Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kundërofensiva e Ukrainës do të jetë “e gjatë” dhe “e përgjakshme”

Analistët perëndimorë thonë se kundërofensiva, edhe nëse do të jetë e suksesshme, nuk do t'i japë fund luftës. Por mund të rezultojë të jetë një episod vendimtar dhe të forcojë dorën e Kievit në çdo negociatë. Ukraina është gjithashtu e prirë t'i tregojë Perëndimit se ia vlente dërgimi i ndihmës

Faza e parë e kundërofensivës së Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia, filloi javë më parë pa bujë të madhe. Përveç pretendimit se trupat e tij po ecin përpara, Kievi nuk ka ofruar shumë detaje se si po shkon operacioni i kundërofensivës.

Flitet për një kundërofensivë të zhvilluar jashtë syve të vëzhguesve të paanshëm, në Ukrainën lindore dhe jugore me trupa të pajisura me armë të reja të furnizuara nga Perëndimi, kundër forcave të Kremlinit, që kaluan muaj të tërë duke përmirësuar taktikat.

Cilat janë taktikat e Ukrainës?

Luftimet janë intensifikuar në disa pika përgjatë vijës së frontit prej 1.500 kilometrash. Forcat ukrainase po bëjnë përparim të dukshëm përgjatë anës veriore dhe jugore të qytetit të shkatërruar të Bakhmutit, të cilin forcat ruse e kanë pushtuar që nga muaji maj i vitit 2022.

Betejat po zhvillohen gjithashtu përgjatë frontit jugor në Zaporizhzhia, ku forcat ukrainase po arrijnë fitore minimale dhe po përballen me fortifikimet e frikshme ruse.

Edhe Ukraina lëshon mbi 400 dronë drejt Moskës teksa Zelensky përballet me protesta Botë 5 d. më parë Ukraina lëshon mbi 400 dronë drejt Moskës teksa Zelensky përballet me protesta

Hanna Maliar, zëvendësministre e mbrojtjes e Ukrainës, së fundmi ka pretenduar se forcat e Kievit kanë shkatërruar gjashtë depo municionesh ruse në harkun kohor të 24 orëve, një lëvizje që lë të kuptohet për taktikat ukrainase.

“Ne i japim goditje efektive, të dhimbshme të saktë dhe vrasim pushtuesin, për të cilin mungesa e municionit dhe karburantit herët a vonë do të bëhet fatale”, tha ajo.

Oficeri i lartë ushtarak i Britanisë thotë se ky është qëllimi i parë i Ukrainës: t'i shkatërrojë njësitë ruse të furnizimeve dhe përforcimeve, duke sulmuar qendrat logjistike dhe komanduese pas shpine, madje duke përdorur edhe raketat Storm Shadow të dhuruara nga Britania. Ukraina po përpiqet gjithashtu të krijojë një lloj tendosje ndaj burimeve të Rusisë duke vendosur njëkohësisht pika të shumta kundërofensive përgjatë vijës së frontit, tha admirali Tony Radakin, shefi i shtabit të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, në fillim të këtij muaji.

Ofensiva e plotë e Ukrainës do të vijë, tha ai, kur të shembet një njësi në vijën e parë të frontit. Trupat rezervë të Kievit më pas mund të kalojnë përmes operacionit të depërtimit.

"Unë do ta përshkruaj atë si një politikë të shkatërrimit, tendosjes dhe goditjes", i tha Radakin, një komisioni parlamentar britanik.

Ai vuri në dukje se Ukrainës i mungon mbulimi jetik ajror për sulmet e saj. Kievi ka marrë premtime nga aleatët e tij perëndimorë për avionët luftarakë F-16, por ata nuk pritet të shihen në fushën e betejës deri vitin e ardhshëm. Ukraina po kërkon gjithashtu armë me rreze të gjatë dhe më shumë municione.

