Për dekada, turizmi gjeneroi deri në 3 miliardë dollarë në vit për Kubën. Vizitorët mbushnin restorantet, grumbulloheshin përgjatë shëtitores së Havanës dhe mblidheshin te monumentet imponuese dhe ndërtesat shtetërore. Rrjedha e vazhdueshme e pasagjerëve rriti punësimin dhe çoi në hapjen e qindra bizneseve të vogla, përfshirë hostele dhe restorante. Sot shëtitorja kryesore është e mbushur kryesisht me çifte kubane ose peshkatarë që shpresojnë të kapin vaktin e tyre të radhës.
Është pothuajse mesditë në Havana kur një grusht turistësh zbresin nga një autobus i vogël i verdhë dhe vrapojnë drejt një rreshti makinash klasike me shkëlqim, ndërsa në duar kanë kamerat.
Aty pranë, nën hijen e një peme bregdetare, një grup shoferësh ngrihen në këmbë, disa duke shpresuar për klientin e tyre të parë të ditës.
Por, turistët bëjnë disa “selfie” të shpejta përpara makinave shumëngjyrëshe që variojnë nga një Pontiac i vitit 1950 te një Buick i vitit 1960 dhe largohen më pas.
“Kjo është e zymtë”, tha Reymundo Aldama, i cili drejton një “Ford Fairlane” kabriolet të vitit 1957, ngjyrë rozë. “Po presim që të vijnë, po presim për punë”.
Turizmi në Kubë po bie ndjeshëm në një kohë kur ishulli ka nevojë dëshpërimisht për këto të ardhura. Numri i vizitorëve ka rënë me më shumë se gjysmën që nga viti 2018. Për gati dy dekada, një rrjedhë e qëndrueshme vizitorësh nxiti një bum të turizmit, derisa pandemia e COVID-19 dhe ndërprerjet e rënda të energjisë elektrike goditën, të shoqëruara me sanksione të shtuara nga Shtetet e Bashkuara.
Tani, kubanët, jeta e të cilëve varet nga turizmi, janë ndër më të goditurit, ndërsa ishulli përgatitet për atë që ekspertët paralajmërojnë se mund të jetë një krizë ekonomike katastrofike pas ndërprerjes së dërgesave të naftës nga Venezuela, pasi SHBA-ja sulmoi vendin e Amerikës së Jugut dhe arrestoi presidentin e tij Nicolas Maduro.
Situata është tashmë akute për Rosbel Figueredo Ricardo, 30-vjeçar, i cili shet një ushqim të njohur kuban të quajtur “chivirico”, patatina mielli të skuqura të spërkatura me sheqer.
Ai dikur ngarkonte 150 qese patatinash çdo mëngjes në një tabak plastike që e balanconte mbi shpatull dhe i shiste të gjitha deri në pasditen e vonë. Sot, ai ngarkon vetëm 50 qese në ditë, punon nga agimi deri në mbrëmje dhe ndonjëherë nuk shet asnjë qese të vetme.
“Jam mekanik i nivelit të mesëm, dhe shikoni ku gjendem”, tha ai.
Figueredo është baba i tre fëmijëve, dhe në pritje të fëmijës së katërt, ndaj shqetësohet.
“Kjo është përditshmëria jonë, që të mund të hamë”, tha ai.
Një pasdite të fundit, i paaftë për të gjetur turistë pranë shëtitores së famshme bregdetare të Havanës, ai u drejtua nga Ambasada spanjolle, duke shpresuar që disa nga dhjetëra kubanët që rreshtohen çdo ditë për të kërkuar vizë për t’u larguar nga ishulli të blinin prej tij.

“Një rënie brutale”
Për dekada, turizmi gjeneroi deri në 3 miliardë dollarë në vit për Kubën.
Vizitorët mbushnin restorantet, grumbulloheshin përgjatë shëtitores së Havanës dhe mblidheshin te monumentet imponuese dhe ndërtesat shtetërore. Rrjedha e vazhdueshme e pasagjerëve rriti punësimin dhe çoi në hapjen e qindra bizneseve të vogla, përfshirë hostele dhe restorante.
Sot, shëtitorja është e mbushur kryesisht me çifte kubane ose peshkatarë që shpresojnë të kapin vaktin e tyre të radhës.
Aty pranë, mbulesat e tavolinave në restorantet bregdetare bosh valëviten në erë, ndërsa punonjësit mbajnë meny në duar dhe skanojnë horizontin për klientë që nuk vijnë kurrë.
Rreth 2.3 milionë turistë vizituan Kubën nga janari në nëntor 2025, dukshëm më pak se 4.8 milionë në 2018 dhe 4.2 milionë në 2019, përpara se të godiste pandemia.
Disa kubanë shqetësohen se tensionet në rritje mes SHBA-së dhe Kubës, ndërprerjet e ujit dhe energjisë dhe grumbujt e mëdhenj të mbeturinave në zona të njohura turistike i kanë trembur vizitorët.
