Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Brenda lagjes përvëluese të Barcelonës: “El Raval”

Barcelona

Apartamentet e mbipopulluara, të ardhurat e ulëta, mungesa e pemëve dhe banesat pa izolim termik e kanë vendosur lagjen e Barcelonës  “El Ravalin” - zemrën e komuniteteve migrante të qytetit, në vijën e parë të Evropës përballë temperaturave ekstreme.

Një perëndim me nuanca rozë, portokalli dhe blu mbulon qiellin, ndërsa dielli zhduket pas horizontit. Megjithatë, vapës mbytëse dhe lagështisë së lartë nuk u vjen fundi.

Në bregun e Barcelonës, një grup grash pakistaneze kërkojnë freski pranë ujit. Të veshura me rroba të lehta pambuku me ngjyra të ndezura, disa shtrihen mbi rërën e lagur duke lënë dallgët t’u freskojnë trupin. Të tjera kërcejnë në ujërat e cekëta nën tingujt e muzikës nga vendlindja që dëgjohet nga një altoparlant, ose qetësohen nën dushet publike të plazhit.

Më 8 korrik, Barcelona regjistroi temperaturën më të lartë të matur ndonjëherë në qytet, 40.7°C, gjatë valës së të nxehtit që përfshiu Evropën. Në të gjithë Barcelonën, që nga fillimi i korrikut janë regjistruar rreth 205 vdekje të lidhura me temperaturat ekstreme.

Një studim i botuar vitin e kaluar në revistën shkencore “Nature Medicine” parashikon se, në skenarin më të keq, Barcelona mund të regjistrojë mbi 246 mijë vdekje të shkaktuara nga nxehtësia në periudhën 2015–2099, më shumë se çdo qytet tjetër evropian. Kjo lidhet kryesisht me klimën mesdhetare dhe dendësinë e lartë urbane. Situatën e rëndon edhe i ashtuquajturi “efekti i ishullit të nxehtësisë”, ku ndërtesat e shumta, ndotja, asfalti dhe mungesa e hapësirave të gjelbra grumbullojnë nxehtësinë dhe rrisin temperaturat.

Megjithatë, rreziku nga temperaturat e larta nuk prek të gjithë banorët e Barcelonës në të njëjtën mënyrë. Lagjja El Raval, në qytetin e vjetër, konsiderohet zona më e cenueshme ndaj nxehtësisë, veçanërisht gjatë natës, sipas Indeksit të Cenueshmërisë Klimatike (IVAC), një mjet i krijuar në vitin 2022 për të identifikuar zonat që preken më rëndë nga valët e të nxehtit.

Edhe Evropa Perëndimore thyen rekordin e temperaturave Botë Evropa Perëndimore thyen rekordin e temperaturave

Elena Domene, koordinatore dhe bashkautore e këtij indeksi, thotë për Al Jazeera se zhvillimi i tij u bë i domosdoshëm pasi vitet e fundit valët e të nxehtit ishin bërë gjithnjë e më të shpeshta. “Duhej ta kuptonim se ku njerëzit do të vuanin më shumë”, shpjegon ajo.

Në Barcelonë, një valë  e të nxehtit përkufizohet si të paktën tri ditë radhazi me temperatura maksimale mbi 33.1°C.

“El Raval” është veçanërisht e ekspozuar për shkak të disa faktorëve. Është një nga 15 lagjet më të dendura të qytetit, ka të ardhurat e dyta më të ulëta mesatare vjetore - rreth 15.050 euro, dhe renditet ndër zonat me më pak hapësira të gjelbra, sipas të dhënave të Agjencisë së Shëndetit Publik të Katalonjës.

Edhe brenda banesave nuk ka shumë lehtësim. Një hartë e përgatitur nga Grupi Kërkimor për Arkitekturën, Energjinë dhe Mjedisin në Universitetin Politeknik të Katalonjës (UPC) tregon se një pjesë e madhe e banesave nuk kanë izolim termik dhe ventilim të mirë, duke bërë që nxehtësia të mbetet e bllokuar brenda dhe kushtet e jetesës të bëhen gjithnjë e më të padurueshme.

Lagjja është gjithashtu një nga qendrat kryesore të komuniteteve emigrante në Barcelonë. Rreth 67 për qind e banorëve kanë lindur jashtë Spanjës, kryesisht në Pakistan, Filipine dhe Indi, duke e bërë “El Ravalin” lagjen me përqindjen e dytë më të lartë të banorëve me origjinë të huaj.

Një çast lehtësimi

Në një nga rrugicat e ngushta të “El Ravalit” ndodhet Shoqata Kulturore, Arsimore dhe Sociale e Grave Pakistaneze (ACESOP), e cila ofron një strehë të përkohshme nga vapa. Çdo të premte, në sallën e saj ku ventilatorët punojnë pa ndërprerje, gratë emigrante mblidhen për të ngrënë së bashku dhe për të mbështetur njëra-tjetrën.

