Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Brukseli zbulon planin për gazin dhe termocentralet bërthamore

Komisioni Evropian ka bërë të ditur të premten mbrëma një projekt për termocentralet bërthamore dhe të gazit, i cili synon të lehtësojë financimin e objekteve që ndihmojnë në luftimin e ndryshimeve klimatike.

Draft-teksti, i cili ka qenë në diskutim prej muajsh dhe është ende i përkohshëm, iu është dërguar vendeve anëtare më 31 dhjetor, pak para mesnatës, sipas disa burimeve të AFP-së.

Siç raportohet, ky draft-tekst përcakton kriteret për klasifikimin e investimeve në termocentralet bërthamore ose me gaz për prodhimin e energjisë elektrike si të qëndrueshme, me synimin për të drejtuar "financat e gjelbra" drejt aktiviteteve që kontribuojnë në reduktimin e gazeve serrë, raporton ‘Euronews’.

Franca, e cila dëshiron të ringjallë industrinë e saj bërthamore - një burim i qëndrueshëm e energjisë elektrike me karbon të ulët - dhe vendet e Evropës Qendrore si Polonia dhe Republika Çeke, të cilat duhet të zëvendësojnë termocentralet e tyre shumë ndotëse me qymyr, kanë bërë thirrje për një gjë të tillë.

Më tej thuhet se një klasifikim i tillë lejon një reduktim të kostove të financimit, gjë që është thelbësore për projektet në fjalë dhe për shtetet e gatshme t'i mbështesin ato.

Propozimi i Brukselit, raportohet se vendos kushte për përfshirjen e bërthamës dhe gazit, duke përfshirë një afat kohor.

Për ndërtimin e termocentraleve të reja bërthamore, projektet do të duhet të kenë marrë një leje ndërtimi përpara vitit 2045. Puna për zgjatjen e jetëgjatësisë së termocentraleve ekzistuese duhet të autorizohet para vitit 2040.

Artikuj të ngjashëm