Ishte një shtrëngim i ngrohtë duarsh që shumë pak e prisnin midis dy liderëve, i bërë në prezencën e presidentit amerikan Jimmy Carter. Në Camp David në Maryland, presidenti egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministri izraelit Menachem Begin kanë forcuar një marrëveshje historike, e cila ka lejuar mbi 40 vjet paqe midis Izraelit dhe Egjiptit. Kjo ka shërbyer si burim i rëndësishëm stabiliteti në një rajon të paqëndrueshëm, ka raportuar Associated Press.
Kjo paqe ka vazhduar gjatë dy kryengritjeve palestineze dhe një sërë luftërave mes Izraelit dhe Hamasit. Por tani, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që ka dërguar trupa izraelite në Rafah, qytet në Gaza në kufi me Egjiptin, qeveria egjiptiane po kërcënon të anulojë marrëveshjen.
Historia e lidhjes së Traktatit dhe pasojat e anulimit të tij:
Si ka nisur Traktati i Paqes?
Ishte viti 1977 dhe Begini, kryeministri i ri i Izraelit kundërshtoi dhënien e tokave të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967, gjatë luftës në Lindjen e Mesme. Njëra nga këto toka përfshinte gadishullin Sinai të Egjiptit.
Edhe
Egjipti kërcënon Izraelin me pezullim të Traktatit kryesor të paqes
Egjipti dhe Izraeli kanë zhvilluar katër luftëra të mëdha, më e vonshmja në vitin 1973. Kështu që bota u trondit nga lajmi që Sadati i Egjiptit u nda nga liderët e tjerë arabë dhe vendosi të angazhohej me izraelitët.
Bisedimet kulmuan me marrëveshjen e “Camp David” në shtator të vitit 1978 dhe një traktat paqeje vitin e ardhshëm.
Sipas Traktatit të Paqes, Izraeli pranoi të largohej nga Sinai, të cilin Egjipti do e linte të çmilitarizuar. Anijeve izraelite iu lejua kalimi nëpër Kanalin e Suezit, rrugë kryesore e tregtisë. Vendet vendosën lidhje diplomatike të plota në marrëveshjen e parë të paqes së Izraelit me një vend arab.
“Marrëveshja e ‘Camp David’ u udhëheq nga tre burra të guximshëm që morën një vendim të guximshëm, sepse i dinin efektet e paqes dhe sigurisë, edhe për atëherë edhe për të ardhmen. Kemi nevojë për udhëheqje të ngjashme, e cila për momentin mungon nga ana e qeverisë izraelite”, ka thënë Paige Alexander, shefja ekzekutive e Qendrës Carter.
Cili është pozicioni aktual i Egjiptit?
Dy zyrtarë egjiptianë dhe një diplomat perëndimor ka thënë të dielën se Egjipti mund ta pezullojë Traktatin e Paqes nëse forcat izraelite pushtojnë Rafahun.
Netanyahu ka thënë se Rafah është bastioni i fundit i mbetur i Hamasit pas më shumë se katër muaj luftë dhe se dërgimi i trupave është esencial për të mposhtur armikun.
Edhe
Tkurret plani i Bordit të Paqes në Gaza
Por Egjipti është kundër çdo lëvizjeje që mund të dërgojë palestinezët e dëshpëruar jashtë kufirit të tyre e në territorin e Egjiptit. Rafahu shërben gjithashtu si pika kryesore e futjes së ndihmave humanitare dhe një sulm nga Izraeli mund të ndalojë hyrjen e ndihmave kryesore.
Popullsia e Rafahut është rritur nga 280,000 njerëz në përafërsisht 1.4 milionë, teksa palestinezët po zhvendosen tjetër ku në Gazë. Qindra mijëra të evakuuar po jetojnë në kampe me tenda.
Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të zbatojnë planin e evakuimit të civilëve palestinezë para fillimit të ofensivës. Por nuk është e qartë se ku do shkojnë të zhvendosurit.
Çfarë do të ndodhë nëse pezullohet traktati?
Traktati limiton numrin e trupave në të dy anët e kufirit. Kjo ka bërë që Izraeli të fokusojë ushtrinë në kërcënime tjera.
Përveç luftës në Gazë, Izraeli është përfshirë edhe në përleshje thuajse të përditshme me grupin militant Hezbollah në Liban, ndërsa forcat e sigurisë i ka vendosur thellë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Nëse Egjipti pezullon marrëveshjen, kjo do të thotë që Izraeli nuk mund të shohë kufirin jugor si vend paqësor. Forcimi i forcave përgjatë kufirit me Egjiptin pa dyshim do të sfidonte ushtrinë izraelite tashmë të shpërndarë përgjatë vendit.
Edhe
Rihapet për qarkullim të kufizuar pika kufitare Rafah
Por do kishte pasoja serioze për Egjiptin gjithashtu. Egjipti ka marrë miliarda dollarë ndihmë ushtarake nga SHBA-ja që nga marrëveshja e paqes. Nëse pezullohet marrëveshja, mund të rrezikohet edhe ky financim. Një grumbullim masiv ushtarak do të prekte edhe ekonominë e Egjiptit, e cila tashmë është në vështirësi.
Përgatiti: Latra Gashi.