Në prag të pikut të sezonit turistik veror, qyteti malazez Budva nuk mund të mburret me shtretërit e mbushur në hotele dhe akomodime private.
Ndërsa pritej që fillimi i korrikut të shënohej nga kolonat e veturave që vinin me pushime, sipas të dhënave të Organizatës Turistike të Budvës, javën e kaluar kishte pothuajse një të pestën më pak turistë se në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Në një intervistë për Vijestin, zyrtarët e turizmit kanë thënë se një nga problemet kryesore që ka shkaktuar këtë rënie është lufta në Ukrainë. Sipas tyre, ata nuk arritën t’i kompensonin turistët nga Ukraina dhe Rusia, të cilët ishin dominues vitin e kaluar.
Një tjetër arsye, sipas zyrtarëve, është se disa destinacione që u mbyllën vitin e kaluar për shkak të pandemisë, tash janë hapur dhe konkurrenca është më e madhe.
Sa u përket hoteleve në Budva, po qëndrojnë rreth 11.130 turistë, ose 15 për qind më pak se në fillim të korrikut të vitit të kaluar.
Shifrat janë më keq në akomodime private, madje 23 për qind më pak se vitin e kaluar, kështu që në këtë lloj akomodimi janë regjistruar 14.478 turistë.