Të mbijetuarit e sulmit me bombë atomike, që u lëshua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qytetin japonez të Nagasakit më 9 gusht të vitit 1945, janë mbledhur të shtunën për të kujtuar tmerrin e asaj dite, si dhe për të shprehur dëshirën e tyre për paqe të përhershme dhe një botë pa armë bërthamore. Sipas tyre, janë brezat e rinj ata që e bartin përgjegjësinë kryesore për ta shtyrë këtë vizion përpara.
Qyteti jugor japonez i Nagasakit e ka shënuar të shtunën 80-vjetorin e sulmit bërthamor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – sulm i cili vrau dhjetëra-mijëra njerëz dhe la pas të mbijetuar që shpresojnë se kujtimet e tyre tronditëse do të ndihmojnë që Nagasaki të mbetet vendi i fundit në rruzullin tokësor që është goditur ndonjëherë nga një bombë bërthamore.
Sulmi mbi Nagasakin ndodhi më 9 gusht të vitit 1945, tri ditë pas bombardimit të Hiroshimës, duke i vrarë rreth 70,000 persona deri në fund të atij viti. Më 15 gusht 1945, Japonia shpalli kapitullimin, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore dhe gati gjysmë shekulli agresioni në Azi.
Rreth 2,600 persona, përfshirë përfaqësues botërorë nga më shumë se 90 vende, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore në Parkun e Paqes në Nagasaki, ku folën kryebashkiaku Shiro Suzuki dhe kryeministri Shigeru Ishiba.
Në orën 11:02 të mëngjesit, koha e saktë kur bomba atomike shpërtheu mbi qytet, pjesëmarrësit e mbajtën një minutë heshtje teksa kambana përkujtimore binte në sfond.
Nagasaki zotohet të jetë vendi i fundit i goditur nga bomba atomike
Pas fjalimit të kryebashkiakut Suzuki – prindërit e të cilit i kishin mbijetuar sulmit – u lëshuan dhjetëra pëllumba, si akt që e simbolizon paqen. Ai ka thënë se kujtimet e qytetit për bombardimin janë “trashëgimi e përbashkët që duhet të përcillet brez pas brezi, brenda dhe jashtë Japonisë”.
“Krizat ekzistenciale për njerëzimin po bëhen të menjëhershme për secilin prej nesh që jeton në këtë botë”, ka theksuar Suzuki. “Për ta bërë Nagasakin vendin e fundit të bombarduar ndonjëherë, do të ecim dorë për dore me qytetarët e botës dhe do të përkushtohemi për çarmatosjen bërthamore dhe paqen e përhershme në botë”.
Lutjet për çarmatim bërthamor dhe fund të luftës
Të mbijetuarit dhe familjarët e tyre u mblodhën që në orët e hershme të mëngjesit të 9 gushtit në Parkun e Paqes dhe në Parkun e Hipocentrit, i cili ndodhet pikërisht poshtë vendit ku shpërtheu bomba, disa orë para ceremonisë zyrtare.
“Unë thjesht e dua një botë pa luftë”, ka thënë Koichi Kawano, një i mbijetuar 85-vjeçar, teksa vendosi lule te monumenti i Hipocentrit, i dekoruar me zogj prej letre dhe dhurata të tjera.
Shumë të tjerë u lutën në kishat e Nagasakit, qytet ky me histori të gjatë të konvertimeve në katolicizëm, të cilët jetuan në ilegalitet gjatë përndjekjeve brutale në epokën feudale.
Dy kambanat e katedrales Urakami, që u shkatërrua gjatë bombardimit, ranë sërish së bashku pasi njëra prej tyre, që kishte humbur, ishte restauruar nga vullnetarët.
Të mbijetuarit ia besojnë gjeneratave të reja misionin për paqen
Pavarësisht vuajtjeve nga plagët, diskriminimit dhe sëmundjeve të shkaktuara prej rrezatimit, të mbijetuarit kanë mbetur të përkushtuar ndaj çarmatimit bërthamor – porse janë të shqetësuar se bota po lëviz në drejtimin e gabuar.
