Botë

Evropa po përgatitet për një dimër pa gaz rus

Komisioni Evropian planifikon t'i përgjigjet të gjithë skenarëve në lidhje me flukset e gazit përmes tubacionit rus Nord Stream 1, duke përfshirë mundësinë që dërgesat të mos fillojnë të enjten kur duhet të përfundojë mirëmbajtja e tubacionit, shkruan Reuters.

“Ne jemi duke punuar për çdo skenar të mundshëm dhe një nga skenarët që duhet të kemi parasysh në planifikimin e emergjencës është mundësia që furnizimi me gaz të mos rifillojë”, ka thënë të martën zëdhënësi i autoritetit ekzekutiv të Bashkimit Evropian.

Wall Street Journal raportoi më herët se Komisioni Evropian nuk priste që Nord Stream 1 të rifillonte pas mirëmbajtjes së rregullt vjetore, duke cituar Komisionerin Evropian të Buxhetit, Johannes Hahn.

“Ne jemi duke punuar mbi supozimin se Nord Stream 1 nuk do të kthehet në shërbim”, shtoi Hahn.

Komisioni po e mbështet planifikimin për situata emergjente në lidhje me dërgimin e gazit gjatë këtij dimri në supozimin se mund të ketë një ndalim të plotë të dërgesës së gazit rus në Evropë.

Supozimi është se Gazpromi nuk do të furnizojë më gaz në Evropë.

Të mërkurën, Komisioni do të shpallë planet se si vendet e BE-së mund të reduktojnë kërkesën për gaz, ndërsa Brukseli përgatitet të vazhdojë uljen e furnizimeve me gaz rus duke u përpjekur të mbushë depozitat e gazit përpara dimrit.

Një projekt-plan i BE-së, i parë nga Reuters, propozon që shtetet të nisin stimuj financiarë për kompanitë që të reduktojnë përdorimin e gazit dhe të përdorin ndihmën shtetërore për të inkurajuar industritë dhe termocentralet që të kalojnë në lloje të tjera karburanti.

Zyrtarët e BE-së thanë se Komisioni po konsideronte gjithashtu vendosjen e objektivave për vendet anëtare për të frenuar përdorimin e gazit, por se diskutimet po vazhdonin nëse objektiva të tillë do të ishin të detyrueshëm apo vullnetar.