Teksa lufta në Ukrainë po hyn në vitin e tretë, konflikti do të përcaktohet jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në kryeqytetet perëndimore dhe vende të tjera larg vijave të frontit.
Pasi forcat ukrainase po përballen me mungesë municionesh dhe janë detyruar të tërhiqen në disa zona, aftësia e Kievit për të zmbrapsur pushtimin e Rusisë varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe politike perëndimore.
Paketa e ndihmës amerikane në Kongres
Një projektligj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që përfshin rreth 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën - pjesa më e madhe e saj ushtarake - është jetik për forcat e Kievit, kanë thënë zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas.
“Çdo javë që presim do të thotë se do të ketë më shumë njerëz të vrarë në vijën e frontit në Ukrainë”, ka thënë shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, në një konferencë të madhe sigurie në Munih fundjavën e kaluar.
Senati i SHBA-së ka miratuar më 13 shkurt projektligjin, i cili përfshin gjithashtu ndihmën për Izraelin dhe Tajvanin. Por projektligji përballet me rezistencë të fortë nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve.
Furnizimi me municion
Pjesa më e madhe e luftës është shndërruar në beteja të rënda artilerie. Të dyja palët gjuajnë mijëra predha çdo ditë.
Ukraina ka arritur të lëshojë më shumë predha se Rusia për pjesën më të madhe të vitit 2023, por gjithçka është përmbysur në favor të Rusisë, pasi Moska ka rritur prodhimin dhe ka importuar nga Koreja e Veriut dhe Irani, kanë deklaruar ekspertët.
Një faktor jetik për Kievin këtë vit do të jetë “nëse partnerët perëndimorë mund të arrijnë prodhimin e artilerisë ruse dhe të furnizojnë Ukrainën me predhat dhe tytat që i nevojiten”, ka thënë profesori Justin Bronk, studiues në Institutin britanik të mbrojtjes “RUSI”.
Vendimet për armët
Udhëheqësit ukrainas kanë shtyrë gjithashtu homologët e tyre perëndimorë të ofrojnë sisteme të reja armësh, mbi të gjitha raketa me rreze më të gjatë për të goditur përtej linjave ruse. Ata kanë kërkuar sistemet “ATACMS” të SHBA-së dhe “Taurus” të Gjermanisë.
“Ne nuk mund të rrisim prodhimin e municioneve brenda natës. Por mund të marrim vendime menjëherë për t'ua dorëzuar ukrainasve armët që u nevojiten vërtet”, ka thënë ish-shefi i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, bashkëpunëtor i ngushtë i Qeverisë së Ukrainës.
SHBA-ja ka furnizuar Ukrainën vetëm me “ATACMS” më të vjetra, me rreze të mesme. Tani administrata e Bidenit po punon drejt ofrimit të armëve më të reja, me rreze më të gjatë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u ka rezistuar lutjeve të Kievit dhe disa aleatëve të NATO-s për të furnizuar me sistemin shumë të avancuar “Taurus”. Zyrtarët gjermanë kanë përmendur shqetësimet se raketat mund të përshkallëzojnë luftën brenda territorit rus, dhe mund të shihen si përfshirje më e drejtpërdrejtë gjermane në konflikt.
Lufta në Lindjen e Mesme
Lufta në Gaza, e shkaktuar nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, do të thotë se liderët perëndimorë kanë pasur më pak kohë dhe energji politike për t'i kushtuar Ukrainës. Nëse përkeqësohet më tej ose përshkallëzohet në një luftë rajonale, situata do të bëhet edhe më e rëndë.
Perëndimi është akuzuar për standarde të dyfishta lidhur me qëndrimet e tij ndaj luftërave në Ukrainë dhe Gaza, duke e bërë më të vështirë për Kievin dhe aleatët e tij që të marrin mbështetje për një samit në mbështetje të planit të paqes të Ukrainës.
Samiti i NATO-s, Washington, 9-11 korrik
Samiti mund të mos ndikojë drejtpërdrejt në fushën e betejës, por mund të ndikojë në disponimin dhe moralin politik në Ukrainë.
Ukraina dhe disa nga mbështetësit e saj vazhdojnë ta shtyjnë NATO-n që të ftojë Kievin për t’u bashkuar me aleancën ushtarake - anëtarët e së cilës zotohen ta trajtojnë sulmin ndaj njërit prej tyre si sulm ndaj të gjithëve, ose të paktën ta afrojnë vendin drejt anëtarësimit.
Por Shtetet e Bashkuara, fuqia kryesore e NATO-s dhe Gjermania, janë ndër ato që i rezistojnë një hapi të tillë, duke argumentuar se kjo mund ta afrojë aleancën drejt një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë, sipas diplomatëve.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA
Donald Trump, një nga kandidatët e Partisë Republikane për president të ardhshëm në vazhdimësi ka qenë kritik i NATO-s. E ka bërë edhe sa ishte president në mandatin e shkuar. Ai ka kërcënuar vazhdimisht se do të tërhiqej nga aleanca. Ai ka reduktuar fondet e mbrojtjes për NATO-n dhe shpesh ka thënë se Shtetet e Bashkuara po paguanin më shumë se sa u takonte.
Për luftën e Rusisë në Ukrainë, Trumpi ka bërë thirrje për depërshkallëzimin dhe është ankuar për miliardat e shpenzuara deri më tani, megjithëse ai ka paraqitur pak propozime të prekshme politike.
Së fundmi, Trumpi bëri jehonë edhe me deklaratën se do ta shtynte Rusinë të bënte çfarë të dojë me shtetet që s’i përmbushin obligimet financiare ndaj NATO-s.
Presidenti Joe Biden, 81 vjeç, mori vendimin e diskutueshëm për të kandiduar për një mandat të dytë kryesisht sepse ishte i bindur se do të përballej me Trumpin, 77 vjeç dhe sepse ai po ashtu mendon se është demokrati që mund ta mposht në zgjedhjet e nëntorit. Por sondazhet e opinionit publik tregojnë se amerikanët vazhdojnë të shqetësohen për çmimet e larta dhe vënë në dyshim moshën e Bidenit, planet e tij ekonomike dhe politikat e tij në kufi dhe në Lindjen e Mesme.