Tani ata ia besojnë vizionin e një bote pa armë bërthamore brezave të rinj, duke theksuar se sulmi nuk i takon vetëm të së kaluarës, por është në fakt çështje që e prek drejtpërdrejt edhe të ardhmen e tyre.
“Ka vetëm dy gjëra që i dëshiroj: ndalimin e armëve bërthamore dhe ndalimin e luftës”, ka thënë e mbijetuara Fumi Takeshita. “E vetmja botë që unë e shoh është ajo ku armët bërthamore nuk përdoren dhe ku të gjithë jetojnë në paqe”.
Takeshita, 83 vjeç, ka vizituar shkolla të ndryshme për ta ndarë përvojën e saj me fëmijët. “Kur të rriteni dhe ta kujtoni atë që mësuat sot, mendoni se çfarë mund të bëjë secili prej jush për ta parandaluar luftën”, u ka thënë ajo nxënësve këtë javë.
Teruko Yokoyama, 83 vjeç, anëtare e një organizate që i mbështet të mbijetuarit e sulmit bërthamor, ka thënë se e ndien mungesën e bashkëpunëtorëve që kanë ndërruar jetë dhe se kjo e shtyn t’i dokumentojë jetët e të mbijetuarve të mbetur.
Numri i të mbijetuarve ka rënë në 99 mijë – rreth një e katërta e numrit fillestar – dhe mosha e tyre mesatare ka kaluar 86 vjet. Kujtimet po zbehen, pasi moshat relativisht më të reja në mesin e të mbijetuarve ishin shumë të vegjël për ta mbajtur në mend ngjarjen.
“Duhet të vazhdojmë t’i dokumentojmë dëmet e bombardimeve dhe historitë jetësore të të mbijetuarve”, ka thënë Yokoyama, dy motrat e së cilës vdiqën nga sëmundjet e lidhura me rrezatimin.
Organizata e saj ka nisur t’i digjitalizojë rrëfimet e të mbijetuarve për t’i publikuar ato në platformën “YouTube” dhe rrjetet e tjera sociale, me ndihmën e brezit të ri.
“Ka të rinj që kanë filluar të veprojnë”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Kështu që, nuk kemi arsye të dëshpërohemi”.
Të premten, qyteti i Nagasakit e kishte organizuar një “forum të paqes”, ku të mbijetuarit i ndanë historitë e tyre me mbi 300 të rinj nga e gjithë Japonia. Seiichiro Mise, 90 vjeç, është shprehur se po ia dhuron “farat e luleve të paqes” brezit të ri, me shpresën se do të lulëzojnë herët a vonë.
Dilema e sigurisë në Japoni
Të mbijetuarit janë të zhgënjyer nga kërcënimet dhe mbështetja në rritje e udhëheqësve botërorë për zhvillimin ose mbajtjen e armëve bërthamore si instrument parandalues.
Ata e kanë kritikuar refuzimin e Qeverisë japoneze për të nënshkruar apo për të marrë pjesë në Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore, për shkak të aleancës së saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila i sheh armët bërthamore si garanci sigurie.
Në fjalimin e tij, kryeministri Ishiba e ka ritheksuar përkushtimin e Japonisë për një botë pa armë bërthamore si dhe ka premtuar se do ta promovojë dialogun ndërmjet vendeve me dhe pa armë bërthamore në Konferencën për Rishikimin e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, që do të mbahet në prill dhe maj të vitit 2026 në New York.
Megjithatë, ai nuk e përmendi fare Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore.
Qyteti i Nagasakit ka ftuar përfaqësues nga të gjitha vendet në ceremoninë përkujtimore të së shtunës. Autoritetet kineze kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë, pa dhënë arsye.
Ceremonia e vitit të kaluar pati shkaktuar polemika për shkak të mungesës së ambasadorit amerikan dhe përfaqësuesve të tjerë perëndimorë, pas refuzimit të qytetit për ta ftuar Izraelin.