Botë

Britaniku i zënë rob nga separatistët në Ukrainë xhirohet duke kënduar himnin rus

Një britanik që po përballet me vdekje me pushkatim në lindje të Ukrainës është xhiruar në qelinë e tij të burgut duke kënduar himnin rus.

I parruar dhe në rroba të vjetërsuara, Aiden Aslin, 28 vjeç, shihet në këmbë duke kënduar himnin shtetëror të Federatës Ruse në videon 140 sekondëshe të postuar në internet nga televizioni shtetëror rus i kontrolluar nga Kremlini, raportoi DailyMail të dielën.

Derisa ai këndon, John Dougan, ish-oficer i policisë amerikane, qëndron krah tij duke buzëqeshur. Kur ai mbaron, Dougan – propagandist i njohur rus në Ukrainë – thotë: “Fantastike”.

Pamjet dolën pas raportimeve se një tjetër britanik i burgosur, Paul Urey, ka vdekur në burg.

Ndërsa mund të jetë filmuar nën presion, videoja ofron dëshmi se Aslin është gjallë, ndryshe nga Urey i cili u kap nga militantët pro-rusë kur po përpiqej të shpëtonte një grua në Donetsk.

Aslin u zu bashkë me Shaun Pinner në qershor dhe u mbajt në burg nga separatistët pro-rusë. Të dy lëvizën në Ukrainë pas vitit 2016, u vendosën në Mariupol dhe iu bashkuar ushtrisë ukrainase si marinsa.

Pavarësisht rolit të tyre si ushtarë profesionalë, ata u akuzuan se janë mercenarë dhe u dënuan me vdekje.