Egjipti ka paralajmëruar me pezullim të Traktatit të Kampit David, gur themelit të stabilitetit në Lindje të Mesme, nëse forcat izraelite futen në qytetin Rafah, që gjendet në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit. Egjipti i druhet një fluksi masiv të refugjatëve palestinezë. E diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar se një sulm në Rafah do të çonte drejt një katastrofe të madhe
(AP) – Egjipti po kërcënon ta pezullojë Traktatin e Paqes me Izraelin, nëse trupat izraelite dërgohen në qytetin shumë të populluar kufitar të Gazës, Rafah, kanë thënë dy zyrtarë egjiptianë dhe një diplomat perëndimor të dielën. Luftimet në Rafah rrezikojnë të mbyllin rrugën kryesore të territorit për furnizim humanitar.
Kërcënimi për ta pezulluar Traktatin e “Kampit David”, një gur themel i stabilitetit rajonal për afro gjysmë shekulli, u bë pasi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se dërgimi i trupave në Rafah është i nevojshëm për ta fituar luftën kundër grupit militant palestinez Hamas, luftë që po zgjat mbi katër muaj.
Gati gjysma e popullatës 2.3 milionë banorëshe e Gazës është zhvendosur në Rafah, duke ikur nga luftimet në zonat e tjera. Banorët gjenden nëpër kampe me tenda dhe streha të drejtuara nga Kombet e Bashkuara në afërsi të kufirit me Egjiptin.
Egjipti i druhet një fluksi masiv të qindra e mijërave refugjatëve palestinezë, të cilët mund të mos lejohen të kthehen kurrë më.
Kjo përplasje mes Izraelit e Egjiptit, dy aleatë të ngushtë të SHBA-së, vjen pasi grupet humanitare kanë paralajmëruar se një sulm në Rafah do të përkeqësonte situatën tashmë katastrofike humanitare në Gaza. Në Gaza rreth 80 për qind e banorëve kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe OKB-ja tha se një e katërta e popullsisë po përballet me urinë.
Edhe
Izraeli do të lejojë palestinezët të lëshojnë Gazën përmes Rafahut
Ndërkohë stacioni televiziv i Hamasit, “Al-Aqsa”, citoi një zyrtar të paidentifikuar të Hamasit që thoshte se çdo pushtim i Rafahut do të “hidhtë në erë” bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari, që synojnë armëpushimin dhe lirimin e pengjeve izraelite.
E paqartë se ku do të shkojnë civilët
Netanyahu, në një intervistë për ABC News, ka thënë se civilët në Rafah mund të ikin në veri, duke shtuar se “ka shumë zona” që janë pastruar nga ushtria. Ai ka thënë se Izraeli po zhvillon një “plan të detajuar” për t’i zhvendosur ata.
Mirëpo ofensiva ka shkaktuar shkatërrime të gjëra, veçanërisht në veri të Gazës dhe luftimet ende po zhvillohen në disa pjesë në qendër të Gazës dhe po ashtu në qytetin jugor Khan Younis. Një operacion tokësor në Rafah mund të detyrojë mbylljen e pikës kufitare, duke ndaluar kështu edhe furnizimet aq të nevojshme me ushqim e pajisje mjekësore.
Të tre zyrtarët kanë konfirmuar paralajmërimet e Egjiptit, duke folur në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin për gazetarë në këto negociata të ndjeshme.
Katari, Arabia Saudite dhe shtetet e tjera, po ashtu, kanë paralajmëruar masa të ashpra nëse Izraeli futet në Rafah.
“Një ofensivë izraelite në Rafah do të çonte te një katastrofë e tmerrshme humanitare dhe tensione të rënda me Egjiptin”, ka shkruar në platformën “X” shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së, Josep Borrell.
Shtëpia e Bardhë, që ka nxituar ta armatosë Izraelin dhe e ka mbrojtur nga thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, po ashtu, ka paralajmëruar kundër një ofensive tokësore në Rafah, duke marrë parasysh rrethanat aktuale.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se do të ishte “katastrofë” për civilët.
Izraeli dhe Egjipti kishin luftuar pesë herë para se të nënshkruanin Traktatin e Kampit David, një traktat historik i paqes i ndërmjetësuar nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Jimmy Carter, në fund të viteve 1970.
Në traktat përfshihen disa dispozita sa i përket vendosjes së forcave në të dy anët e kufirit.
Egjipti ka forcuar fuqishëm kufirin me Gazën, duke vendosur një zonë neutrale 5-kilometërshe dhe ka ngritur mure betoni. Ka mohuar pretendimet se Hamasi ende operon tunele trafikimi përfundi kufirit, duke thënë se forcat egjiptiane e kanë kontrollin e plotë në anën e saj.
Edhe
Izraeli do të mbajë të mbyllur pikën kufitare me Egjiptin
Por zyrtarët egjiptianë frikësohen se nëse thyhet kufiri, atëherë ushtria nuk do të jetë në gjendje ta kontrollojë valën e personave që do të ikin për në Gadishullin Sinai.
Kombet e Bashkuara thonë se Rafah, që normalisht ka më pak se 300 mijë banorë, tash është shtëpi e 1.4 milionë banorëve që kanë ikur nga luftimet në pjesë tjera të Gazës. Është thënë se qyteti është “tepër i mbipopulluar”.
Netanyahu ka thënë se Hamasi ende ka katër batalione atje.
“Ata që thonë se në asnjë rrethanë nuk mund të futemi në Rafah parimisht na thonë humbeni luftën, mbani Hamasin atje”, ka thënë Netanyahu.
Rritja e viktimave palestineze
Izraeli ka urdhëruar shumicën e popullatës në Gaza që të ikë në jug. Urdhri i evakuimit mbuloi dy të tretat e territorit, ndonëse rregullisht Izraeli kryen sulme ajrore në të gjitha zonat, përfshirë edhe në Rafah. Sulmet ajrore në qytet në ditët e fundit kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra palestinezëve, përfshirë gra e fëmijë.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës të dielën ka thënë se trupat e 112 personave të vrarë nëpër territor janë sjellë në spitale në 24 orët e fundit, si dhe janë sjellë në spitale edhe 173 të lënduar.
Numri total i viktimave, sipas Ministrisë, është 28 mijë e 176, që nga fillimi i luftës. Ministria nuk ndan civilët nga luftëtarët, por ka thënë se shumica e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.
Lufta nisi me sulmin e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku militantët palestinezë vranë rreth 1200 persona, kryesisht civilë, dhe kidnapuan rreth 250.
Mbi 100 pengje janë liruar në nëntor gjatë një armëpushimi njëjavor. U liruan në shkëmbim të 240 të burgosurve palestinezë.
Hamasi ka thënë se nuk do t’i lirojë pengjet përderisa Izraeli të mos e mbarojë ofensivën e të tërhiqet nga territori. Po ashtu, ka kërkuar lirimin e qindra të burgosurve palestinezë, përfshirë edhe militantë të rangut të lartë që vuajnë dënime me burg.
Edhe
Egjipti kushtëzon hapjen e kalimit kufitar me Rafahun me largimin e Izraelit nga Gaza
Netanyahu ka refuzuar kategorikisht kërkesat, duke thënë se Izraeli do të luftojë deri te “fitorja e plotë” dhe do t’i rikthejë të gjitha pengjet.