Prokurorët bullgarë po akuzojnë pesë persona për mbështetje të akteve terroriste në lidhje me një shpërthim në qendër të Stambollit që la të vdekur gjashtë persona më 13 nëntor, bëri të ditur të shtunën kryeprokurori i vendit, Ivan Geshev.
“Tre burra me origjinë moldave dhe një burrë dhe një grua me origjinë kurde siriane u arrestuan nga forcat e policisë speciale bullgare në fillim të kësaj jave, pas hetimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me prokurorët në Turqinë fqinje”, ka thënë Geshev për Reuters.
Sipas tij, të akuzuarit ishin të përfshirë kryesisht në trafikun e qenieve njerëzore përmes kufirit me Turqinë dhe kontrabandën.
Prokurorët do t'i kërkojnë një gjykate bullgare më vonë të shtunën që të mbajë katër burrat në paraburgim, ndërsa për gruan një alternativë tjetër për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.
Prokurorët turq kanë kërkuar tashmë që disa prej bashkëpunëtorëve të dyshuar në shpërthim të ekstradohen.
Të premten, një gjykatë turke urdhëroi paraburgimin e 17 personave të dyshuar si të përfshirë në shpërthim, përfshirë sulmuesin e dyshuar, të cilin policia e identifikoi si shtetasin sirian, Ahlam Albashir.
Edhe
21 të arrestuar për shpërthimin vdekjeprurës në Stamboll
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, i cili la të plagosur më shumë se 80 njerëz në rrugën Istiklal, një brez këmbësorësh i ngarkuar dhe historik.
Qeveria turke fajësoi menjëherë militantët kurdë për shpërthimin dhe policia ka thënë se sulmuesi i dyshuar ishte trajnuar nga militantët kurdë në Siri.