Rënia dramatike e turistëve godet veçanërisht fort, sepse sanksionet e SHBA-së i hoqën Kubës pothuajse 8 miliardë dollarë të ardhura nga marsi i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2025, një humbje që është gati 50% më e lartë krahasuar me periudhën e mëparshme, sipas statistikave qeveritare.
Një pasdite të fundit, vetëm tre persona hipën në një autobus turistik dykatësh të drejtuar nga Gaspar Biart.
Ai ka 16 vjet që drejton autobus dhe kujtoi me një buzëqeshje të lehtë se sa të mbushur ishin dikur autobusët.
“Ka një ndryshim të madh”, tha ai, duke vënë në dukje se sanksionet e vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, ia kanë mbyllur dyert Kubës. “Nuk mund të marrim as frymë”.
Kur turizmi lulëzonte dhe nafta rridhte, tetë autobusë dykatësh për vizita panoramike bënin tri xhiro në ditë nëpër Havana. Tani ka vetëm katër dhe shumica janë kryesisht bosh kur nisen, tha Biart.
“Ajo që na mungon janë klientët”, tha ai. “Kjo është ajo që duan të gjithë kubanët… Turizmi është një forcë shtytëse për ekonominë e një vendi”.
Dikur formoheshin radhë të gjata pranë rreshtave të makinave klasike që prisnin pasagjerë. Kërkesa ishte aq e madhe sa ndonjëherë turistët duhej të merrnin çfarëdo makine që ishte e disponueshme, jo markën dhe modelin që preferonin.
Aldama, i cili drejton një makinë klasike, kujtoi se ndonjëherë punonte deri në orën 21:00. Sot, është me fat nëse merr një ose dy turistë për një xhiro në ditë.
Ai fajëson Trumpin, i cili në qershor 2019 ndaloi anijet turistike ta vizitonin Kubën, një nga format më të njohura të udhëtimit drejt ishullit.
Kjo çoi në atë që Aldama e përshkroi si “një rënie brutale” të turistëve, e cila, sipas tij, është përkeqësuar në gjashtë muajt e fundit.
Ai dikur tarifonte 50 dollarë për një xhiro rreth kryeqytetit. Tani, për shkak të mungesës së kërkesës, e ka ulur çmimin në 25 dhe madje në 20 dollarë nëse një turist këmbëngul për pazar.
“Ditën që do të na mbarojë karburanti, do të ndalojmë së drejtuari dhe do të kërkojmë një punë tjetër”, tha Aldama. “Nuk ka zgjidhje tjetër.”

“Çmenduri politike”
Një pasdite me diell, Vincent Seigi nga Rusia po pushonte në një stol druri përballë detit blu të thellë dhe kalasë imponuese Morro të Kubës, të ndërtuar gjatë epokës koloniale.
Ai po gërryente pjesën e bardhë të disa arrave të kokosit së bashku me dy miq.
Ai kishte vetëm dy ditë që ndodhej në Kubë.
“Prisja të ishte pak kaotike, ndoshta jo aq miqësore për turistët për shkak të situatës së ndërlikuar ekonomike”, tha ai. “Është sikur koha këtu ka ngecur pak në vend.”
Seigi tha se nuk ishte i shqetësuar nga ndërprerjet kronike të energjisë dhe mbeturinat e shumta, por tha se ishte e çuditshme të mos kishe valë telefonike.
Ai u shqetësua se ajo që po vëzhgonte në Kubë mund të ndodhte së shpejti edhe në Rusi.
“Politika nuk është e mirë, për ta thënë lehtë”, tha ai. “Ne kemi tashmë shumë sanksione për shkak të çmendurisë politike”.
Me Venezuelën, aleatin më të fortë politik dhe ekonomik të Kubës që është zhdukur për momentin, disa pyesin nëse Kina apo Rusia do të ndërhyjnë.
“Mendoj se vendi ynë tani është i aftë vetëm të ofrojë ndihmë retorike”, tha ai, si shembull të bëjë deklarata se SHBA-ja është e keqe për Kubën. Ai shtoi se nuk beson se Rusia ka burime për të ofruar dhe se ajo tashmë po përpiqet ta fitojë luftën kundër Ukrainës.
Seigi tha se ndihej sikur disa kubanë ishin të dëshpëruar për të fituar para nga turistët, me disa që shisnin puro të shtrenjta duke pretenduar se vinin nga një festival i sponsorizuar nga ish-presidenti Raul Castro.
“Ka kaq shumë njerëz të varfër, fatkeqësisht”, tha ai.
Ndërkohë, turistja braziliane Gloraci Passos de Carvalho, mësuese, tha se kishte qenë prej kohësh kurioze për sistemin politik dhe arsimor të Kubës dhe nuk ishte e trembur nga thellimi i krizës në ishull apo tensionet e vazhdueshme me SHBA-në.
Ajo tha se ishte impresionuar nga atmosfera mikpritëse e Kubës, arkitektura, por mbi të gjitha, qëndrueshmëria e saj.
“Është një mësim për njerëzit, të mbijetojnë me më pak”, tha ajo. “Në Brazil ne e quajmë ta kthesh limonin në limonadë… Kështu që e shoh në këtë kuptim, e shoh në një dritë pozitive”.