Botë

Blinkeni dënon sulmin në Moskë

Antony Blinken

Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se SHBA-ja e “dënon fuqishëm” sulmin terrorist në Moskë, dhe shpreh “ngushëllimet më të sinqerta” për familjet e të prekurve.

Blinkeni ka thënë se Washingtoni solidarizohet me popullin e Rusisë dhe “e dënon terrorizmin në të gjitha format”, raportoi BBC.

Më herët, një zyrtar i paidentifikuar i ka thënë CBS News se inteligjenca amerikane konfirmon pretendimin e grupit të Shtetit Islamik se ishte përgjegjës për sulmin e së premtes.

Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së konfirmoi mbrëmë se Amerika kishte ndarë informacione për një sulm të afërt me autoritetet ruse, në fillim të këtij muaji.

Këshilltari i Komunikimit për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, duke folur dje në një konferencë pak pasi u raportuar për sulmin në Moskë ka thënë se "nuk ka asnjë indikacion për momentin se Ukraina ose ukrainasit janë përfshirë në sulm”.


Erdogani e dënon sulmin në Moskë, thotë se terrorizmi është i papranueshëm

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka dënuar të shtunën sulmin vdekjeprurës në një sallë koncertesh në Moskë, përgjegjësinë e të cilit e ka marrë ISIS-i.

Erdogani ka thënë se terrorizmi është i papranueshëm, pavarësisht prej kujt vjen, raportoi AP.

“I shprehim ngushëllimet tona qeverisë së Rusisë. Ne fuqishëm e dënojmë këtë sulm terrorist. Terrorizmi është i papranueshëm, pavarësisht prej nga vjen. Ndajmë dhimbjen me popullin dhe shtetin e Rusisë”, ka thënë Erdogani për një televizion në Ankara.

Turqia ka mbajtur lidhje të forta me Moskën derisa anëtarët e tjerë të NATO-s i kanë vënë asaj sanksione për shkak të luftës në Ukrainë.


Scholzi e dënon sulmin në Moskë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka dënuar sulmin që la të vdekur afro 100 persona në Moskë.

Scholzi u ka shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave.

“Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të gjithë të lënduarve”, ka deklaruar Scholzi.

Ngushëllime familjarëve të viktimave u ka shprehur edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Macroni i shpreh ngushëllime popullit rus

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka dënuar fuqishëm sulmin në Moskë të premten, ku mbetën të vdekur të paktën 93 persona, derisa numri i viktimave pritet të rritet.

“Franca shpreh solidaritetin me viktimat, të dashurit e tyre dhe të gjithë popullin rus”, thuhet në deklaratën e Pallatit Elysee.

Numri i të plagosurve deri tani raportohet të jetë mbi 100.

Modi dënon sulmin në Moskë, i shpreh ngushëllime popullit rus

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e ka dënuar sulmin vdekjeprurës në një sallë koncerti në Moskë dhe ka shprehur solidaritetin me popullin e Rusisë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin e tmerrshëm terrorist në Moskë. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave. India qëndron në solidaritet me qeverinë dhe popullin e Federatës Ruse në këtë orë pikëllimi”, ka thënë Modi.

Xi i shpreh ngushëllime Putinit pas sulmit që la të vdekur të paktën 93 persona

Lideri kinez, Xi Jinping, i ka dërguar mesazh ngushëllimi presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, pas sulmit në një sallë koncerti në Moskë të premten, që la të vdekur të paktën 90, dhe të plagosur mbi 100.

Në një fjalim në CCTV të medias shtetërore të Kinës të shtunën, Xi u citua të thoshte se ishte "i tronditur" kur mësoi për sulmin dhe shprehu "ngushëllime të thella" në emër të qeverisë dhe popullit të Kinës, raportoi AP.

“Xi Jinping theksoi se Kina kundërshton të gjitha format e terrorizmit, dënon fuqishëm sulmet terroriste dhe mbështet fuqishëm përpjekjet e qeverisë ruse për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin kombëtar”, thuhej në deklaratë.

Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në Moskë në një deklaratë të postuar në mediat sociale.

https://www.koha.net/bote/413666/mediat-ruse-raportojne-se-jane-arrestuar-11-te-dyshuar-per-sulmin-ne-moske/