Themeluesja e shoqatës, Huma Jamshed Bashir, thotë për Al Jazeera se gjatë pasditeve dhe netëve të nxehta shumë banorë ecin rreth 20 minuta për të arritur në një qendër tregtare me ajër të kondicionuar ose në plazh, në përpjekje për t’i shpëtuar vapës së padurueshme në apartamentet e mbipopulluara.

Shumë prej tyre qëndrojnë aty derisa i zë gjumi. Ndërsa ata që nuk mund të ecin aq larg ulen përgjatë Rambla del Raval, një nga të paktat hapësira me pemë në lagje.

Temperaturat e larta gjatë natës janë tashmë një realitet i matshëm. Deri më 20 korrik, Barcelona kishte regjistruar 25 “net tropikale”, me temperatura minimale nga 20 deri në 24.9°C, dhe 25 “net torride”, kur temperaturat nuk zbresin nën 25°C. Kjo shifër pothuajse arrin numrin total të netëve me vapë ekstreme që qyteti përjetoi gjatë gjithë vitit 2025.

Reena Mazhar, e cila merr pjesë herë pas here në aktivitetet e ACESOP-it, mbërriti nga Lahore e Pakistanit vetëm gjashtë muaj më parë. As ajo dhe as bashkëshorti i saj nuk kanë gjetur ende punë. Ata jetojnë në një dhomë të vetme në “El Raval”, ndërsa katër persona të tjerë ndajnë dhomën ngjitur. Në banesë nuk kanë as ventilator.

“E vetmja gjë që mund të bëj është të lagem vazhdimisht, të bëj dush ose të dal jashtë në kërkim të një vendi ku mund të marr frymë”, thotë 40-vjeçarja për Al Jazeera, ndërsa ulet në një divan në ambientet e shoqatës. Gratë e tjera vazhdojnë të bisedojnë pas drekës, duke kërkuar strehim nga vapa përvëluese.

Pranë ACESOP-it, në një shesh ku më pak se gjysma e sipërfaqes mbulohet nga hija e pemëve, 16-vjeçari Adam Halui përpiqet të ndalojë një hemorragji nga hunda, një problem që, sipas tij, shfaqet sa herë temperaturat rriten shumë. Ai freskon fytyrën në një shatërvan publik përballë qendrës komunale Josep Trueta për të moshuarit, e cila funksionon si një strehë klimatike me ajër të kondicionuar.

Barcelona ka rreth 500 qendra të tilla, 15 prej tyre vetëm në “El Raval”. Ato përfshijnë biblioteka, muze, parqe dhe ambiente të tjera publike të hapura për këdo që ka nevojë të mbrohet nga temperaturat ekstreme. Megjithatë, këto strehëza kanë edhe kufizime.

Arkitektja dhe profesoresha e urbanistikës në Universitetin Politeknik të Katalonjës, Blanca Arellano Ramos, bashkautore e një studimi të vitit 2023 mbi efektivitetin e këtyre qendrave për personat mbi 65 vjeç, tregon se gjatë natës vetëm 15 për qind e të moshuarve kanë qasje në një strehë klimatike brenda 10 minutash ecje, pasi shumica e tyre mbyllen në mbrëmje. Edhe disa ambiente të tjera, si oborret e shkollave të përcaktuara si strehë, qëndrojnë të mbyllura gjatë pushimeve verore.

Sipas saj, nuk mjafton që një ndërtesë të quhet strehë klimatike. “Cilësia ka rëndësi. Duhet të ketë vende ku njerëzit mund të ulen, të pinë ujë ose të freskohen”, thekson Arellano Ramos.

Brenda qendrës komunale për të moshuarit, 70-vjeçarja Margarita Medina, banore e “El Ravalit”, kalon disa orë për t’i shpëtuar vapës. Ajo jeton vetëm dhe vuan nga fibromialgjia, një sëmundje kronike që shkakton dhimbje të vazhdueshme në trup dhe lodhje të madhe. Edhe pse në shtëpi ka kondicioner, nuk mund ta përdorë sepse i përkeqëson simptomat.

Edhe Opinion Evropa po merret me gjëra të vogla ndërsa Roma po digjet

“Nuk kam oksigjen të mjaftueshëm në mushkëri, prandaj e përjetoj shumë rëndë vapën”, thotë ajo, ndërsa merr mjetin ndihmës për ecje para se të largohet nga qendra.

Një studim i fundit i Institutit të Kërkimeve Urbane të Barcelonës (IDRA) paralajmëron se gratë e moshuara me të ardhura të ulëta, që jetojnë vetëm në banesa të paizoluara mirë, janë grupi me rrezikun më të lartë për të humbur jetën gjatë valëve të të nxehtit.

Sipas Arellano Ramos, planifikimi urban duhet të përqendrohet më shumë te rinatyralizimi i qytetit, përmes shtimit të hapësirave të gjelbra. Megjithatë, kjo kërkon burime të konsiderueshme ujore dhe hapësira të mjaftueshme për mbjelljen e pemëve. Edhe pse aktualisht furnizimi me ujë është i qëndrueshëm, gjatë thatësirës së vitit 2023 përdorimi i tij u kufizua vetëm për nevoja thelbësore.

