Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Taksa kufitare e BE-së për karbonin mund të dëmtojë vendet në zhvillim

Taksa e BE-së do të hyjë në faza gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Deri në vitin 2023, importuesve do t'u kërkohet të raportojnë emetimet e ngulitura në mallrat që importojnë, megjithëse taksa mbi ato emetime nuk do të vendoset deri në vitin 2026. 1.1 miliardë dollarë e të ardhurave vjetore që priten nga CBAM-i, si dhe 9 miliardë euro të ardhura vjetore që priten nga Sistemi i Tregtimit të Emisioneve të BE-së nga 2023-2030 dhe taksat mbi korporatat shumëkombëshe, do të mbështesin Fondin e Bashkimit për rimëkëmbjen e pandemisë COVID-19 prej 750 miliardë eurosh

Në korrik të vitit 2021, Komisioni Evropian bëri diçka që asnjë institucion tjetër i madh qeverisës nuk e kishte provuar ndonjëherë: lidhi politikën tregtare me politikën klimatike. Arritja e objektivit të Bashkimit Evropian për të ulur emetimet neto të gazrave serrë me 55 për qind deri në vitin 2030 do t'i kërkojë BE-së të reduktojë emetimet si brenda ashtu edhe përtej kufijve të saj. Për këtë qëllim, iniciativa e komisionit “Fit for 55”, pako propozimesh që synon përmbushjen e objektivit të bllokut për reduktimin e emetimeve, përfshin mekanizëm të rregullimit të kufirit të karbonit (CBAM) - taksë importi e krijuar për të penguar vendet e tjera në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

CBAM-i do të tatonte mallrat e importuara të shitura në tregjet e BE-së në bazë të përmbajtjes së tyre të karbonit (emetimet e nevojshme për t'i prodhuar ato), e cila varet nga inputet e tyre materiale dhe energjetike. Taksa e propozuar synon të adresojë të ashtuquajturën rrjedhje të karbonit, e cila ndodh kur bizneset në BE zhvendosin prodhimin në vendet joanëtare me rregulla më pak të rrepta për emetimet.

Me fjalë të tjera, Evropa nuk do të injoronte më efektet klimatike të mallrave të huaja. Por ndërsa masa mund të ndihmojë në reduktimin e emetimeve dhe të nivelizojë fushën konkurruese për firmat me bazë në BE, proteksionizmi tregtar që ajo sjell rrezikon të dëmtojë vendet në zhvillim.

CBAM-i fillimisht do të zbatohet për industritë me emetimet më të larta më të rrezikuara nga rrjedhjet - hekuri dhe çeliku, çimentoja, plehra, alumini dhe prodhimi i energjisë elektrike - dhe ka të ngjarë të zgjerohet në sektorë të tjerë në vitet e ardhshme. Aktualisht produktet e BE-së në këto industri tatohen me çmimin vendës të karbonit, por ato nga jashtë bllokut jo. Nëse një vend tashmë ka një çmim të brendshëm të karbonit, taksa kufitare do të ulet ose do të hiqet; kjo ka për qëllim të inkurajojë vendet që të taksojnë karbonin në tregjet e tyre. Ato që nuk mund ose nuk do të vendosin një taksë karboni do të duhet të paguajnë taksën e plotë.

Taksa e BE-së do të hyjë në faza gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Deri në vitin 2023, importuesve do t'u kërkohet të raportojnë emetimet e ngulitura në mallrat që importojnë, megjithëse taksa mbi ato emetime nuk do të vendoset deri në vitin 2026. 1 miliard euro (1.1 miliardë dollarë) të të ardhurave vjetore që priten nga CBAM-i, si dhe 9 miliardë euro të ardhura vjetore që priten nga Sistemi i Tregtimit të Emisioneve të BE-së nga 2023-2030 dhe taksat mbi korporatat shumëkombëshe, do të mbështesin Fondin e Bashkimit për rimëkëmbjen e pandemisë COVID-19 prej 750 miliardë eurosh. Këto burime të reja të ardhurash do të përfshijnë prioritetet e BE-së – përfshirë transicionin e gjelbër – në buxhetin e bllokut për herë të parë.