SHBA-ja i ka dërguar Ukrainës municione këtë javë për ta ndihmuar në forcimin e ofensivës së saj. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se shpreson se bombat do të sigurojnë një mbrojtje të përkohshme për të ndaluar tanket ruse, sepse "ukrainasve po u mbarojnë municionet".

Cilat janë taktikat e Rusisë?

Forcat e Kremlinit po përdorin një numër të madh minash anti-tank për të ngadalësuar operacionet kundërofensive të Ukrainës, në jug. Kjo i vendos sulmuesit e ekspozuar ukrainas në mëshirën e dronëve, helikopterëve dhe artilerisë ruse.

Madje dhe kur janë të pozicionuar mirë pas llogoreve, në kanalet anti-tank dhe pas pengesave të tjera, thuhet se në disa vende, forcat ruse përballen me shumë vështirësi.

Dëmtimi në fushëbetejë ka zvogëluar peshën ushtarake të Moskës. Lufta ka ekspozuar gjithashtu paaftësinë dhe mungesën e iniciativës në radhët ruse, si dhe koordinimin e dobët.

Edhe Si po godasin dronët ukrainas linjat jetike të furnizimit rus Botë 1 j. më parë Si po godasin dronët ukrainas linjat jetike të furnizimit rus

Radakin, komandanti i përgjithshëm i Britanisë, tha se Rusia ka humbur rreth gjysmën e forcës së saj luftarake që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022. Gjithashtu, fabrikat ruse nuk janë më në gjendje të furnizojnë Rusinë me municione të mjaftueshme për të zëvendësuar ato të humbura në fushën e betejës, tha ai.

Për shembull, Rusia ka përdorur rreth 10 milionë predha në Ukrainë, ndërsa ka prodhuar vetëm 1 milion të reja, sipas Radakinit. Në mënyrë të ngjashme, ajo ka humbur më shumë se 2 mijë tanke, por ka prodhuar vetëm 200 zëvendësime, tha ai.

Rusët thuhet se po kryejnë operacione sulmuese dhe po arrijnë fitore minimale në zonën veriore të pyjeve të Kreminna-s.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Kundërofensiva e Ukrainës do të jetë "shumë e gjatë" dhe "shumë e përgjakshme", tha së fundmi gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit.

Ushtarët ukrainas thonë se granatimet ruse kanë qenë befasuese dhe po ngadalësojnë përparimin e Kievit.

Në fushat e hapura të Zaporizhzhias në veçanti, ku gjetja e një vendi për t’u mbrojtur, është e vështirë, komandantët po ekspozojnë më pak ushtarë në mënyrë që të kufizojnë numrin e viktimave nga artileria e rëndë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, pranoi javën e kaluar se kundërsulmi "nuk po zhvillohet me shpejtësi".

Filloi më vonë se sa prisnin shumë, me sa duket derisa Kievi priste dorëzimin e armëve perëndimore dhe mbërritjen e ushtarëve të stërvitur nga perëndimi. Kjo vonesë nënkupton se operacioni në vend të pranverës, ka filluar në verë.

Planifikuesit ushtarakë duhet të kenë parasysh se dimri ukrainas sjell kushte të rënda që mund të krijojë vështirësi në armatim dhe për trupat. Sezoni famëkeq i baltës, madje ka emrin e vet: "rasputitsa".

Sapo moti të përkeqësohet, palët ndërluftuese do të duhet të bëjnë një bilanc dhe të përgatiten për atë, që mund të jetë një raund tjetër luftarak gjatë dimrit të ardhshëm.

Edhe Ukraina kryen një prej sulmeve më të rënda ndaj Rusisë Botë 4 j. më parë Ukraina kryen një prej sulmeve më të rënda ndaj Rusisë

Analistët perëndimorë thonë se kundërofensiva, edhe nëse përparon, nuk do t'i japë fund luftës. Por mund të rezultojë të jetë një episod vendimtar dhe të forcojë dorën e Kievit në çdo negociatë. Ukraina është gjithashtu e prirë t'i tregojë Perëndimit se ia vlente dërgimi i ndihmës.

Përktheu: Forca Jashari