dënuarit. “Si mund të kesh sjellje të veçantë ndaj njerëzve që vijnë te ti, që do të ulen në të njëjtën llogore me ty, që do të marrin pjesë në operacione të sulmit me ty dhe do të të mbështesin?”, ka thënë ai.

Por komandantët e tjerë, edhe pse mbështetës të rekrutimit të të dënuarve, nuk janë të sigurt për integrimin. “Të burgosurit duhet të luftojnë në njësi të tjera. Dhe kanë nevojë për njerëz të aftë për t’i udhëhequr”, ka thënë një komandant me nofkën “Teren” dhe që lufton në Avdiivka. Komandanti i zbulimit të artilerisë me Brigadën e 110-të të mekanizua, ka kërkuar që emri i tij të mos përdoret për shkaqe sigurie.

“Nuk jam fare kundër të burgosurve që luftojnë. Jam i befasuar që nuk e kemi përdorur këtë ide në fillim të luftës. Ka gjithmonë shumë viktima në këmbësori dhe nëse të dënuarit duan ta rrezikojnë jetën për të luftuar në këmbësori, është vendim i mirë”, ka shtuar ai.

Largimi i etiketimit "ish-i burgosur"

Sipas ligjit, të rekrutuarve të dënuar do t’u lejohet largimi për çështje familjare njësoj si ushtarëve të tjerë dhe do të kenë të njëjtën pagë, por nuk do ta marrin largim vjetor që është standard për trupat e tjerë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, 26 mijë njerëz janë momentalisht nëpër burgjet e Ukrainës. Që nga ardhja e ligjit në pushtet, 5000 të burgosur burra kanë aplikuar t’i bashkohen ushtrisë, thotë ministria. Gati 2000 e kanë kaluar ekzaminimin mjekësor dhe nga gjykatat janë liruar nga burgu për të shkuar në ushtri. Grupi i parë i të rekrutuarve të burgut veçse janë në trajnim bazik, sipas ministrit të Drejtësisë së Ukrainës, Denys Maliuska.

Rekruti Dmytro Foto: CNN

Maliuska ka thënë se ai po pret që të regjistrohen më shumë të dënuar. Shumë janë duke pritur për të parë se çfarë do të ndodhë me rundin e parë të të rekrutuarve, por reagimi i parë ka qenë pozitiv.

Ai beson se shumë të burgosur e shohin programin si mundësi për ta larguar etiketën “ish-i burgosur” që zakonisht u mbetet njerëzve edhe pas lirimit nga burgu.

“Patjetër se ka rreziqe. Por morali dhe humori i atyre që janë të liruar nga burgu është më i lartë sesa i atyre që janë mobilizuar diku në rrugë”, ka thënë ai. “Një person i mobilizuar detyrimisht, që nuk ka dashur të shkonte në ushtri e sheh këtë si tragjedi dhe përkeqësim të kushteve të tij të jetesës. Dhe mund të presësh shumë më tepër dezertim nga kjo kategori sesa nga një person për të cilin kjo është ngritje në shkallën shoqërore, të ardhurat, stilin e jetesës dhe respektin. Për të burgosurit, kjo është një ngritje në shkallën shoqërore.”

Ministri ka thënë se qeveria e di se të burgosurit mund të shfaqin sfida te komandantët, por ka thënë se ligji mund të ndryshohet sipas nevojës, duke u varur te sesi gjërat duken në praktikë. Sipas tij, shumë varen nga komandantët e njësisë dhe aftësisë së tyre për ta krijuar disiplinën në njësitë e të burgosurve.

Shtytja për të rekrutuar të burgosur në ushtri duket në shikim të parë si paralele me fushatën e rekrutimit nga burgjet e kompanisë mercenare ruse “Wagner” në fillimet e luftës dhe e vazhduar nga Ministria e Mbrojtjes që nga viti i kaluar. Jetët e mijëra të dënuarve rusë kanë përfunduar në të ashtuquajturat sulme “të bluarjes së mishit”, sidomos në luftimet për qytetin lindor të Ukrainës, Bakhmut.

Por Maliuska e ka refuzuar këtë krahasim.

