Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Çfarë janë Batalionet e Grupeve Taktike të Rusisë

Rusia ka dërguar përforcime në Ukrainën lindore, duke shtuar 11 të ashtuquajturat Batalione të Grupeve Taktike (BGT) dhe duke e sjellë totalin e tyre në rreth 76, një ulje kjo nga 120 sa kishte në fillim të luftës

Secili Batalion i Grupeve Taktike përbëhet nga 700-900 trupa. BGT-të janë krijuar rreth batalioneve të motorizuara të tankeve ose pushkëve, mbështetur me artileri, anti-ajror, inxhinieri dhe njësi tjera speciale të domosdoshme për të kryer misionin e caktuar luftarak. BGT zakonisht përfshijnë rreth 10 tanke, rreth 30 automjete luftarake të këmbësorisë dhe rreth 210 trupa këmbësorie.

Në operacionet luftarake kanë edhe elemente shtesë të përkrahjes – helikopterë, artileri, topa kundërajror, Spetsnaz (forcat speciale) dhe njësi tjera. Këto shifra bashkë me elementet e përkrahjes arrijnë mesatarisht në një personel prej 1250 personash për grup.

Personeli i BGT-ve është nga shërbimi me “kontratë”. Në BGT nuk ka pjesëtarë nga shërbimi ushtarak, ndërsa personeli i rekrutuar përfshihet në formacionet e prapavijës.

Zyrtarët perëndimorë kanë vlerësuar që 37 deri 38 BGT ruse të dërguara në Ukrainë kanë pësuar aq dëme të mëdha sa që janë të paefektshme më në luftime. Për më shumë, 22 BGT tani janë në veri të Ukrainës duke iu nënshtruar riparimit, rigrupimit dhe rifurnizimit.

12 BGT janë duke luftuar si pjesë e Armatës së 8-të në rrethimin e Mariupolit, ndërsa 64 BGT të tjera duke luftuar në “Betejën e Donbasit”.

Sfida me BGT-të është që niveli komandues i batalioneve kërkon oficerë të lartë për komandë dhe kontroll. Ky problem është shkaku i vrasjes së vazhdueshme të gjeneralëve rusë.

Prejse ka filluar pushtimi, forcat ukrainase kanë shkatërruar ose kapur 480 tanke dhe 850 automjete luftarake të këmbësorisë, makina të blinduara për personelin dhe makina të blinduara luftarake.

Nëse Rusia thyen linjat mbrojtëse të Ukrainës në Donbas, atëherë pushtimi mund të çojë në një betejë të gjatë dhe rraskapitëse në Ukrainë. Por nëse forcat ukrainase vazhdojnë të shkaktojnë dëme sipas ritmit të tanishëm, atëherë mund të shohim tërheqje me përmasa të mëdha të ngjashme me ato nga Kievi në veri.

Burimet:
Russia’s Make-or-Break Gambit in the Donbas (Foreign Policy)
Sergei Shoigu: Progress Report on Military Modernization (Center for Strategic and International Studies )
Russian way of warfare (Rand Corporation)
Army General Dvornikov (Russian Defense Policy)

Artikuj të ngjashëm