Qeveria britanike i ka hedhur poshtë kritikat se po shpërblente grupin militant Hamas, pasi shpalli planet për të njohur një shtet palestinez nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa për të përmirësuar situatën në Rripin e Gazës dhe për të sjellë paqe.
Ultimatumi i kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili vendosi afat deri në muajin shtator për Izraelin, ka shkaktuar menjëherë reagime të ashpra nga homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu, që është shprehur se ky vendim e shpërblen Hamasin dhe ndëshkon viktimat e sulmit të 7 tetorit të vitit 2023, ka shkruar Reuters.
Në anën tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nuk mendon që Hamasi “duhet të shpërblehet” me njohjen e shtetësisë palestineze.
E pyetur rreth kësaj deklarate, ministrja britanike e Transportit, Heidi Alexander, ka theksuar se kjo s’është mënyra e duhur për ta përshkruar planin e Britanisë.
“Ky s’është shpërblim për Hamasin. Hamasi është një organizatë terroriste e neveritshme që ka kryer mizori të tmerrshme. Kjo ka të bëjë me popullin palestinez. Ka të bëjë me ata fëmijë që i shohim në Gazë duke vdekur nga uria”, ka thënë ajo për radion LBC.
Pamjet e fëmijëve të uritur në enklavën palestineze kanë tronditur botën gjatë ditëve të fundit, teksa të martën një organizatë monitoruese për urinë ka paralajmëruar se skenari më i keq i urisë po zhvillohet në atë zonë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm për të shmangur shkallën më të lartë të vdekjeve.
-
Starmer: Njohja e shtetit palestinez, s’është shpërblim për Hamasin
-
Njohja e Palestinës nga Britania, familjet e pengjeve izraelite i shkruajnë Starmerit
-
Britania planifikon ta njohë shtetin e Palestinës pas vizitës së Trumpit
-
Starmer: Plani i ri izraelit do të sjellë më shumë gjakderdhje
-
Trumpi thotë se SHBA-ja s’e ka në plan ta ndjekë shembullin e Britanisë për shtetin palestinez