Komisioni Evropian ka konfirmuar përkushtimin për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në sektorin e energjisë nëpërmjet ndihmës financiare dhe integrimit të tregut energjetik. Përfituese e masave të BE-së për energjinë pritet të jetë edhe Kosova. Ekspertë vlerësojnë se një marrëveshja në nivel evropian për energjinë e bën më të lehtë edhe përballimin e krizës aktuale
Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në politikat për energjinë është vendosur në qendër të interesimit të Komisionit Evropian. Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënës të këtij Komisioni kanë treguar se tashmë është bërë e qartë mbështetja e gjithanshme e rajonit dhe po ashtu se ekziston një plan për investimin e dhjetëra miliardë eurove në energji për vitet e ardhshme.
“Mbështetja në fushën e energjisë do të forcohet përmes Planit Ekonomik dhe Investues, që do t’i vë në lëvizje 30 miliardë euro investime në vitet e ardhshme për ta ndihmuar rimëkëmbjen afatgjate të rajonit, ta nxitë integrimin rajonal dhe konvergjencën me BE-në. Theks të veçantë do të vendoset tek integrimi i tregut energjetik, dekarbonizimi e energjia e pastër, tranzicioni i drejtë, rritja e digjitalizimit të sistemit dhe rrjeteve të mençura, efiçienca e energjisë, duke përfshirë edhe modernizimin e ngrohjes qendrore dhe sigurinë energjetike”, është thënë nga Komisioni Evropian.
Koordinimi i masave edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas Komisionit Evropian, minimizojnë efektet e luftës në Ukrainë.
“Komisioni ka shprehur qëllimin e tij për t’i dhënë vëmendje të veçantë ndikimit të luftës, në veçanti sektorët e ndikuara në planifikimin e IPA III dhe linjave të tjera të asistencës financiare përmes zbatimit të Planit Ekonomik e Investues për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe mbështetjen për tranzicionin e energjisë dhe diversifikimin e furnizimit me energji në rajon. Ballkani Perëndimor është partner i BE-së. Duke marrë parasysh perspektivën evropiane dhe integrimin e afërt me tregun e BE-së, BE-ja ka interes të qartë që ta ndërlidhë atë në masat që merren për ta zbutur efektin e luftës ruse në Ukrainë”, është thënë gjithashtu nga Komisioni Evropian.
Komisionerja për Energjinë, Kadri Simson, para takimit me ministrat e Energjisë të vendeve të Evropës, ka theksuar se çështja e çmimit e energjisë kërkon zgjidhje të menjëhershme me një aranzhim në nivel evropian, ku duhet të reduktohet konsumi i gazit.
Ndërsa, ekspertët e energjisë thonë se tash për tash në BE problem është se mbizotërojnë politikat nacionale të subvencionimit dhe deri më tani nuk ka konsensus për politika të ballafaqimit të krizës në nivel evropian. Marrëveshja në nivel të unionit, sipas Adhurim Haxhimusës, profesor në Universitetin e Shkencave të Aplikuar në Grizon të Zvicrës, do të sillte përfitim edhe për Kosovën e rajonin, shkaku i përmirësimit të tregut në kuptimin e çmimeve.
“Nëse BE-ja i jep përgjigje të duhur krizës energjetike, të duhur në kuptimin që pjesa më e madhe e vendeve të jenë të kënaqura, me të unë besoj që edhe Kosova do të përfitonte prej saj. Nëse vazhdohet me politika unilaterale, domethënë të njëanshme nga secili vend, atëherë kriza vetëm se do të thellohet”, ka thënë Haxhimusa.
Qëndrimin e Kosovës në përkrahje të Ukrainës e ka përmendur edhe Rizvanolli në fjalimin e saj para ministrave të Energjisë në Pragë gjatë së mërkurës. Ministrja i ka kërkuar BE-së “ta hartojë një pako të menjëhershme financiare” që u mundëson Kosovës e rajonit “të ndërmarrim masa më të gjera në përballje me krizën”.