Pentagoni ka thënë se mund të dërgojë armë në Ukrainë brenda “disa ditësh”, pasi Senati amerikan aprovoi të martën mbrëma pakon e ndihmës ushtarake ndër të tjera. Por, ekspertët dhe ligjvënësit ukrainas kanë thënë se mund të nevojiten javë të tëra që ndihma të arrijë t’u dërgohet trupave, duke i dhënë kështu Rusisë më shumë kohë për ta degraduar mbrojtjen e Ukrainës
(AP) - Komandanti ukrainas, Oleksiy Tarasenko, ka treguar për një ndryshim të frikshëm në përpjekjet e Rusisë muajin e kaluar, për të avancuar përmes rajonit industrial të mbrojtjes së Kievit, të njohur si Donbas.
Duke qëndruar kundër avantazhit të palëkundur të Rusisë në vijën strategjike të frontit në qytetin Chasiv Yar, ai e ka vërejtur se në vend se të bënin sulme tipike të lehta kundër këmbësorisë, forcat e Moskës ishin duke ndërmarrë hapa të rrezikshëm duke nisur një batalion – dhe sulme të mëdha, ndonjëherë me deri në 10 automjete ushtarake.
Trupat e udhëhequra nga ai kanë shkatërruar gati 80 tanke gjatë javëve të fundit, por kjo nuk e ka ngadalësuar armikun. Guximi i ushtrisë ruse ka treguar se Kremlini është në dijeni për mungesën e furnizimeve me municione të ushtrisë së Ukrainës, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vonuan aprovimin e ndihmave ushtarake.
Aprovimi i pakos së ndihmës prej 61 miliardë dollarësh nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së të shtunën dhe miratimi nga Senati të martën, e vendosi Ukrainën afër “infuzionit” për ushtrinë, që me nxitim do të dërgohet në vijën e frontit për të luftuar kundër sulmeve të fundit të Moskës. Por koha është duke kaluar, me Rusinë që po përdor gjithçka që është e mundur për ta realizuar arritjen më të madhe, që nga fillimi i pushtimit, më 9 maj, dita kur Moska përkujton Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore. Në ndërkohë, Kievi nuk ka zgjidhje tjetër vetëm ta presë rifurnizimin me armë dhe municione.
Rusia po e përdor momentumin në fushëbetejë
Duke gjetur një dritare mundësie, Rusia e ka përdorur momentumin në fushëbetejë dhe i ka shtyrë forcat e Kievit të heqin dorë nga pjesë të territorit të rëndësishëm për të, metër pas metri.
Valë të tëra me njësi të mekanizuara kanë ardhur për ta sulmuar brigadën e Tarasenkos. Duke u mbrojtur nga sulmet me dronë dhe zjarri i artilerisë, ata kanë arritur deri në Chasiv Yar, i cili është vendi kryesor i mbrojtjes së rajonit Donetsk.
“Ata kanë përqendruar burime të mëdha në mënyrë disproporcionale në këtë drejtim”, ka thënë Tarasenko, zëvendëskomandanti i brigadës së 5-të sulmuese. “Gjëja më e vështirë me të cilën duhet të përballemi është sulmi i përhershëm nga armiku, i cili nuk ndryshon, edhe pse armiku është duke pësuar humbje në numrin e ushtarëve dhe të pajisjeve ushtarake”.
Pentagoni ka thënë se mund të dërgojë armë në Ukrainë brenda disa ditësh, pasi Senati dha aprovimin e pakos së ndihmës të martën dhe presidenti Joe Biden e nënshkroi të mërkurën. Por ekspertët dhe ligjvënësit ukrainas kanë thënë se mund të nevojiten javë të tëra që ndihma të arrijë t’iu dërgohet trupave, duke i dhënë kështu Rusisë më shumë kohë për ta degraduar mbrojtjen e Ukrainës.
Përpjekjet shtatëmujore për ta kaluar pakon në mënyrë efektive, e kanë mbajtur Ukrainën peng të politikave të brendshme të aleatit të saj më të madh.
Ndihma amerikane shpresa e fundit e Kievit për ta fituar luftën
Partnerët evropianë nuk mund të krahasohen me volumin dhe fushëveprimin e ndihmës amerikane, që mbetet shpresa e fundit e Kievit për ta fituar luftën. Por kjo mbështetje ka ardhur me disavantazhe, duke përfshirë rregullat që e ndalojnë përdorimin e armëve të marra nga Perëndimi për sulme brenda Federatës Ruse. Disa zyrtarë ukrainas argumentojnë se kufizimet e tilla e pengojnë aftësinë e tyre për të iu përgjigjur sulmeve më të forta të armikut.
Duke supozuar se ndihma do të vijë gjatë dy muajve të ardhshëm, janë duke u bërë plane për një ofensivë të mundshme në fund të verës. Analistët kanë argumentuar se mbështetja e ardhshme nuk duhet të mbështetet në një betejë të madhe vendimtare, por në një strategji të qëndrueshme për disa vite.
Por së pari, Ukraina duhet t’i bllokojë përpjekjet e Rusisë për ta depërtuar vijën e mbrojtjes dhe pozicionet e ngulitura.
Muajin e kaluar, agjencia e lajmeve Associated Press, ka folur me dhjetëra komandantë përgjatë zonave aktive të vijës lindore të frontit, nga Kupiansku në verilindje deri në Bakhmut në jug. Ata kanë thënë se ushtarët i kanë racionuar predhat dhe kanë luftuar për t’i zmbrapsur sulmet e armikut me municione të pamjaftueshme të artilerisë.