“Në Ukrainë, motivimi është i bazuar në patriotizëm. Të burgosurit tanë regjistrohen në ushtri vullnetarisht. Në Rusi ka qenë vullnetare dhe e detyruar. Personalisht kam parë të burgosur rusë që janë detyruar t’i bashkëngjiten ‘Wagnerit’”, ka thënë ai, duke shtuar se në Rusi të burgosurit janë rekrutuar në kompaninë e njohur ushtarake brutale, ndërsa në Ukrainë ata janë duke iu bashkuar Forcave të Armatosura të Ukrainës. “Ky është shërbim i rregullt ushtarak shtetëror me të gjitha garancitë: pagë, sigurime shoqërore, pagesa në rast lëndimi, vdekjeje etj. Kjo është histori krejtësisht e ndryshme për sa u përket motiveve dhe mekanizmave”.

“Do t’i mbroj familjet e tjera”

Në një qendër trajnimi në Ukrainën qendrore, një grup i të burgosurve është tashmë në javën e dytë të trajnimit bazik. Në mesin e tyre është Dmytro, 28-vjeçar, gruaja dhe fëmijët e të cilit janë vrarë nga një sulm rus në qytetin lindor Izium në javët e para të fillimit të pushtimit të Ukrainës, ndërsa ai ka qenë në burg, duke kryer dënimin e tij prej katër vjetësh e gjysmë. Ai ka kërkuar të mos i përmendet mbiemri për shkaqe sigurie.

Dmytro ka thënë se e ka ditur që donte të luftonte në momentin kur ka nisur lufta. Kur rekrutët e kanë vizituar burgun e tij, ai ka qenë ndër të parët që është regjistruar.

“Kisha grua dhe fëmijë dhe e dija që dikush duhet t’i mbronte ata. Por meqë unë nuk kam mundur, tani do t’i mbroj familjet e tjera që duan të jetojnë dhe të kenë fëmijë”, ka thënë ai.

Dmytro ka thënë se është rritur jetim dhe se ka filluar të vjedhë kur ka qenë i ri. Sipas besimit të tij, burgu ua mëson njerëzve mbijetesën në ambiente të ashpra, çka do të thotë se ish-të burgosurit mund të jenë në gjendje të përballen me presionin e vijës së frontit më mirë sesa qytetarët e tjerë.

Ai ka thënë se kur familja e tij është vrarë, ai ka dashur hakmarrje. Ai nuk është në gjendje të flasë për humbjet e tij, por thotë se ëndërron se një ditë mund t’ia nisë nga e para dhe të bëjë fëmijë, të cilët do të jenë krenarë për të.

“Kam një vit dhe pesë muaj të mbetur të dënimit. Nuk është shumë. Mund të rrija në burg dhe të mos shkoja në luftë. Por jam i motivuar. Nuk dua që njerëzit e tjerë ta përjetojnë këtë”, ka thënë ai, duke iu referuar humbjes së familjes së tij.

Në burg, Kukharchuku dhe Dato i zgjedhin rekrutët e tyre me kujdes. Të ulur përballë tyre në një dhomë interviste, ata e pyesin secilin vullnetar për prejardhjen dhe motivimin. Brigada nuk i pranon ata që janë mbi moshën 50-vjeçare, që kanë probleme serioze shëndetësore ose që nuk janë të aftë fizikisht. Jetimët, në anën tjetër, kanë favor të menjëhershëm.

Kukharchuku ka thënë se jetimët që kanë pasur fëmijëri të vështirë dhe që janë të mësuar me mbijetesë dhe tejkalim të problemeve, zakonisht janë të suksesshëm në ushtri. Pas secilës intervistë, të burgosurit ua shtrëngojnë dorën rekrutuesve. Të zgjedhurit i mbushin dokumentet dhe presin për udhëzimet e ardhshme.

Nga 17 të burgosurit që kanë dashur t’i bashkohen ushtrisë, Brigada e 3-të e sulmuesve të veçantë i ka rekrutuar 12. Kukharchuku ka thënë se ky është “numër shumë i mirë”. Brigada është një nga më të kërkuarat dhe që zakonisht i refuzon më shumë se gjysmën e të dënuarve që dëshirojnë t’i bashkohen.

Ka përjashtime nga rregullat. Një nga të burgosurit ka shikim të dobët dhe Dato e Kukharchuku në fillim hezitojnë ta rekrutojnë atë. Megjithatë, pas një bisede të shkurtër burri pranohet.

“Shikimi mund të korrigjohet. Motivimi është më i rëndësishëm sesa shikimi”, thotë Dato.