Edhe OpEd Rasti i taksave për importim të karbonit

Megjithëse ende nuk është miratuar, taksa e propozuar tashmë po ndikon në vendimet e politikëbërësve dhe kompanive në partnerët tregtarë të BE-së. Për shembull, Turqia dhe Indonezia planifikojnë të vendosin taksat e karbonit për të zbutur efektet e CBAM-it në ekonomitë e tyre. Turqia është shumë e ekspozuar, sepse BE-ja përbën 41 për qind të eksporteve të saj. Indonezia eksporton miliarda euro vaj palme dhe kimikate në BE – mallra që mund të bien nën taksën më të gjerë kufitare. Miratimi i çmimit vendës të karbonit do t'i lejojë të shmangin një pjesë ose të gjithë CBAM-it dhe të mbajnë të ardhurat tatimore në vend që t'i transferojnë ato në BE.

Ndërkohë, disa kompani me bazë në BE në industri të tilla si hardueri kompjuterik po kërkojnë të rinovojnë operacionet e prodhimit përpara prezantimit të CBAM-it. Motivi i tyre kryesor nuk pasqyron koston e taksës aq shumë sa kompleksitetin e mundshëm, burokracinë dhe paparashikueshmërinë e sistemit. Është më e lehtë dhe më e lirë për kompanitë që të zhvendosin prodhimin në BE dhe të shmangin pengesat administrative që mund të krijojë CBAM-i.

Ndryshime të tilla do të jenë fitore për ekonominë dhe mjedisin e BE-së. Dhe pushtimi i Rusisë në Ukrainë mund të përshpejtojë përpjekjet e BE-së për të arritur vetëmjaftueshmëri më të madhe ekonomike, jo më pak duke reduktuar varësinë e saj nga importet me energji intensive të hekurit dhe çelikut rus.

Por ekonomitë në zhvillim, të cilat shpesh varen nga produktet e prodhuara, ka të ngjarë të përjetojnë një rrjedhje të aktivitetit ndërsa firmat zhvendosen në BE. Në vend që të trajtojë vetëm rrjedhjet e karbonit dhe t'i lërë vendet në zhvillim të përshtaten sa më mirë që të munden, BE-ja duhet të ndajë një pjesë të të ardhurave nga CBAM-i të propozuara për të ndihmuar në nxitjen e transicionit të drejtë të gjelbër për vendet më të varfra.

Nuk është e lehtë apo e lirë të dekarbonizohen mallrat me intensitet energjie si çimentoja dhe çeliku. Por BE-ja mund të parandalojë efektet negative për ekonomitë në zhvillim – jo vetëm duke pritur që vendet me të ardhura më të ulëta të vendosin taksat e tyre të karbonit (që do të jetë sfidë, duke pasur parasysh aftësinë e tyre të kufizuar administrative në këtë fushë), por edhe duke i mbështetur ato që kanë nevojë për ndihmën më të madhe për të reduktuar emetimet e tyre.

Mbështetja e tillë mund të sigurohet duke dedikuar burime dhe teknologji për të përmirësuar efikasitetin e proceseve industriale, duke financuar projekte të energjisë së rinovueshme dhe duke përjashtuar vendet më të varfra nga CBAM-i, kur është e nevojshme. BE-ja gjithashtu duhet të ndajë një pjesë të të ardhurave të CBAM-it për të ndihmuar vendet në zhvillim të adoptojnë teknologji më të pastra - për të prodhuar çimento më të gjelbër në Vietnam ose kimikate në Indonezi, për shembull - dhe kështu të reduktojë emetimet në afat të gjatë.

Edhe Çfarë nënkupton për Evropën plani i BE-së për klimën? Botë Çfarë nënkupton për Evropën plani i BE-së për klimën?

Evropa e sheh veten si lidere globale në garën për emetimet neto zero. Duke ndihmuar në financimin e transicionit të gjelbër të botës në zhvillim, BE-ja mund të zbusë kërcënimin proteksionist në agjendën e vet klimatike.

(Miriam González Durántez është avokate e tregtisë ndërkombëtare dhe ligjëruese e ftuar në Universitetin Stanford. Calli Obern, kandidate master në politikat ndërkombëtare në Universitetin e Stanfordit, është studiuese në Ecospherics, firmë këshilluese që fokusohet në çështjet mjedisore dhe të sigurisë kombëtare. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)