Ata janë duke pasur gjithashtu mungesë të raketave të mbrojtjes ajrore, jo vetëm për sistemet “Patriot” që i mbrojnë qytetet, por edhe për sistemet taktike ajrore. Kjo është parë si mundësi nga luftëtarët bombardues rus për të hedhur mijëra bomba vdekjeprurëse ajrore kundër pozicioneve ukrainase, duke e bërë defensivën rrafsh me tokën, gjë që forcat ruse nuk kanë arritur ta bëjnë më parë.
Që nga janari, Kremlini ka pushtuar 360 kilometra katrorë të territorit ukrainas, gati sa madhësia e qytetit amerikan Detroit, sipas Institutit për Studime të Luftës me bazë në Uashington.
Ankesa për mungesë municioni që nga dhjetori
Komandantët ukrainas janë ankuar për mungesë të municioneve që nga fundi i dhjetorit. Deri në shkurt, krerët e njësive të artilerisë nga rajone të ndryshme kanë thënë se kishin më pak se 10% të furnizime që u nevojiteshin, teksa Kievi i ka nxituar t’i kursejnë predhat.
Në asnjë vend tjetër nuk janë të nevojshme furnizimet sa janë në Chasiv Yar, ku pas disa javësh luftime të forta, Moska duket e vendosur ta pushtojë qytetin. Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës, Oleksandr Syrski, ka thënë se liderët e lartë të ushtrisë ruse i kanë urdhëruar ushtarët që ta pushtojnë qytetin deri më 9 maj, Dita e Fitores së Rusisë, festë që shënjon mundjen e Gjermanisë Naziste.
Për ta arritur këtë qëllim, Rusia çdo ditë është duke kryer sulme me dronë dhe bomba rrëshqitëse mbi forcat ukrainase që nuk kanë si të kundërpërgjigjen.
Koha është thelbësore, ka thënë Yurii Fedorenko, komandant i batalionit “Achilles” i brigadës së 92-të në rajonin Chasiv Yar.
“Ata thjesht na kanë shkatërruar pozicionet tona me sulme masive. Tash këto pozicione janë duke u goditur përherë nga artileria, duke e bërë të pamundur rimarrjen e tyre”, ka thënë ai. “Tani nuk kemi me çka t’i kundërpërgjigjemi armikut”.
Duke komanduar burrat që kanë arritur nivele ekstreme të lodhjes, Fedorenko është në dijeni se rusët janë duke avancuar ngadalë përpara. Në kohën e intervistës, forcat ruse kanë qenë vetëm 500 metra larg qytetit.
“Ushtarët e vdekur do të ishin gjallë nëse SHBA-ja do ta aprovonte ndihmën”
“Ushtarët që kanë vdekur duke e mbrojtur tokën e tyre, mund të ishin gjallë tani nëse ndihma e SHBA-së do të ishte aprovuar më herët”, ka thënë ai. “Humbjet tona mund të ishin minimale dhe ne nuk do të kishim humbur territoret që më vonë duhet të rimerren”.
Rusia e ka kapur shpejt momentumin pas marrjes nën kontroll të Avdiivkas në shkurt. Menjëherë, trupat e Moskës janë përpjekur të forcojnë suksesin taktik dhe të avancojnë tutje nëpër qytetet më të mëdha dhe me rëndësi të madhe strategjike - Kostiantynivka, Sloviansk dhe Druzkhivka – të cilat së bashku formojnë murin kryesor të mbrojtjes së rajonit të Donetskut.
Fitorja në Chasiv Yar, e cila para luftës ishte e populluar nga 12 mijë banorë, do ta sillte Rusinë një hap më afër thyerjes së asaj barrikade.
“Nëse rusët arrijnë të pushtojnë Chasiv Yarin, ata janë vetëm rreth 5 deri në 7 kilometra larg nga hallka më jugore e atij zinxhiri”, ka thënë George Barros, analist në Institutin për Studime të Luftës. “Nëse Rusia arrin të avancojë deri në Kostiantynivka dhe Druzhkivka, do të jetë në gjendje ta sulmojë murin kryesor të mbrojtjes”. “Pastaj trupat futen në territorin ku rusët mund të bëjnë disa përfitime operacionale goxha të konsiderueshme dhe ta shkatërrojnë aftësinë e Ukrainës për ta mbrojtur pjesën tjetër të Donetskut”, ka shtuar ai.
Ardhja e furnizimeve të reja mund t’u japë forcave ukrainase mbrojtje dhe do t’u ndihmonte ta shtyjnë armikun prapa. Por Rusia do të vazhdojë të jetë në avantazh si për nga fuqia e ushtarëve ashtu edhe nga armatimi. Ushtria ruse ka aftësinë për të rekrutuar 20.000 deri në 30.000 vullnetarë të rinj në muaj dhe ka avantazh gati 6 me 1 sa i përket artilerisë.
Deri më tani, ky realitet ka përjashtuar çdo potencial për një kundërsulm ukrainas.
“Luftëtarët rusë nuk e kanë ndjenjën se tani do të humbasin ndonjë njësi të rëndësishme me automjete të blinduara ose njësi të ushtarëve për të cilat nuk kanë përforcime të tjera”, ka thënë Tarasenko. “Ata nuk shqetësohen për këtë gjë. Ky është avantazhi i tyre”.
Përgatiti: Latra Gashi