Odesa gjithmonë ka qenë një vend i njohur turistik, si për ukrainasit, ashtu edhe për vizitorët e huaj. Por teksa lufta vazhdon ende në Ukrainë, industria e turizmit të qyteti po përballet me ditë të këqija.
Para fillim të luftës në Ukrainë, dhjetëra turistë vizitonin qytetin e portit jugor të Odesës, si për pushim, ashtu edhe për t’i parë bukuritë e tij. Mysafirët shijonin plazhet, eksploronin qendrat historike ose udhëtonin për në Bilhorod-Dnistrovskyi, për të parë kështjellën më të madhe në Ukrainë.
Në qytet kishte konfuzion dhe çorientim total. Në supermarkete u krijuan radhë teksa njerëzit grumbullonin produkte, nga frika e mungesës së mundshme të ushqimit. Në mënyrë të ngjashme, shumë vendas u rreshtuan për të tërhequr para, të dëshpëruar për të kompensuar një avari të mundshme në sistemin bankar. Edhe mu po më iknin mendtë, pa mundur të kuptoja qartë se si do të ndikohej e ardhmja dhe puna.
Rrugët ishin pothuajse të zbrazëta, vetëm supermarketet dhe farmacitë qëndronin të hapura. Gjithçka tjetër, kafetë, restorantet, teatrot, vendet e argëtimit – ishin të mbyllura. Njerëzit dilnin vetëm sa për të blerë ushqim ose për t’i shëtitur qentë.
Marsi ishte shumë stresues, por teksa afrohej prilli, situata nisi ngadalë të ndryshonte, me kafe, sallone te bukurisë dhe dyqane që rihapeshin. Njerëzit filluan të dilnin përsëri; vendasit u dyndën në parqe, fëmijët në këndet e lojërave.
Sot, jeta normale ka filluar të kthehet. Restorantet e rrugëve kryesore kanë filluar t’i rihapin tarracat e tyre dhe ju mund t’i dëgjoni përsëri zërat e udhëtarëve, të shikoni një shfaqje opere ose baleti ose të bëni një udhëtim me autobus përreth qyteti. Por lufta vazhdon. Kjo është arsyeja pse ende ka barrikada afër ndërtesave administrative dhe bulevardi “Primorskyi”, njëra ndër pikat më emblematike dhe më të famshme turistike të qyteti, mbetet e mbyllur.
Shumica e kafeve dhe restoranteve mbyllen më së voni në orën 10; ora policore fillon në orën 23:00, pas së cilës nuk ju lejohet të jeni në rrugë. Para luftës, netët e verës në Odesa kishin të bënin me festa, filma në ambiente të hapura, në plazh dhe koncerte. Shëtitja nëpër qendër të qytetit në mbrëmje të tilla ishte magjepsëse. Tani nuk ka fare jetë nate - vetëm heshtje e frikshme.
Sezoni turistik në Odesa ka qenë gjithmonë periudha e verës nga maji deri në shtator. Në vitin 2021, më shumë se 3 milionë njerëz e vizituan qytetin, pothuajse po aq sa në kohët para COVID-19. Ky vit pritej fillimisht të ishte një vit i mirë për turizmin, me lehtësimin e kufizimeve të koronavirusit. Por më pas Rusia pushtoi vendin.
Sot, shumica e hoteleve buzë detit, si hotel “Nemo”, i cili ishte shumë i popullarizuar në kohët e paraluftës, po ballafaqohen me numrin e paktë të vizitorëve. Hotelet në qendër të qytetit, pjesa historike e Odesas, janë pak më mirë, me gazetarë të huaj dhe disa udhëtarë ukrainas që qëndrojnë atje.
“Pronarët e hoteleve kanë pasur rënie në 15-20 për qind dhe janë kryesisht gazetarët ata që bëjnë rezervime në hotelin ‘Alexandrovskiy’. Hoteli ‘M1’, i vendosur pranë plazhit, është i zënë kryesisht me udhëtarë nga Kievi”, thotë Tatyana Prodan, drejtuese e shitjeve në grupin Maestro Hotel Management.
Turizmi ka vuajtur gjithashtu edhe për shkak të minave që nënkuptojnë se është rreptësisht e ndaluar të notosh në det. Para luftës, në verë, plazhet ishin të mbushura me vizitorë. Tani është shumë ndryshe.
Disa njerëz të guximshëm ende shkojnë në plazh, pavarësisht ndalimit, madje shkojnë edhe për të notuar. Por ka pasur raste tragjike të personave të vrarë nga minat detare. Disa hotele tani ofrojnë si alternativë leje ditore për pishinë.
Muzetë mbetet të mbyllura dhe disa prej tyre veçse i kanë bartur koleksionet e tyre ne vende më të sigurta, sikurse Muzeu i Arteve të Bukura.
“Edhe përpara fillimit të pushtimit, muzetë kanë pasur një plan se si të veprojnë në situata të tilla. Por shpërthimi i luftës ishte përsëri tronditës”, shpjegoi Stanislav Kinka, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Muzeun e Historisë Rajonale të Odesës. Prioriteti i tij kryesor ishte të sigurohej që ekspozitat më të vlefshme të paketoheshin sipas listave të përpiluara më parë dhe të evakuoheshin sa më shpejt. Muzeu tani është i mbyllur për vizitorët.
Klubet e natës nuk lejohen të organizojnë festa. Sidoqoftë, Teatri Filharmonik mbetet i hapur. Dhe koncertet e bamirësisë në ambient të hapur po mbahen në parkun e qytetit në Odesa.
Qeset me rërë e rrethojnë Teatrin e Operës dhe Baletit në Odesa, i cili e ka kufizuar pjesëmarrjen në 30 për qind të kapacitetit të vendit për arsye sigurie. Nëse tingëllon sirena e sulmit ajror, shfaqjet do të ndërpriten dhe vizitorëve u jepet zgjedhja ose të largohen nga ndërtesa ose të shkojnë në strehën nën teatër. Nëse alarmi për sulmin ajror zgjat më pak se një orë, shfaqja rifillon, përndryshe ajo ndalet dhe vizitorët mund të përdorin të njëjtën biletë për të ndjekur një shfaqje të mëvonshme.
Zakonisht gjatë verës do të drejtoja grupe udhëtarësh të huaj nëpër Odesa. Do të bëja deri në tre ekskursione për turistët ukrainas në ditë gjatë fundjavave. Me fillimin e luftës e humba këtë punë dhe, të jem i sinqertë, nuk e imagjinoj dot se kur do të mund t'i rikthehem rutinës së vjetër të udhëtimeve, veçanërisht për udhëtarët e huaj. Jam i sigurt që vizitorët nga jashtë do të dëshirojnë shumë ta vizitojnë Ukrainën dhe shumë njerëz do të vijnë, por kjo mund të ndodhë vetëm pasi të përfundojë lufta dhe kur vendi të jetë plotësisht i sigurt.
Deri atëherë, ne do të vazhdojmë të jetojmë me dy realitete: teksa restorantet dhe opera qëndrojnë të hapura, sulmet vdekjeprurëse me raketa mbesin një kërcënim konstant.
(Marrë nga DW)