Këshilli Bashkiak i Barcelonës synon të mbjellë më shumë lloje pemësh që i përshtaten klimës së ngrohtë, me objektivin që ato të përbëjnë 36 për qind të fondit të pemëve në distriktin Ciutat Vella, ku bën pjesë “El Raval”, si pjesë e planit të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, koordinatori për pyllëzimin urban në bashki, Pere de Mas, shpjegon se përveç kostove dhe sfidave logjistike, edhe periudhat e papritura të të ftohtit gjatë dimrit e bëjnë të vështirë rritjen e këtyre llojeve. Për më tepër, shumica e fidanishteve evropiane vazhdojnë të prodhojnë kryesisht pemë që i përshtaten klimës së ftohtë.

“Ka shumë pak prodhues të pemëve që i rezistojnë klimës së ngrohtë”, përfundon ai.

Banorët marrin iniciativën në duart e tyre

Në mes të vapës përvëluese të lagjes, një oazë e vogël që u ofron banorëve freski dhe strehim tani rrezikon të mbyllet.

Bëhet fjalë për një hapësirë komunitare të gjelbër, të krijuar, mirëmbajtur dhe administruar tërësisht nga vullnetarët e lagjes. Është një vend ku banorët jo vetëm gjejnë pak freski gjatë ditëve të nxehta, por edhe ndërtojnë lidhje sociale dhe mbështesin njëri-tjetrin.

Në vitin 2014, dhjetëra banorë vendosën “të pushtonin” një truall të lënë pas dore, dikur një parcelë e mbuluar me shkurre dhe mbeturina, pranë vendit ku policia kishte vrarë një burrë. Ata e shndërruan atë në një hapësirë komunitare, të cilën e quajtën “Agora Juan Andres Benitez”, në kujtim të tij.

Gjashtë efektivë të Mossos d’Esquadras, policisë rajonale të Katalonjës, u shpallën fajtorë për vrasje nga pakujdesia dhe u dënuan me nga dy vjet burgim. 

Juan Andres Benitezin, 50-vjeçar ishte arrestuar pas një përleshjeje në rrugë, sipas mediave spanjolle. Hetimet zbuluan se policët përdorën forcë joproporcionale për rreth 12 minuta, gjë që çoi në vdekjen e tij disa orë më vonë në spital.

Që atëherë, kjo zonë është shndërruar në një hapësirë të lirë, të mbushur me bimësi, e cila ndihmon në uljen e temperaturave, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ruajtjen e biodiversitetit. Megjithatë, projekti është përballur vazhdimisht me kundërshtimin e autoriteteve dhe tashmë një gjykatë ka caktuar datën 8 tetor për dëbimin e komunitetit nga kjo hapësirë.

“Kjo është një hapësirë komunitare që forcon solidaritetin dhe bashkëjetesën mes banorëve. Lagjja ka shumë nevojë për vende të tilla”, thotë Margarita Hernandez, banore e “El Ravalit” dhe anëtare e “Agoras.” Fjala “agora” vjen nga greqishtja e lashtë dhe nënkupton një vend takimi dhe diskutimi publik.

Por “Agora Juan Andres Benitez” nuk është vetëm një strehë kundër vapës. Çdo vit aty shpërndahen rreth 16 mijë vakte falas ose me kosto të ulët. Hapësira funksionon edhe si një rrjet informal kujdesi, ku familjet ndajnë përgjegjësitë për përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe të afërmve. Aty organizohen vizita shkollore, zhvillohen punëtori edukative pa pagesë dhe ofrohen informacione mbi shëndetin. Mbi të gjitha ajo është kthyer në një vend të sigurt për banorët më të pambrojtur të “El Ravalit”, përfshirë emigrantët pa dokumente, personat e pastrehë, punonjëset e seksit dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Ata që e frekuentojnë këtë hapësirë kanë frikë se, nëse ajo mbyllet, banorëve të lagjes nuk do t’u mbetet më asnjë vend ku mund të gjejnë freski gjatë valëve të të nxehtit.

Edhe Franca dhe Spanja vazhdojnë të luftojnë me zjarret Botë Franca dhe Spanja vazhdojnë të luftojnë me zjarret

Isa Fernandez, e ulur nën hijen e dendur të “Agoras”, thotë se nuk mund ta imagjinojë lagjen pa këtë vend.

“Autoritetet nuk e kuptojnë pse ‘Agora’ duhet të vazhdojë të ekzistojë. Nuk e kuptojnë çfarë do të thotë kjo hapësirë dhe sa shumë ndikon në jetën e gjithë lagjes”, shprehet ajo. “Ky është bërë një vend mikpritës për shumë njerëz. Është krejt ndryshe të vish këtu, mes gjelbërimit, sesa të rrish në një stol në rrugë nën vapën përvëluese”.