Bombë që i dha fund luftës – por në formën më të tmerrshme të mundshme.
Sulmi i Japonisë në territorin e SHBA-së, më 7 dhjetor të vitit 1941, detyroi Amerikën të përfshihej në Luftën e Dytë Botërore.
Pas fitores në Evropë dhe Japonisë që nuk donte të dorëzohej, SHBA-ja vendosi t’i lëshonte bombat bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki në fillim të gushtit 1945.
James Stemm, kurator në Muzeun Kombëtar të Shkencës Bërthamore dhe Historisë, thotë se SHBA-ja po mendonte që t’i jepte fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur.
“SHBA-ja dëshironte t’i jepte fund sa më shpejt. Ideja e përgjithshme ka qenë pushtimi i plotë i Japonisë. Mirëpo kishte frikë se kjo do të bëhej me çmim të madh sa u përket jetëve amerikane dhe japoneze. Kështu bombat shiheshin si të shpejta, nuk dua të them pa dhimbje, por do të humbnin një numër i vogël njerëzish nëse tmerri nga bomba do ta detyronte dorëzimin e Japonisë”.
SHBA-ja sulmoi Hiroshimën më 6 gusht 1945, duke lënë të vdekur 140 mijë njerëz. Sivjet është shënuar 78-vjetori i lëshimit të bombave mbi territorin japonez.
Bomba që u lëshua tre ditë më vonë në Nagasaki la edhe 70 mijë të vdekur para se dorëzimi i Japonisë t’i jepte fund Luftës së Dytë Botërore.
Mirëpo jo të gjitha vdekjet u shkaktuan nga shpërthimi i menjëhershëm. Profesori Steven Casey thotë se në periudhën e luftës nuk kishte shumë njohuri për rrezatimin.
“E vetmja gjë në atë kohë ishte se s’kishte shumë njohuri për rrezatimin. Një shkencëtar aludon te një gazetar menjëherë pas bombës në Hiroshimë se ndoshta nuk është vetëm shpërthimi që ka vrarë dhjetëra mijëra civilë. Është shqetësuese. Gjithashtu, është nocioni i ri i rrezatimit. Qeveria e SHBA-së bëri përpjekje të mëdha për të censuruar çdo informacion mbi rrezatimin”.
Dorëzimi i Japonisë u njoftua më 15 gusht dhe formalisht u nënshkrua më 2 shtator 1945.
Në vitin 1948, ish-kryeministri i Japonisë, Hideki Tojo, dhe liderët e tjerë japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore u dënuan me vdekje nga një tribunal i krimeve të luftës.
Teksa shumë shtete tash janë të armatosura me bomba bërthamore, qeveritë nuk kanë qenë të gatshme t’i përdorin këto bomba që prej bombardimit të qyteteve japoneze.
Që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja dhe Japonia kanë krijuar një aleancë të fuqishme.