Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bota me hapa të kujdesshëm drejt rimëkëmbjes nga pandemia

Me rënien e numrit të rasteve me COVID-19, Emily Safrin bëri diçka që nuk e kishte bërë që nga fillimi i pandemisë dy vjet më parë: Ajo la mënjanë frikën dhe shkoi në një koncert.

Dy vjet pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli COVID-19 një pandemi, duke ndryshuar botën brenda natës, lehtësimi dhe shpresa po zvarriten pas një periudhe të gjatë e të errët humbjeje, frike dhe pasigurie të thellë për të ardhmen.

“Të gjithë duhej të vaksinoheshin ose të kishin një test negativ, dhe unë thashë: “Dreqin, thjesht do të jetoj jetën time”, ka treguar Safrin për përvojën e saj në koncert. “Ishte dërrmuese, për të qenë e sinqertë, mirëpo ndihesha edhe shumë mirë që isha në gjendje të kthehesha sërish pak në normalitet”.

Bota më në fund po del nga një shtrirje brutale e dimrit të dominuar nga varianti shumë ngjitës i Omicronit, duke sjellë një ndjenjë lehtësimi në dyvjetorin e fillimit të pandemisë.

Ishte data 11 mars 2020 kur OBSH-ja nxori deklaratën e saj, duke çuar në shtëpi ashpërsinë e kërcënimit me të cilin përballej një virus që në atë moment kishte bërë kërdi kryesisht në Itali dhe në Kinë. SHBA-ja kishte 38 vdekje të konfirmuara nga koronavirusi dhe 1.300 raste në mbarë vendin në atë datë, mirëpo realiteti po fillonte të zhytej: stoqet u mbushën, klasat filluan të mbylleshin e njerëzit filluan të mbanin maska. Brenda pak orësh, NBA-ja po i anulonte lojërat, parada e madhe e Ditës së Shën Patrikut në Çikago u shkatërrua, kurse komedianët e orëve të vona filluan xhirimet nga studiot boshe-apo edhe nga shtëpitë e tyre.

Edhe OBSH: Afro 10 mijë persona vdiqën nga COVID-19 muajin e kaluar nëpër botë Botë OBSH: Afro 10 mijë persona vdiqën nga COVID-19 muajin e kaluar nëpër botë

Që atëherë, më shumë se 6 milionë njerëz kanë vdekur në mbarë botën, gati 1 milion në SHBA. Miliona janë larguar nga puna, studentët i kanë duruar tre vjet shkollë me ndërprerje. Shfaqja e vaksinës në dhjetor të vitit 2021 shpëtoi jetë të shumta, ama ndarjet politike, hezitimi dhe pabarazia në sistemet shëndetësore kanë mbajtur miliona njerëz në mbarë botën të pavaksinuar, duke e zgjatur pandeminë.

Image

Përmirësimi i gjendjes

Sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shtrimet në spital të njerëzve me COVID-19 kanë rënë me 80% në gjashtë javët e fundit në të gjithë SHBA-në që nga kulmi i pandemisë në mes të janarit, duke rënë në nivelet më të ulëta që nga korriku i vitit 2021. Numërimi i rasteve ka ndjekur të njëjtën linjë prirjeje deri në numërimin më të ulët që nga vera e kaluar gjithashtu. Edhe numri i vdekjeve që zakonisht mbetet pas rasteve dhe shtrimeve në spital, është ngadalësuar ndjeshëm në muajin e fundit.

Në raportin e saj të fundit pandemik, OBSH-ja ka bërë të ditur se infeksionet dhe vdekjet janë ulur në të gjithë globin, me vetëm një rajon - Paqësorin Perëndimor – duke parë një rritje të rasteve. Lindja e Mesme dhe Afrika panë se rastet ranë përkatësisht me 46% dhe 40%.

Një diçka tjetër pozitive: Vala e Omicronit dhe vaksinimet kanë lënë mjaft njerëz me mbrojtje kundër koronavirusit, saqë kulmet e ardhshme ka të ngjarë të kërkojnë shumë më pak përçarje në shoqëri, kanë shpjeguar ekspertët.

Askund nuk është më i dukshëm ndryshimi i pandemisë, sesa në spitalet e vendit, ku njësitë e kujdesit intensiv kritik ishin të tejmbushura me pacientë të sëmurë vetëm disa muaj më parë.

Julie Kim, shefja e infermierisë në Qendrën Mjekësore në Fullerton, Kaliforni, emocionohet teksa kujton ditët më të zymta të pandemisë kur mjekët e infermierët punonin pa ndalur e nuk shkonin në shtëpi nga frika se mund ta bartnin virusin.

Në një pikë të rritjes në verën e vitit 2020, në spital ishin 250 pacientë me COVID-19 të licencuar për 320 shtretër, e spitalit i duhej të përdorte zyra për të krijuar më shumë hapësirë.

Edhe Merr fund COVID-19, OBSH-ja thotë se nuk paraqet më urgjencë Botë Merr fund COVID-19, OBSH-ja thotë se nuk paraqet më urgjencë

Këndellja e spitaleve

Pandemia është lehtësuar deri në atë pikë sa që nga e marta, kishte vetëm katër pacientë me COVID-19 në spital, ka bërë të ditur Kim, dhe stafi mjekësor ndihet më i përgatitur për të trajtuar sëmundjen me njohuritë e fituara në ato ditë të errëta. Megjithatë, shumë prej tyre janë të traumatizuar nga kujtimet e papërpunuara të dy vjetëve të fundit dhe nuk do të jenë më kurrë njëjtë, ka theksuar ajo.

“Është e vështirë ta përdorësh fjalën “normale”, sepse nuk mendoj se do të kthehemi ndonjëherë në atë gjendje si para COVID-it. Thjesht po përshtatemi dhe po ecim përpara”, ka thënë Kim. “Kjo ka ndikuar te shumë prej nesh, disa njerëz po ecin përpara e disa të tjerë ende e kanë të vështirë të përballen me të gjitha”.

Detyrimet për maska, kërkesat e vaksinave dhe masat e tjera për COVID-19 po eliminohen kudo.

Por, ekspertët e shëndetit po kërkojnë gjithashtu të kihet kujdes.

Dr. Albert Ko, mjek i sëmundjeve infektive dhe epidemiolog në Shkollën e Shëndetit Publik të Yales, tha se është sigurisht një lajm i mirë që SHBA-ja duket se është në fund të një kulmi. Mirëpo, ai paralajmëroi kundër çdo deklarate fitoreje, veçanërisht me potencialin e një varianti tjetër që fshihet pas qoshes.

“Ne kemi variante të reja që shfaqen dhe ato variante të reja nxisin valë të mëdha, valë epidemike”, ka bërë të ditur Ko. “Pyetja e madhe është, a do të jenë ato aq të buta apo më pak të rënda sa Omicroni? A do të jenë potencialisht më të rënda? Fatkeqësisht, nuk mund ta parashikojmë këtë”.

Edhe Bideni shpall fundin e COVID-19 në SHBA Botë Bideni shpall fundin e COVID-19 në SHBA

Në Portland, njerëzit po kthehen në kinema, koncerte dhe palestra pas një dimri të gjatë e baret dhe restorantet po mbushen përsëri. Safrin ka treguar se shumë klientë po i thonë asaj se është hera e parë që darkojnë pas disa muajsh.

Përktheu: Blerta Haxhiu